MENU
klinika

Vuante nga një sëmundje e rëndë

Ndahet nga jeta Isuf Kalo, ish-mjeku i Enver Hoxhës

19.01.2023 - 20:13

Isuf Kalo, mjek, profesor, publicist dhe figurë e spikatur e historisë së vendit, është ndarë nga jeta. Kalo po qëndronte prej disa muajsh në një spital jashtë Shqipërisë, pasi ishte në gjendje jo të mirë shëndetësore. Nga ajo që raportohet në media, amaneti i tij ka qenë që të prehet në vendlindjen e tij, në Luzat, ku ai u lind në 1942.

Kush ishte Isuf Kalo?

Kalo ka lindur në vitin 1942 në Tepelenë. Studimet i ka përfunduar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1964. Prof. Kalo u specializua në disa vende evropiane për diabetologji dhe endokrinologji. Ai është një nga pionierët e këtij domeni në Shqipëri. Për disa vite ka qenë kryetar i endokrinologjisë dhe sëmundjeve metabolike në Fakultetin e Mjekësisë dhe në Spitalin Universitar të Tiranës. Ai është Doktor i Shkencave Mjekësore, Profesor i Mjekësisë dhe i nderuar me Çmimin Punëtor Shkencëtar i Dalluar i Shqipërisë.

Në vitin 1985 Isuf Kalo ishte mjeku personal i Enver Hoxhës. Midis 1991 dhe 2004 ai u punësua nga Zyra Rajonale e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën (në Kopenhagë), duke drejtuar Programin Evropian të Diabetit dhe më vonë Programin e Cilësisë së Sistemit Shëndetësor në Evropë. Ai është autor i një sërë botimesh në shtypin mjekësor të vendit të tij dhe jashtë saj, si dhe është anëtar nderi i disa komiteteve ndërkombëtare dhe shoqatave mjekësore në Evropë.

Lajmin për vdekjen e tij e ka ndarë në rrjetet sociale edhe Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Manastirliu shkruan se kontributi i Kalos për mjeksësinë shqiptare është i paçmuar.

Postimi i Manastirliut:

Me hidhërim mësova lajmin e ndarjes nga jeta të prof. Isuf Kalos. Bisedën e fundit me prof. Kalon e pata në mesin e dhjetorit, kur e ftova për të marrë pjesë në një prej atyre ngjarjeve që për profesorin ishin ”pikë e dobët”, akreditimi i institucioneve shëndetësore. Një proces që kishte pionier prof. Kalon dhe vizionin e tij. Por kontributi i profesor Isul Kalos është i paçmuar për mjekësinë shqiptare, në shërbimin e Endokrinologjisë në QSUT për disa dekada. U prehsh në paqe prof. Kalo.