MENU
klinika

Blegtoria në rënie të vazhdueshme në Shqipëri

Braktisja e fshatit çojnë në tkurrjen e numrit të krerëve

19.02.2023 - 10:25

Sektori i blegtorisë, dega kryesore e bujqësisë shqiptare, ka vijuar rënien edhe vitin e kaluar, si në krerë, edhe në prodhim. Qarqet e Beratit, Durrësit, Elbasanit dhe Lezhës kanë pasur reduktimin më të fortë. Teksa konsumatorët po përballen me çmime të larta të bulmetit, blegtorët po tkurrin numrin e krerëve prej kostove të larta. Braktisja e fshatit nga njerëzit po ul numrin e fermave të vogla, ndërsa fermat e mëdha me shumë krerë po vuajnë problemet në zinxhirin e ushqimit. Numri i krerëve është përgjysmuar në dy dekada, teksa vitet e fundit tkurrja po bëhet më e shpejtë. Subvencionet nuk po e nxjerrin sektorin nga rënia. Plani i Ministrisë së Bujqësisë për rimëkëmbjen.

Gerta Loku është e njohur në publik për faktin se përfundoi studimet në La Sapienza (Itali) dhe bashkë me bashkëshortin vendosën të ndërtojnë jetën në një fshat të vogël të Mirditës, duke mbarështuar dhi.

Gerta, e cila synoi të krijonte një model të agroturizmit si në Toskana, për të përqafuar një stil jetese të qetë në natyrë, tani pas kaq vitesh përpjekje nuk i këshillon të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. Të nxjerrësh jetesën duke rritur bagëti në Shqipëri është një punë me shumë sakrifica, të cilat nuk mund të shpërblehen.

Gerta ka një fermë me rreth 200 krerë dhi të rracës së vendit. Për të shkurtuar kostot, bashkëshorti i saj mbaroi studimet e larta për veterinari dhe njëkohësisht bën edhe çobanin. Gerta kujdeset për fëmijët dhe përpunimin e bulmetit.

Fitimet nga ferma janë të pakta, pasi ajo mbarështon dhi të vendit, që kullosin gati gjithë vitin në mal, por prodhojnë pak qumësht. “Djathi i dhisë së vendit që kullot në natyrë 365 ditë nuk mund të shitet me të njëjtin çmim me bulmetin e dhisë së stallës.

Për më tepër, dhitë e vendit japin pak qumësht dhe vetëm në pesë muaj në vit. Cilësia e djathit të tyre është shumë e lartë, por kostot për prodhimin e tij gjithashtu”, – tha Gerta, e cila pas kaq vitesh është në përpjekje për zhvilluar ëndrrat e saj të hershme.

Pavarësisht se është një biznes i vështirë, ajo ka vendosur me bashkëshortin, që me përpjekje e sakrifica të vazhdojnë me mbarështimin e dhive dhe mbase më vonë të zhvillojnë edhe agroturizmin me ushqim autentik, i cili duket si një mision i pamundur.

Çmimi i djathit të saj është së paku tre-katër herë më i lirë se sa duhet të jetë, por në Shqipëri mungojnë certifikimet dhe markat që të diferencojnë prodhimet organike nga prodhimi intensiv në çmimet finale.

Ashtu si edhe Gerta, fermerë që merren me blegtori në të gjithë vendin po heqin dorë. “Monitor” ka një listë blegtorësh të cilët japin pritshmërinë dhe raportojnë për klimën e biznesit në blegtori në mënyrë periodikë. Gati gjysma e blegtorëve, që Monitor kontaktoi vitin e kaluar i kishin shitur bagëtitë.

Roberti është një blegtor nga Semani, i cili mbarështon rreth 350 dele, ka 13 lopë dhe disa koshere. Ai thotë se puna në blegtori po vështirësohet. Roberti ka përfituar edhe nga masat e subvencionit të qeverisë, por këtë vit tha se ka vështirësi në gjetjen e bazës ushqimore.

