MENU
klinika

"Kush vjen të vishet trashë"

U thirr për 21 janarin, Artan Hoxha batuta nga dera e Drejtorisë së Policisë: Jam me pallto leshi se do rri gjatë

23.01.2023 - 20:37

Gazetari Artan Hoxha ka bërë batuta me kolegët e tij, nga dera e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë ku është paraqitur për tu marrë në pyetje në lidhje me përgjimet e 21 janarit. Para mikrofonëve, Hoxha tha se ka ndjekur këshillën e avokatit Maks Haxhia dhe është veshur trashë e është përgatitur që të qëndrojë gjatë në zyrat e drejtorisë. Më pas bëri të largohej për tu futur brenda.

Pjesë nga fjala e Hoxhës:

Unë i jam përgjigjur thirrjes së Prokurorisë, mesa pashë në komunikimin e bërë public, detyra i është lënë policisë së kryeqytetit. Duke ndjekur moton e avokatit Maks Haxhia që ka thënë se kush do të vijë këtu në kohë dimri duhet të vishet trashë, siç e shikoni, unë jam veshur me pallto leshi, me triko leshi. Kështu që kam ndërmend të rri gjatë. Falemindeirt, shihemi më pas.

12 vite pas tragjedisë, Hoxha publikoi bisedën e zhvilluar mes Ndrea Prendit, komandanti i atëhershëm i Gardës së Republikës, me vartësit e tij, të cilët qëlluan drejt protestuesve në 21 janar para kryeministrisë. Ai zbardhi audio-përgjimet që sipas tij tregojnë se vrasjet u bënë me urdhër, pasi në bisedë dëgjohet qartë porosia e Prendit për vartësit më 21 janar.

Çfarë ndodhi më 21 janar 2011?

Më 21 janar 2011, në një protestë të organizuar nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë, u vranë nga Garda e Republikës 4 protestuesit Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda dhe Aleks Nika. Kryeministri i kohës, Sali Berisha deklaroi se opozita kishte përgatitur një “grusht shteti” për të rrëzuar qeverinë, ndërsa opozita akuzoi qeverinë se vrau 4 qytetarë të pafajshëm. Në hetimin që u bë për vrasjen e protestuesve, të pandehur u morën Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg.