MENU
klinika

Kosovë

Thirrje për bojkot të produkteve serbe

29.01.2023 - 14:50

“Mos bli produkte serbe – Besa, besë”, me këtë thirrje po synohet që Kosova të bojkotojë produktet serbe. Fushata, e cila ka për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve që të mos blejnë produkte të importuara nga fqinji verior, ka filluar të japë rezultate konkrete. Megjithatë, importi nga Serbia ka qenë i lartë edhe vitin e kaluar, duke arritur në mbi 371 milionë euro

Në Kosovë vazhdon të ketë shumë produkte serbe. Blerja e këtyre produkteve nga qytetarët e Kosovës është rritur edhe në vitin 2022. Importet nga Serbia në vitin që lamë pas janë rritur rreth 21.7%, apo mbi 66 milionë euro.

Në vitin 2022, Kosova ka importuar mallra në vlerë 371.6 milionë euro nga Serbia, e cila, sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës llogaritet të jetë partneri i katërt tregtar i vendit në këtë aspekt. Për t’i ulur këto shifra dhe për të ndalur blerjen e produkteve serbe, në Kosovë ka nisur një fushatë ndërgjegjësuese me moton “Mos bli produkte serbe – Besa, besë”.

Nismëtari i fushatës për bojkotimin e produkteve serbe, Burim Piraj, bën thirrje që të mos konsumohen prodhimet e Serbisë. Ai ka thënë se qëllimi i fushatës është që qytetarët e Kosovës të vetëdijesohen, që të mos blejnë produkte të cilat importohen nga fqinji verior.

Sipas tij, nisma për bojkotim ka filluar prej 15 muajsh dhe po vërehet dukshëm efekti i kësaj fushate.

“Më 24 shtator 2021 kam krijuar një grup, në mënyrë që të vetëdijesohen popullata që të mos blejnë prodhime serbe. Grupit ia kam vënë emrin ‘Mos blini prodhime serbe’.

Në 15 muaj, nuk ka pasur një ditë të vetme që nuk jam marrë me atë grup. Ka pasur njerëz në atë grup që më kanë mbështetur dhe më kanë thënë se ‘do të kishte sukses’. Sot grupi ka një këshill prej 15 anëtarësh ku bëjmë politikat dhe strategjinë e grupit”.

Por hovin e fushatës, sipas Pirajt, e ka dhënë situata në Veri të vendit.

“Ideja ka qenë e kahershme. Që nga paslufta, nuk kam konsumuar produkte serbe dhe e kam menduar se do të bëhen gjëra të tilla që njerëzit nuk do të blejnë produkte serbe.

Dhe nuk do të ketë nevojë që të bëhet fushatë, sepse kanë kaluar dy dekada, kur erdhi situata e aplikimit të reciprocitetit për dokumentet e udhëtimit dhe targat e automjeteve, kur ne na kërcënonte Serbia me tanke, e rreshtonte ushtrinë në kufi. Për mua ka qenë shumë e sikletshme të shoh njerëzit se s’po i blejnë nëpër markete produktet serbe, sikur asgjë nuk ka ndodhur.

Atëherë kam menduar që do të duhet të bëhet një nismë dhe të ndërmerret diçka që kjo situatë të ndryshojë. Të ndërmerret diçka që njerëzit të vetëdijesohen për atë se çfarë po blejnë. Fushata jonë ka arritur të ketë jehonë të kënaqshme, sidomos pas barrikadave në Veri.

Por edhe para se të ishin barrikadat ka pasur rritje të interesimit të qytetarëve për moskonsum. Ne kemi vërejtur që qytetarët jo me vullnet blejnë prodhime serbe”.

Piraj thotë se shteti serb ka investuar shumë në marketimin e prodhimeve të tyre, saqë, sipas tij, me anë të ekonomisë të mundohet ta pushtojë Kosovën.

“Serbia ka subvencionuar në të gjitha format që ta ketë tregun e Kosovës. Ka subvencionuar aq shumë, si në materiale ndërtimore, materiale elektrike, ushqimet dhe krejt gjërat i ka subvencionuar që ta ketë tregun e Kosovës.

Sa më shumë shitet në Kosovë, aq më shumë ka mundësi punësimi në Serbi. Sa më shumë shitet në Kosovë, aq më shumë rritet buxheti i Serbisë.

Sa më shumë shitet në Kosovë, aq më shumë ka mundësi të blihet armatim nga buxheti që krijohet nga paraja, e cila vjen nga Kosova. Dhe kjo ka sjellë që nëpër markete të ketë sa më shumë ekspozim të prodhimeve serbe dhe të ketë marketing”.

Nga viti 2006, asnjë produkt i Serbisë në market
“Market Plus”, në Ferizaj, është një nga marketet në Kosovë, i cili që nga viti 2006 ka bojkotuar të gjitha prodhimet serbe.

Madje në hyrje të marketit dhe në çdo pjesë tjetër, shkruan “Made in Kosova”. Remzi Bytyqi, menaxher i këtij marketi, ka thënë se brenda një afati shumë të shkurtër i kanë bojkotuar produktet, siç thotë ai të “armikut”.

“Në vitin 2006 u kemi thënë stop të gjitha produkteve të Serbisë, ku me nismën e pronarit kemi pasur afat 15 ditë për ta asgjësuar atë produkt të armikut dhe që nga viti 2006 nuk posedojmë asnjë produkt të armikut”.

Bytyqi ndihet i lumtur që në hapësirat e tyre u kanë dhënë mundësi prodhuesve vendas që të prezantojnë prodhimet e tyre.

“Në kuptimin e plotë të fjalës kemi pasur vetëm lehtësi, sepse u kemi dhënë mundësi të gjithë prodhuesve vendorë t’u jepet hapësira për ekspozimin më të mirë për shitje. Prodhuesit vendorë janë të kënaqur, edhe klientët janë të kënaqur me ekspozimin e produkteve vendore, por edhe me çmimin e këtyre produkteve në krahasim me produktet e importit”. Përveç prodhimeve vendore, ai thotë se nga cilat shtete importojnë më së shumti.

“Produktet vendore janë numër një, pastaj fillon Shqipëria, Kroacia, Sllovenia, e shtetet e Bashkimit Europian të gjitha, me përjashtim të Serbisë që nuk diskutohet asnjë produkt të ekzistojë te ‘Plus Marketi’”. Bytyqi thotë se edhe marketet e tjera vendore kanë kërkuar bashkëpunim për t’u furnizuar me prodhime vendore, në mënyrë që ta kenë më të lehtë bojkotimin.

Opozita e akuzon pushtetin për importin nga Serbia
Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se në vitin 2022, Serbia ka rritur importet në 70 milionë euro. Në një postim të partisë së Lumir Abdixhikut, thuhet se politikat e gabuara të qeverisë Kurti, vazhdojnë të favorizojnë praninë ekonomike të Serbisë në Kosovë.

“Në vitin 2022, Serbia ka rritur importet për plot 70 milionë euro. Me 370 milionë euro import në vit, Serbia në mandatin e kësaj qeverie, ka arritur rekord të ri. Politikat e gabuara të Qeverisë Kurti vazhdojnë të favorizojnë praninë ekonomike të Serbisë në Kosovë.

Ankesat për të kaluarën nuk e përmirësojnë ekonominë dhe nuk i zgjidhin problemet e së ardhmes. Kemi nevojë për veprime konkrete dhe jo premtime e fjalë boshe!”. Kurse deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka publikuar disa të dhëna që, sipas tij, tregojnë rritjet e importeve të Kosovës me shtetin serb. Shala ka publikuar disa grafika, duke shtuar se importet nga Serbia në periudhën janar – nëntor të vitit 2022, përbëjnë vlerën më të lartë që nga viti 2019.

“Importet nga Serbia në Kosovë në periudhën janar – nëntor të vitit 2022 janë 341.7 milionë euro dhe përbëjnë vlerën më të lartë të importeve që nga viti 2019.

Trendi i rritjes së importeve nga Serbia nën Qeverisjen Kurti është në përmasa të jashtëzakonshme dhe rritja nga viti 2019 në vitin 2020, kur fillon kjo qeverisje, është +25.47%.

Rritja e importeve serbe nga viti 2020 në vitin 2021 është 82.30% apo +124.2 milionë euro, ndërsa nga viti 2021 në vitin 2022 është 24.20%, apo +66.6 milionë euro. Në total, rritja e importeve serbe nën këtë qeverisje është 126.4%, apo +190.8 milionë euro, nëse krahasohet viti 2022 me vitin 2020, kur në pushtet erdhi Kryeministri aktual”, ka thënë ai.

Mbi 767 milionë nga Serbia, 642 milionë nga Shqipëria
Raportet tregtare mes Kosovës e Shqipërisë janë kritikuar çdo herë. Edhe shifrat tregojnë se këto raporte nuk janë aq të mira. Nga Shqipëria, Kosova ka importuar mallra në vlerë 642.6 milionë euro, brenda viteve 2020-2022, ndërsa ka importuar nga Serbia në Kosovë për të njëjtën periudhë, mallra në vlerë 767.7 milionë euro. Nga shteti serb janë importuar 125.1 milionë euro më shumë mallra për këtë periudhë, sesa nga shteti amë, Shqipëria. Importet nga Serbia në vitin që lamë pas janë rritur rreth 21.7% apo mbi 66 milionë euro.

Gjatë vitit 2022, Kosova ka importuar mallra në vlerë 371.6 milionë euro nga Serbia. Në vitin 2021, Kosova kishte importuar nga Serbia mallra në vlerë 305.4 milionë euro. Në vitin para pandemisë (2018) Kosova kishte importuar nga Serbia mallra në vlerë prej 386.4 milionë eurosh.

Gjatë viteve të pandemisë dhe Taksës 100% (2019 dhe 2020) Kosova kishte nivelet më të ulëta historike të importeve nga Serbia. Një vit më pas, importet shkuan në 173.4 milionë euro, kurse në vitin 2021, Kosova importoi nga Serbia mallra në vlerë 305.4 milionë euro/Monitor