Tokat që më parë i shfrytëzonte për ushqime, tani i ka marrë një investitor tjetër me qira nga Ministria e Bujqësisë. Ndërkohë çmimet e qumështit, ndonëse janë në rritje, nuk i justifikojnë kostot.

“Aktualisht një kilogram qumësht lope e shes me 65 lekë kurse atë të deles me 110 lekë, por që të mbuloj kostot, duhet të shes me 100 lekë një kilogram qumështi lope dhe 200 lekë qumësht dele”, – tha Roberti.

Rënia më e fortë e krerëve në Berat, Durrës dhe Elbasan

Në vitin 2021, në shkallë vendi, sektori i blegtorisë pësoi tkurrje vjetore me mbi 7% në numër krerësh, por në gjysmën e qarqeve të vendit, rënia ishte dyshifrore.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, tkurrja më e lartë ndodhi në Qarkun e Beratit ku në një vit, numri i krerëve në blegtori u tkurr me 22.7% duke shkuar gjithsej në 15,6 mijë krerë nga 20,1 mijë krerë në vitin 2020. Të dhënat nga Ministria e Bujqësisë referuan se rënia ka vijuar edhe më 2022.

Në Berat kishte ferma të nivelit të mesëm mbi 50 krerë. Gjithashtu, Berati vitet e fundit është qarku me tkurrjen më të lartë të popullsisë, gjë që ka ndikuar në rënien e numrit të bagëtive. Pas Beratit, Durrësi ishte qarku me tkurrjen vjetore më të lartë me rreth 17%.

Një pjesë e popullsisë në zonat rurale të qarkut u zhvendosën për shkak të tërmetit, duke çuar në reduktim të lartë të bagëtive. Më tej, qarqet e Elbasanit dhe Lezhës kishte reduktimin më të lartë të krerëve, përkatësisht me 16% secili.

INSTAT raportoi se në vitin 2021, vetëm Qarku i Kukësit kishte rritje me 2.5% të numrit të krerëve, edhe pse të dhënat nga qarku pohojnë për reduktim masiv të gjedhit në dy vitet e fundit.

Bujqësia kontribuoi me 20% në PBB, por mori vetëm 0,7% të financimeve buxhetore më 2021

Bujqësia është sektori më i madh në ekonomi që kontribuon me rreth 20% të PBB-së së vendit, por në vitin 2021 mori nga buxheti i shtetit vetëm 0.7% të PBB-së. Në vitin 2021, Prodhimi i Brendshëm Bruto arriti vlerën mbi 1.7 trilionë lekë, ndërsa në të njëjtit vit, buxheti i Ministrisë së Bujqësisë ishte 12,9 miliardë lekë, ose rreth 0.7% e PBB-së.

Nga totali i buxhetit për bujqësinë në vitin 2021, vetëm 1 miliard lekë ishin subvencione, ose rreth 8% e fondeve totale. Studimet kanë treguar se financimi i bujqësisë ka ndikim më shpejtë në ekonomi në raport me investimet e tjera kapitale.

Ndërkohë që investimet në rrugë zgjasin me dekada dhe kthyeshmëria e investimit zgjat me vite, investimet në bujqësi përkthehen në prodhim brenda vitit.

Organizata Botërore e Ushqimit, në një analizë të vitit të kaluar që i bëri Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në vendin tonë, rekomandoi se mbështetja financiare është shumë e ulët për të çuar sektorin në trajektoren e zhvillimit të qëndrueshëm. FAO vlerësoi se masa e subvencioneve duhet të arrijë në 10% të Vlerës së Shtuar Bruto nga më pak se 1% që jep qeveria shqiptare aktualisht.

FAO këshilloi që politikëbërësit të kombinojnë mbështetjen financiare me informacionin dhe zhvillimin e kapaciteteve. Skemat mbështetëse duhet të hartohen bazuar në një program afatmesëm për të paktën tre deri në pesë vjet.

