Ata janë të vënë nën akuzë për një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura në Elbasan në dekadën e fundit, ndaj Prokuroria e Posaçme ka vendosur të sekuestrojë 10 pasuri të paluajtshme të Florenc Çapjas, njërit prej anëtarëve kryesorë të grupit “Çapja” në Elbasan.
Mësohet se sekuestroja është pranuar nga gjyqtarja Flojera Davidhi, pas kërkesës të depozituar në gjykatë nga tre prokurorët e çështjes, Behar Dibra, Altin Dumani dhe Doloreza Musabelliu. Kërkesa ka marrë spunto nga ligji antimafia, pasi Florenc Çapja akuzohet në SPAK për “Vrasje në rrethana cilësuese” të kryer në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” për rastin e ekzekutimit të Gentian dhe Nezir Beqirit.
Njëherësh për Florenc Çapjan SPAK ka ngritur akuzën e “Sigurimit të kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të Sokol Sanxhaktarit, kryer në bashkëpunimin e posaçëm të “Grupit të strukturuar kriminal”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga “Grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”. Ndërsa vendimi i gjykatës ka shtrirë efektin edhe në pasuri të tjera që nuk janë të regjistruara në emër të Florenc Çapjas dhe dy prindërve të tij, Fejzulla dhe Xhemile Çapja.
PASURITË
Mes pasurive të bllokuara tashmë nga SPAK, është një truall dhe ndërtesë me sipërfaqe 360 metra katrorë, që ndodhet në lagjen “Emin Matraxhiu”, i cili është e regjistruar në emër të Bledar Muçës, ky i fundit i ekzekutuar në një atentat në Belgjikë. Një pjesë të pasurive ata i kanë dhuruar te njëri jetri. Një tjetër pasuri e bllokuar, është 500 metra katrorë e llojit “Arë” në fshatin Udënisht të Pogradecit, në pronësi të Ferit Muçës, vëllait të Bledar Muçës. Mes pasurive të tjera, është një truall dhe ndërtesë me sipërfaqe 1756 metra katrorë, që ndodhet në lagjen “Emin Matraxhiu”, e cila është e regjistruar në emër të Fejzulla Çapjas.
Sipas dosjes së SPAK, këto pasuri pas vdekjes së Bledar Muçës, dyshohet se administrohen nga familjarët e Florenc Çapjas, i cili prej më shumë se dy vite është shpallur në kërkim nga SPAK dhe qëndron si rezident në Dubai. Ndër pasuritë e tjera të bllokuara janë një ndërtesë ekonomiko-sociale, me sipërfaqe trualli 36 metra katrorë në emër të Fejzulla Çapjas. Florenc Çapja është i akuzuar nga SPAK si porositës i vrasjes në 2012 të babë e bir Nezir dhe Gentian Beqirit në Elbasan, pavarësisht se ai dhe as xhaxhai i tij i vënë në pranga nuk e kanë pranuar kurrë autorësinë e atij krimi të rëndë.
Babë e bir u vranë në banesën e tyre, ku Gentian Beqiri në fakt ishte në ‘arrest shtëpie’ dhe ruhej me dy policë në derën e shtëpisë. Ai akuzohej si autor i vrasjes së biznesmenit të njohur Sokol Çapja, ngjarje kjo e ndodhur në dhjetor të vitit 2005. Vrasja e Gentian Beqirit është kryer në ambientet e brendshme të banesës së tij, që ndodhej në lagjen “Sporti i vjetër” në Elbasan, ku teksa qëndronte i shtrirë në krevat pasi ishte i paralizuar është qëlluar për vdekje me 7 plumba të një pistolete me silenciator dhe më pas autorët, që u tha se ishin dy veta, mbytën duke e dhunuar edhe babanë e tij, Nezir Beqiri.
Kjo ndodhi ndërkohë që jashtë derës së shtëpisë ruanin dy efektivat e Policisë, të cilët u akuzuan më pas për “Shpërdorim detyre”. Të arrestuar për këtë ngjarje janë i penduari dhe bashkëpunëtori i drejtësisë, Ervis Bardhi, i cili, sipas SPAK ka hedhur dritë mbi të gjitha përgatitjet për ekzekutimin e Gentian Beqirit. Po ashtu, në pranga janë edhe Olsi Leku, Etjen Cani, Klajdi Dokoli dhe Ardjan Çapja. Të gjithë këta persona bashkë me Florenc Çapjan u akuzohen nga Prokuroria e Posaçme se në vitin 2012 kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal, duke ekzekutuar në shenjë hakmarrje brenda shtëpisë së tyre, Gentian Beqirin dhe të atin e tij, Nezir Beqiri.