MENU
klinika

E pabesueshme/

Stresi mund të ketë një ndikim pozitiv befasues te kujtesa

07.01.2023 - 12:01

Nuk është asnjëherë mirë të ndihesh i tensionuar emocionalisht. Por një stres i vogël aty-këtu mund ta ndihmojë në fakt kujtesën e njeriut në terma afatgjatë. Një hulumtim i ri nga neuroshkencëtarët në Universitetin e Xhorxhias (UGA), SHBA, që përfshiu më shumë se 1200 të rritur të rinj të shëndetshëm, tregon se stresi mendor është i dëmshëm vetëm kur e kalon një prag të caktuar.

Duket se ai ka një efekt të dobishëm në kujtesën normale të një personi, kur ekziston në nivele relativisht të ulëta dhe të moderuara. Në studim, pjesëmarrësit kryen një test të kujtesës bazuar në njohjen e mjeteve dhe fytyrave të caktuara. Gjatë gjithë kohës së testimit, truri i pjesëmarrësve iu nënshtrua skanerit.

Kur analizuan prapa aktivitetin e trurit gjatë detyrave të dhëna, studiuesit vunë re se ata pjesëmarrës që raportuan nivele më të larta të stresit në një pyetësor, treguan më pak aktivitet në zonën e trurit të tyre përgjegjës për kujtimet afatshkurtra, e njohur gjithashtu si kujtesa funksionale.

Ndërkohë, ata që përjetuan vetëm nivele të ulëta deri në mesatare të stresit, treguan një aktivizim të rritur të kujtesës funksionale në trurin e tyre. Për më tepër, ky aktivitet përkoi me një performancë më të mirë në testin e kujtesës.

E pabesueshme/ Stresi mund të ketë një ndikim pozitiv befasues te

Rezultatet nuk testojnë drejtpërdrejt nivelet e stresit apo nëse stresi ndikon në kujtesën funksionale, por ato ofrojnë të dhëna paraprake që sugjerojnë se ekziston një lidhje e caktuar. Ideja që stresi mund të ushtrojë një efekt pozitiv dhe negativ në aftësitë njohëse të njeriut, në varësi të nivelit të tij, buron nga Hipoteza Hormesis, një teori e nxjerrë nga toksikologjia.

Ndërsa vlefshmëria e kësaj hipoteze është kontestuar në fusha të tjera, ajo po krijon një kufi të ri në kërkimet psikologjike. Në vitin 2006, një studim midis vetëm 20 të rriturve të shëndetshëm zbuloi se stresi psikosocial mund të dëmtojë kujtesën funksionale, por vetëm kur nivelet e tij janë relativisht të larta. Nëse ato janë më të ulëta, atëherë nuk vërehej asnjë efekt negativ.

Gjetjet e këtij studimi sugjerojnë se stresi i mjedisit përreth, nuk është gjithmonë i dëmshëm për funksionimin e trurit tonë. Por a do të thotë kjo se është i dobishëm? Në doza shumë të ulëta, disa studiues dyshojnë se mund të jetë. Deri më tani, vetëm disa studime kanë shqyrtuar Hipotezën Hormesis.

Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë drejtpërdrejt, por rezultatet fillestare janë interesante për t’u marrë në konsideratë. Studime të tilla sugjerojnë se parakushtëzimi e lehtëson tolerancën ndaj stresit. Me fjalë të tjera, përjetimi i stresit mund ta ndihmojë një individ të përballet më mirë me stresin më vonë.

E pabesueshme/ Stresi mund të ketë një ndikim pozitiv befasues te

Në fakt, menaxhimi i stresit mund t’i lejojë kafshët të parashikojnë më mirë problemet e ardhshme, dhe të reagojnë në përputhje me rrethanat. Për shembull, kur minjtë e rritur vihen nën një stres të butë kronik, disa studime tregojnë se ata kanë përmirësuar kujtesën funksionale.

Edhe te speciet tona, disa studime tregojnë se nivelet e ulëta deri në mesatare të stresit lidhen me përfitimet e kujtesës. “Bazuar në këtë hipotezë, parakushtëzimi qëndron në themelin e një faze në të cilën organizmi nxitet të riorganizohet, përgatitet dhe të përballojë me sjellje më efektive stresin që do të pasojë”- shkruajnë Asaf Oshri, studiues i psikologjisë në UGA dhe kolegët e tij.

Por në rast se presioni mendor ose emocional i një njeriu rritet përtej asaj që ata kanë mësuar të përballojnë ose vazhdon me kalimin e kohës, atëherë stresi mund të jetë i dëmshëm, dhe mund të kontribuojë në tensionin e muskujve, presionin e lartë të gjakut, sëmundjet e zemrës, problemet e sistemit imunitar, çrregullimet e zorrëve, një kujtesë më të dobët në punë dhe shumë aspekte të tjera negative.

Është interesant fakti që në studimin aktual, ata pjesëmarrës që raportuan se kishin një rrjet më të fortë të mbështetjes sociale, dukej se kishin një kontroll më të mirë të niveleve të stresit. Prandaj, familja dhe miqtë mund të jenë një rrjet mbrojtës shumë i mirë kundër ndjenjave në rritje të presionit dhe tensionit.

“Gjetjet e zbuluara në studimin aktual, tregojnë përfitimet në aspektin njohës nga ekspozimi ndaj niveleve të moderuara të stresit. Shpresojmë që studimet e ardhshme të kuptojnë më mirë se si Hormesis mund të jetë themeli i zhvillimit të përshtatjes ndaj stresit dhe potencialisht elasticitetit te njerëzit, individëve që jetojnë në mjedise stresuese”-përfundojnë autorët e studimit në fjalë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Pas daljes nga spitali e përjetojnë shumë pacientë...

Çfarë është sindroma e kujdesit post-intensiv?