Numri dhe lloji i masave duhet të jenë të qëndrueshme brenda kësaj periudhe, në mënyrë që të mos dëmtohet parashikueshmëria e biznesit të fermerëve, këshillon FAO. Organizata Botërore e Ushqimit renditi shqetësimet kryesore të fermerëve në nënsektorët kryesorë të bujqësisë.

Sa u përket nevojave për fermerët e qumështit, dy më të rëndësishmet janë prodhimi i ushqimit në ferma dhe kostot e ndërtimit të stallave. “Mbështetja buxhetore duhet të rritet me 4-5 herë në periudhën afatmesme, sugjeron FAO, për të plotësuar një nga kriteret e BE-së për integrimin.

Këshillohet që subvencioni të mund të fokusohet në sektorë që luajnë rol kyç në përmirësimin e jetesës rurale. Në këtë drejtim rekomandohet të çohet 40% e subvencioneve dhe pjesa tjetër në mbështetje të prodhimit që ka elasticitet në zinxhirin e vlerës”.

Braktisja e fshatit nga njerëzit tkurr blegtorinë

Fragmentimi i tokës, kostot e larta të ushqimit, por më kryesorja, braktisja e fshatit po ulin me shpejtësi numrin e bagëtive në vend. Në vitin 2021, numri i kafshëve të gjalla shënoi rënie me 7%, ndërsa në raport me vitin 2004, numri i tyre u përgjysmua.

Në vitin 2022, rënia ka vijuar edhe më tej. Tkurrja po ndodh në fermat e vogla familjare me 2-5 krerë. Braktisja e fshatit dhe plakja e popullsisë po tkurr me shpejtësi fermat e vogla.

Burimet zyrtare në Ministrisë e Bujqësisë pohuan se sektori i blegtorisë po shkon drejt konsolidimit nga ferma të vogla dhe të mesme në ato të mëdhatë. Ekspertët në qarqet e vendit pohojnë se, numri i bagëtive ka pësuar tkurrje më të madhe se në shifrat zyrtare.

P.sh. në zonën e Maqellarës, deri para pesë vitesh, kishte mbi 350 krerë gjedh, tani nuk janë as 50, tha Lahim Kosiqi, i cili më herët ka qenë i angazhuar me politikat blegtorale në qark.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Bujqësisë, numri i fermave që mbarështojnë më shumë se 5 lopë është reduktuar nga 4,250 (në vitin 2015) në më pak se 2800 në vitin 2020, duke konfirmuar vështirësitë e fermerëve me rritjen e kostove të inputeve dhe ushqimit, koston e lartë të punimit të tokës dhe çmimin e ulët të qumështit.

Në zonat rurale të vendit, popullsia po plaket me shpejtësi, dhe banorët aktualë janë duke i shitur bagëtitë, pasi nuk kujdesen dot për to. Nga ana tjetër, vendi po përballet me kërkesë në rritje për prodhime vendase, si në mish dhe bulmet nga zhvillimet pozitive në turizëm.

Fermerët lajmërojnë se reduktimi i numrit të krerëve ka qenë i lartë edhe në vitin 2022, për shkak se kostot e larta të ushqimit e shtynë më tej mungesën e aftësisë për të mbajtur kafshët.

Kostot e larta të ushqimit dhe çmimet ulëta të qumështit, një tjetër faktor

Kostot e ushqimit janë rritur mbi 50% pas luftës në Ukrainë. Shumë ferma, sidomos ato të mëdha, e importojnë bazën ushqimore nga jashtë vendit.

Pas pandemisë Covid-19, e cila shtrembëroi zinxhirët e furnizimit, kostot e ushqimit dhe transportit u shtuan ndjeshëm, duke e rritur koston ditore për një lopë qumështi në 1700 lekë, sipas përllogaritjeve që dha Ervin Resuli, i cili zotëron një fermë në Fier. Më të rrezikuarat nga falimenti duket se janë fermat e vogla dhe të mesme, me nga 3 deri në 50 krerë.

