MENU
klinika

Reagon ministri: Nuk e njoh, s’e kam takuar kurrë

Pastruesja vidhte banesat e zyrtarëve, bashkëshorti: Ulsi Manja më premtoi lirimin e djalit

09.01.2023 - 12:30

Bashkëshorti i Rozeta Dobit, Spartak Dobi tha dje se ka marrë një pretim nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja për të liruar djalin i cili akuzohet që së bashku me nënën kishin grabitur më shumë se 500 mijë euro në shtëpitë ku ajo pastronte.

Në një intervistë për Euronews Albania, ai tha se ministri i ka thënë që djalin mund ta lirojnë, por jo bashkëshorten jo.

“Sot kam qëndruar gjithë ditën me ministrin e Drejtësisë. i kam treguar për ngjarjen e më tha do të bëjmë çmos që djalin ta lirojmë por gruan jo. i thashë gruan çojeni më tej Stambollit. Djali nuk ka faj, e ka mësuar e ëma. i kishim në rregull të gjithë gjërat. Djali shkonte punonte natën”, tha Spartak Dobi në një intervistë për EuroNews Albania.

Por Ministri Manja në një reagim në rrjetin social Facebook, ka hedhur poshtë këto pretendime duke thënë se nuk e ka takuar kurrë. Ai shkroi se nuk e njeh Spartak Dobin dhe as familjarët e tij.

“Mbrëmjen e djeshme u njoha me një intervistë të dhënë nga bashkëshorti dhe babai i dy të akuzuarve për vjedhjen e një shume parash në Tiranë.

Kushdo që do ta shihte atë intervistë do e kuptonte lehtësisht gjendjen e rënduar të personit të intervistuar.

Dua të besoj se ishte pikërisht kjo gjendje e rënduar arsyeja që e ka shtyrë zotin Dobi të shpikë edhe takimin me mua, apo dialogun imagjinar që paskemi pasur me njëri-tjetrin. Por teksa gjendja psikologjike e një pensionisti që vuan arrestimin e djalit dhe gruas mund të kuptohet, është e pajustifikueshme përdorimi që i bëhet këtij personi nga media për qëllime kryekëput politike.

E vërteta është se unë kurrë nuk jam takuar me Spartak Dobin. Madje as nuk e njoh këtë person, as familjarët e tij. Sikurse unë kurrë nuk kam punuar në Bashkinë e Tiranës, pavarësisht pretendimeve të personit në fjalë.

Si Ministër i Drejtësisë, unë mbështes plotësisht hetimet e organeve përgjegjëse dhe inkurajoj zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dënimin e fajtorëve”, shkroi Manja.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Ti duhet të ishe në burg”

Bardhi dhe Manja përplasen në Komision

2 akt-propozimet e Ministrisë së Drejtësisë që u miratuan sot

“Një kategori ish-të përndjekurish do të marrin dëmshpërblim financiar”