MENU
klinika

“Është zyrtare, jo personale”

Yuri Kim komenton marrëdhënien me Ramën; flet dhe për mbarimin e mandatit

19.01.2023 - 23:24

“Marrëdhënia midis dy qeverive është shumë e fortë dhe pjesë e asaj marrëdhënieje është një marrëdhënie midis kreut të qeverisë dhe ambasadores amerikane. Dhe, përsëris, dua t’iu kërkoj njerëzve t’i largohen të vështruarit të këtyre marrëdhënieve si personale.”

Kështu u shpreh diplomatja amerikane Yuri Kim, kur u pyet në emisionin “Real Story” për marrëdhënien e saj me kryeministrin Edi Rama. Ajo u kujdes të theksonte se marrëdhëniet janë zyrtare dhe jo personale.

“Nuk janë marrëdhënie personale. Janë marrëdhënie zyrtare. Dhe ajo që mund t’ju them është se kur kryeministri dhe unë diskutojmë një çështje që është me rëndësi për Shtetet e Bashkuara dhe Shqipërinë, i realizojmë gjërat”, u shpreh Kim.

Ambasadorja e SHBA në Tiranë tha se më datë 22 janar 2023 bën tre vite nga emërimi si diplomate në Shqipëri. E pyetur se kur do të largohet nga Shqipëria, Yuri Kim tha se është përfaqësuese e presidentit amerikan dhe gjithçka varet nga vendimi i tij.

“Do doja ta dija. Shiko, normalisht nëse sheh mandatin e ambasadorëve të ndryshëm amerikanë që kanë qenë këtu, zakonisht jemi këtu për rreth tri vjet. Por në fund varet nga vendimi i Presidentit sepse një ambasador është përfaqësues personal i Presidentit Amerikan.

Dhe, varet edhe nga Senati ynë që duhet të konfirmojë atë që emërohet. Kështu që s’kam mënyrë për ta parashikuar. Gjithçka mund të them është se jam këtu për të bërë një detyrë në emër të vendit tim dhe do të vazhdoj ta bëj deri ditën e fundit. Dhe nuk e di se kur është ajo ditë e fundit.”