MENU
klinika

Çfarë kërkon Brukseli?

Porti i ri i Durrësit shqetëson BE

28.01.2023 - 13:12

Bashkimi Europian ka anuluar pjesën e mbetur të Fondit Ndërkombëtar për Ballkanin Perëndimor për Shqipërinë lidhur me Portin e Durrësit. Kjo u konfirmua nga Komisioneri për Fqinjësin dhe Zgjerimin në Komisionin Europian, Oliver Varhelyi në një letër dërguar kryetarit të komanduar të PD zyrtare, Enkelejd Alibeaj. Zyrtari i lartë i Brukselit iu përgjigj letrës së dërguar nga Alibeaj në nëntor të vitit të kaluar, ku e njoftonte për problemet lidhur me projektin luksoz të Portit të Durrësit. Në letrën e publikuar dje në mediat shqiptare, Varhelyi bëri thirrje që qeveria shqiptare të kryejë prokurime dhe koncesione bazuar në transparencën, garën e hapur dhe të barabartë mes konkurentëve. Megjithatë, pavarësisht kritikave të BE ndaj qeverisë lidhur me projektin “Durrës Jahtet dhe Marina”, Varhelyi premtoi se KE do të mbështesë me projekte investimit “Portin e Durrësit”, duke nënkuptuar zbatimin e tij nëpërmjet procedurave të vendosura nga Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit, që Shqipëria e ka firmosur me Brukselin në 2006.

Porti i Durrësit, KE: Anulojmë grantin e mbetur, u modifikua projekti
Në përgjigjen e Varhelyi saktësohet se është vendosur të anulohet granti i mbetur për investimin në projektin e “Portit të Durrësit” me argumentin se qeveria modifikoi projektin dhe ndryshoi përdorimin e Portit të Durrësit, i cili nga një port mallrash do të kthehet në një zonë luksoze rezidenciale. KE dha mesazhin se qeveria duhet të garantojë kryerjen e garës së koncesioneve bazuar në rregullat e tregut të lirë dhe ligjeve që e mbrojnë atë. “Kur bëhet fjalë për marrëveshjet ndërkombëtare me vendet e treta, qëndrimi i Bashkimi Evropian është i qartë dhe ai është thënë vazhdimisht, duke përfshirë edhe Këshillin e Stabilizim-Asocimit që u zhvillua në mars 2021. Të gjitha instrumentet ligjore dhe financiare të përdorura në fushën e prokurimeve publike dhe koncesioneve, duke përfshirë edhe marrëveshjet e lidhura me vendet e treta për zbatimin e projekteve të përbashkëta, duhet të jenë në përputhje me parimet e transparencës, konkurrencës, trajtimit të barabartë dhe mosdiskriminimit. Sigurisht që ne i kemi ndjekur nga afër zhvillimet në lidhje me projektin e Portit të Durrësit. Si rezultat i modifikimit në projekt dhe ndryshimit të përdorimit të Portit të Durrësit, Komisioni anuloi grantin e mbetur për investimin në këtë projekt specifik”, shkruan fillimisht komisioneri hungarez.

BE i jep shans qeverisë: Gati të investojmë projekte për Porto Romanon
Në fund, KE la të hapur mundësinë e mbështetjes financiare për transferimin e Portit të Durrësit në zonën e Porto Romanos, por duke zbatuar rregullat e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe konkurencës së lirë e të ndershme ekonomike. “Komisioni është i gatshëm të mbështesë dhe të akomodojë projekte të mëtejshme investimi në lidhje me projektin e ri komercial të zhvillimit të Porto Romanos nëse kërkohet. Është objektivi ynë i përbashkët për të mbështesin zhvillimin ekonomik të Shqipërisë“, mbyllet letra e komisionerit për Fqinjësinë dhe Zgjerimin në KE, Oliver Varhelyi.

Letra e Alibeajt drejtuar Hohmann dhe Varhelyi: Ndiqni procedurat e ‘Portit të Durrësit’
Në 18 nëntor 2022, kryetari i grupit parlamentar të PD, Enkelejd iu drejtua me një letë komisionerit për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi dhe ambasadores së BE në Tiranë, Christiane Hohmann, ku u kërkonte të ndjekin me vëmendje procedurat e projektit “Durrës Jahtet dhe Marina” me vlerë 2.1 miliardë euro, nëse përputhen me përcaktimet e MSA. Alibeaj shtoi se ky projekt është mjaft i dyshimtë, pasi shteti shqiptar përfiton vetëm 280 milionë euro nga 730 milionë euro fitime dhe për faktin se investimi 1.94 miliard euro nga 2.1 miliardë euro do sigurohet nga palë të treta të panjohura. “Në thelb të letrës, paraqiten shkeljet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit lidhur me parimet e konkurrencës së lirë dhe mosdiskriminimit Çdo ndihmë shtetërore, sanksionon MSA, që shtrembëron rregullat e konkurrencës, vjen në kundërshtim me këtë Marrëveshje. Projekti i Portit të Durrësit mund të jetë një rast unik në botë ku shteti ofron 818 mijë m2 pronë publike, si dhe përjashtime nga taksat, me një vlerë totale 730 milionë euro, për të marrë mbrapsht vetëm 280 milionë. Nga ana tjetër investitori ka marrë përsipër të realizojë një investim 2.1 miliardë euro, në një kohë që ai ofron vetëm 160 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër prej 1.94 miliard euro do të sigurohet nga palë të treta të panjohura. Me anë të kësaj letre kërkojmë nga Komisioni Evropian dhe Delegacioni i BE-së të ndjekin më vëmendje këtë rast dhe në përputhje me procedurat e tyre të hetojnë mbi përputhshmërinë e kësaj marrëveshje me parimet dhe standardet e MSA-së dhe legjislacionit evropian”, mbyllet letra e Enkelejd Alibeajt dërguar dy përfaqësuesve të BE.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN