MENU
klinika

Dy bashkitë e tjera ku pritet të aplikohet

Zgjedhjet e 14 majit, votimi elektronik jo vetëm në Vorë!

31.01.2023 - 10:35

Një fond prej rreth 2.5 miliardë lekësh të rinj i ka kaluar qeveria KQZ-së përmes një VKM për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, ku ‘pjesën e luanit’ e zënë përgatitjet për votimin elektronik.

Nuk do jetë vetëm Vora zonë e votimit elektronik për garën elektorale të 14 majit. Në Fletoren Zyrtare shihet i zbardhur vendimi i qeverisë, me kërkesë të Ministrisë së Financave për alokimin e një fondit prej 1.9 mld lekësh për financimin e votimit elektronik sipas kërkesës së bërë nga KQZ dhe 600 milionë për shpenzime të tjera.

Burime për gazetën “Panorama” kanë bërë të ditur se tashmë KQZ do të shqyrtojë se cilat bashki, veç Vorës që është aktualisht, do të bëhen pjesë e votimit elektronik, ndërkohë që Elbasani dhe Kamza po shqyrtohen.

Ilirjan Celibashi, gjatë një deklarate për mediat pak ditë më parë, tha se kërkohet të caktohet një bashki e madhe për të parë dhe se si mund të shtrihet më mirë ky proces dhe në bashkitë me numër të madh votuesish.

“Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në buxhetin e miratuar për vitin 2023, për organizimin e zgjedhjeve për organet e vetëqeverisjes vendore, të datës 14 maj 2023, i shtohet fondi prej: a) 1 993 610 933 (një miliard e nëntëqind e nëntëdhjetë e tre milionë e gjashtëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e tridhjetë e tre) lekësh, në zërin ‘Shpenzime korrente’, të programit buxhetor 01620 ‘Zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale’; b) 606 389 067 (gjashtëqind e gjashtë milionë e treqind e tetëdhjetë e nëntë mijë e gjashtëdhjetë e shtatë) lekësh, në zërin ‘Shpenzime kapitale’, të programit buxhetor 01620 ‘Zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale’”, thuhet në VKM, e cila është botuar në Fletoren Zyrtare. Efekti financiar do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për përballimin e kostos së zgjedhjeve me shifrën 1. 8 miliardë lekësh, ndërsa pjesa tjetër nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për raste të paparashikuara të njësive të qeverisjes së përgjithshme. Dy javë më parë ishte kryekomisioneri Celibashi, i cili tha se votimi elektronik deri më tani ishte parashikuar të realizohet vetëm në bashkinë e Vorës, edhe pse pritshmëritë e tij Celibashi ishin për t’u shtrirë në 6 bashki. “Koha e pamjaftueshme. Shpresojmë të shtojmë të paktën 1 apo 2 bashki, një të madhe me 400 njësi votimi”, pati thënë kreu i KQZ.

Kujtojmë se në 2020-n, partitë politike në vend vendosën të përfshinin teknologjinë në zgjedhje, duke ia lënë në dorë KQZsë vendimin për shtrirjen e saj. Por pas dy procesesh zgjedhore, KQZ-së iu mohuan fondet që kërkoi për garantimin e votimit dhe numërimit elektronik në 6 bashki të mëdha, duke pamundësuar edhe përmbushjen e nenit 22 të Kodit Zgjedhor. Për ekspertët, edhe pse votimi elektronik u pilotua suksesshëm, problemet elektorale në Shqipëri mbeten peng i vullnetit politik dhe mund të zgjidhen vetëm nga një reformë e thellë.

Më 14 maj 2023, Shqipëria do të organizojë përsëri zgjedhje lokale, këtë herë në të gjithë bashkitë e vendit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i paraqiti qeverisë planin për shtrirjen e votimit dhe numërimit elektronik në 6 bashki nga 61 që ka në total.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Përfundon numërimi në Shkodër

Bardh Spahia rikonfirmohet garues në zgjedhje