Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u ka bërë thirrje tatimpaguesve se do të vihen nën hetim nëse bëjnë ndryshime me ulje të deklaratës së pagave në mënyrë që të shmangin pagesën e kontributeve shoqërore.
Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve thotë se do të ndiqen penalisht edhe ata tatimpagues që anulojnë faturat e deklaruara të shitjes, pa u reflektuar këto anulime në Librat e Blerjes së klientëve të tyre.
Përmes një njoftimi, Administrata Tatimore njofton se po investigon nëse të përfshirë janë edhe punonjës të strukturave të saj.
“Administrata Tatimore njofton të gjithë Tatimpaguesit se ka konstatuar 2 fenomene me risk të lartë: Tatimpagues, që bëjnë ndryshime me ulje të deklaratës së listëpagesës, me qëllim shmangien e pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për punëmarrësit. Tatimpagues, që anulojnë faturat e deklaruara të shitjes, pa u reflektuar këto anullime në Librat e Blerjes së klientëve të tyre.
“I bëjmë me dije të gjithë tatimpaguesit se këto ndryshime të pajustifikuara të deklaratave, kryesisht ndryshimi i deklaratës së listpagesës, cënojnë drejtpërdrejt jo vetëm Administratën Tatimore, por edhe Pensionin dhe Shërbimet Mjekësore të punëmarrësit dhe në bazë të ligjit konsiderohet vepër penale”, sqaron Administrata Tatimore. Administrata Tatimore thekson gjithashtu se po investigon nëse të përfshirë në këto fenomene janë edhe punonjës të strukturave të saj, ndërsa sjell në vëmendje të tyre dhe të çdo tatimpaguesi që fenomenet e sipërcituara do të trajtojhen sipas ligjit “Për Procedurat Tatimore”, thuhet në njoftim.