MENU
klinika

Analiza

Rreziku i botës sot është ‘boshti i të keqes’

02.01.2023 - 14:43

Gati 21 vjet më parë, presidenti amerikan Xhorxh W.Bush paralajmëroi më 29 janar 2002, në fjalimin e tij të parë mbi “Gjendjen e Unionit”, se Iraku, Irani dhe Koreja e Veriut kishin krijuar një “bosht të së keqes” dhe po synonin ta shkatërronin Perëndimin dhe kulturën e tij neoliberale.

Në prillin e vitit 2003, operacioni ushtarak “Liria e Irakut” i dha fund regjimit të Sadam Huseinit. Por Irani dhe Koreja e Veriut, kryesisht të prekura, kanë vazhduar të financojnë, trajnojnë dhe pajisin organizatat terroriste në të gjithë Lindjen e Mesme.

Ndërkohë, nën udhëheqjen e presidentit Vladimir Putin, Rusia ka zgjedhur gradualisht të përqafojë “boshtin e së keqes” si partnerët globalë kundër asaj që Moska e percepton si dominim unipolar të Uashingtonit.

Dhe në këtë proces, duke pasur parasysh edhe operacionin e saj special ushtarak në Ukrainë që nuk po ecën si duhet, Moska e ka transformuar partneritetin në rritje në “arsenalet e së keqes”. Shumë në nevojë për municione, dronë, raketa balistike dhe ndihmave të tjera ushtarake për të vazhduar fushatën terroriste të Putinit ndaj civilëve ukrainas, Moska është bërë gjithnjë e më tepër e varur nga Teherani dhe Pheniani.

A ka filluar të shpërbëhet “boshti i së keqes”?

Kjo nuk ka qenë askund më e qartë sesa në momentin kur Kremlini hoqi kokat bërthamore nga inventarët e vjetër të raketave të viteve 1980 AS-15 Kent (Kh-55) për të vazhduar bombardimin e Ukrainës. Analistët besojnë se që nga gushti, Rusia ka lëshuar ndaj Ukrainës më shumë se 400 dronë sulmues të prodhuar nga Irani, dhe ka arritur një marrëveshje me Teheranin për të nisur prodhimin e qindra dronëve të tjerë në Rusi.

Një raport i veçantë sugjeron se deri në 200 dronë kamikaze “Shahed-136” dhe “Arash-2”, si dhe dronët zbulues ”Mohajer-6”, u dërguan në Rusi në fillim të nëntorit. Po ashtu, Irani ka rënë dakord ta furnizojë Rusinë me raketa tokë-tokë “Fateh-110” dhe “Zolfaghar”.

Por shumë shpejt Rusia mund të përjetojë problemet e veta të zinxhirit të furnizimit, në një kohë kur ajo nuk mund ta përballojë dot këtë. Pesha e këtij “boshti të së keqes” të udhëhequr nga Rusia mund të jetë e tepërt.

Thuhet se Moska se po i tërheq raketat e mbrojtjes ajrore S-300 nga Siria, duke i lënë forcat iraniane të ekspozuara ndaj sulmeve ajrore izraelite. Padyshim që Teherani, i shqetësuar nga protestat e brendshme, nuk e mirëpret këtë zhvillim apo kërcënim të pozicionit të tij në Siri, dhe për rrjedhojë edhe të ndikimit në Liban dhe Rripin e Gazës.

Irani ka shumë probleme të brendshme, dhe po ashtu edhe “boshti i së keqes”. Qeveria iraniane ka një histori të gjatë të goditjes së antikonformistëve.

A ka filluar të shpërbëhet “boshti i së keqes”?

Por vdekja e Mahsa Aminit, një gruaje kurde 22-vjeçare nga Irani Veriperëndimor, e cila vdiq në paraburgimin e policisë së moralit pasi u rrah sepse nuk mbante shami gjatë kohës që ishte duke vizituar Teheranin në shtator, shkaktoi një reagim të fuqishëm dhe në rritje në mesin e grave iraniane, të cilat kanë qenë të pakënaqura prej vitesh nga ky represion.

Me mijëra qytetarë iranianë kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër kësaj padrejtësie. Demonstratat janë zhvilluar në qytetin e lindjes së Aminit në Tabriz, por edhe në Mahabad, Zahedan dhe në kryeqytetin Teheran. Nga të gjitha sferat e jetës, pavarësisht nga gjinia, mosha dhe prejardhja etnike, intoleranca dhe kufizimet e lirisë po arrijnë një pikë kulmore në të gjithë Iranin.

Frika nga nënshtrimi dhe burgimi është zëvendësuar me një ndjenjë të ripërtërirë proteste pavarësisht kostos. Studentet femra në Universitetin Al-Zahra, i hoqën shamitë e tyre në mënyrë demonstrative dhe brohoritën parulla antiqeveritare përballë policisë.

Protestuesit në Teheran ngritën dhe dogjën barriera ndërsa thërrisnin “Vdekje diktatorit!”. Demonstruesit i vunë zjarrin shtëpisë stërgjyshore të themeluesit të Republikës Islamike, Ajatollah Ruhollah Khomeini në qytetin Khomein.

Më pas, gjatë botërorit në Katar, skuadra iraniane e futbollit qëndroi në heshtje kur po luhej himni kombëtar para ndeshjes së tyre me Anglinë, pavarësisht kërcënimeve të autoriteteve për hakmarrje ndaj lojtarëve dhe familjeve të tyre.

Solidariteti në mbarë Iranin po bashkon një popullsi dikur tërësisht të nënshtruar ndaj teokracisë islame në pushtet, të udhëhequr nga Udhëheqësi Suprem, Ali Khamenei, vendimet e të cilit zbatohen nga Policia e Inteligjencës dhe Sigurisë Publike (PAVA), Policia Islamike (e njohur si policia e moralit) dhe Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike.

Këto protesta janë të ndryshme nga ato të viteve 2017-2018 dhe 2019-2020, kur trazirat u nxitën nga ekonomia, politika dhe kostoja e lartë e karburantit. Këtë herë forca lëvizëse janë kufizimet e lirive personale, duke e vënë shumë në vështirësi regjimin.

A ka filluar të shpërbëhet “boshti i së keqes”?

Më 8 nëntor, një letër e mbështetur nga 227 nga 290 anëtarët e parlamentit iranian bëri thirrje për dënime të ashpra të protestuesve, duke kërkuar nga gjyqësori të jepte dënime “shpagimi” (ekzekutim me vdekje), që u pasua nga thirrjet “vdekje rebelëve”.

Sipas bashkëpunëtorit të think-tankut Carnegie Endowment, Karim Sadjadpour, rreth 15.000 qytetarë iranianë janë arrestuar dhe fatet e tyre janë në pikëpyetje. Njoftimi i fundit i Iranit se do të shpërndajë policinë e moralit, shihet nga shumë njerëz si një manovër thjesht propagandistike, e cila synon të zbutë një lëvizje në rritje të qytetarëve të shtypur.

Ajo mund të ketë më shumë efektin e “ndihmës së shpejtë” për kurimin e një “plage të hapur” te një publik i lodhur nga udhëzimet e ashpra fetare të Këshillit të Lartë të Revolucionit Kulturor. Ajo që konsiderohej në fillim si një revoltë momentale, u shndërrua shpejt në një lëvizje që mund ta kërcënojë teokracinë iraniane.

Lëvizja fitoi një tërheqje shtesë me vdekjen e Mehran Samak, vrarë nga forcat e sigurisë Bandar Anzali ndërsa festonte fitoren e SHBA-së në Kupën e Botës ndaj Iranit. Ky përshkallëzim mund të ndikojë në aftësinë e Rusisë për të vazhduar sulmet e saj terroriste ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile në Ukrainë.

Sa ironike do të ishte nëse Putin do të humbiste jo vetëm në Ukrainë, por duke pasur parasysh dëshpërimin e tij për armatime nga “arsenalet e tij të së keqes”, do të sillte shembjen e vetë këtij boshti? Ka të ngjarë të jetë aq ironike sa edhe raportet e reja se dronët iranianë nuk mund të operojnë në fushat e betejës gjatë dimrit të ftohtë të Ukrainës. “Fubar”, siç thoshin trupat amerikane në Luftën e Dytë Botërore. Gjithçka është përtej çdo lloj njohjeje, përfshirë “boshtin e së keqes” të Vladimir Putinit.

 Jonathan Sweet, kolonel në pension i ushtrisë amerikane, ku shërbeu 30 vjet si oficer i inteligjencës ushtarake. Mark Toth, ekonomist, historian dhe sipërmarrës. Ka qenë anëtar i bordit të Qendrës Botërore të Tregtisë.