Kjo kategori e fermave, sipas z. Resuli, përballet me kosto të larta. Por ndërkohë hapësirat e tokës në zonat më prodhuese të vendit po merren me qira nga investitorë të rinj, gjë që po e tkurr gjithnjë e më shumë sipërfaqen në dispozicion të kafshëve.

Roberti nga Semani tha se, reduktimi i tokës në dispozicion të blegtorisë ia ka vështirësuar situatën. Fitimet e fermave janë cenuar pasi çmimi i shitjes me shumicë të qumështit është rritur më pak se kostot.

Ervin Resuli, ekspert i sektorit të blegtorisë, i cili gjithashtu mbarështon një fermë me gjedh tha se, kostot për krerë janë rritur rreth 50%, ndërsa çmimet nuk janë transferuar te shitja e qumështit. Ndërkohë qumështi me shumicë është rreth 66 lekë për kilogram.

Një lopë race e përmirësuar në fermat e specializuara prodhon rreth 25 litra qumësht në ditë, duke siguruar të ardhura ditore jo më shumë se 1650 lekë. Fermerët pohojnë se të ardhurat nga qumështi i një lope race nuk i mbulojnë shpenzimet e ushqimit të saj.

Vetëm për të justifikuar koston e ushqimit, një lopë duhet të prodhojë së paku 28-30 litra qumësht në ditë, por ndërkohë bizneset e fermave përballen me kosto të tjera të fuqisë punëtore, transportit etj. Fermat e vogla kanë fitime edhe më të ulëta nga qumështi me 50-60 lekë.

Mbiinvestimet në fabrikat e përpunimit të qumështit ndër vite po rrisin çmimin e bulmetit në mënyrë të panevojshme. P.sh. fabrikat e mëdha të qumështit shpesh vihen në punë me 20% të kapacitetit investues, nga mungesa e lëndës së parë. Kostot e fabrikës janë të njëjta sikur prodhimi të jetë 5-fish më i lartë.

Këto kosto po transferohen në çmime, rritja e të cilit nuk ka një ndarje të drejtë për fermerët. Teksa çmimet e bulmetit janë dyfishuar për disa produkte si gjalpi dhe djathi, çmimi me të cilin shiten qumështin blegtorët e vegjël u rrit vetëm 10-15% vitin e kaluar.

Blegtorët pohojnë se me kostot aktuale, ata duhet të shesin një litër qumësht me 100 lekë. Por rritja në këto nivele e bën qumështin e blegtorëve shqiptarë jokonkurrues, pasi disa fabrika furnizohen edhe sot me qumësht serb me çmimin 30-40 cent për litër, pasi shtetet e tjera të rajonit dhe Europës japin subvencione më të larta për sektorin.

Ministria e Bujqësisë ka një plan për zhvillimin fermave të vogla nëpërmjet kanalizimit të subvencioneve nga buxheti i brendshëm.

Synohet që të financohen ferma të vogla me të gjithë zinxhirin, si ndërtimi i staneve dhe baxhove. Më pas, certifikimi si prodhime organike do të hapë rrugën e shitjes dhe eksportit të tyre me vlerë të lartë dhe njëkohësisht do të shërbejë për nxitjen e turizmit. Plani është i mirë, por ndërkohë fondet për mbështetjen e tij janë të pakta.

Punonjësit, blegtoria po konkurrohet nga ndërtimi dhe industria

Problematikat në tregun e punës po ndikojnë negativisht në bujqësi. Shumë fermerë, që janë afër zonave urbane, të cilët kishin ferma të vogla me 2-3 krerë lopa apo të imta, i kanë shitur kafshët dhe kanë gjetur punë në qytet.

“Me punën në ndërtim marr 60 mijë lekë në muaj. Me qumështin e tre lopëve, as ushqimin e tyre nuk siguroja”, tha Ismaili, i cili gjithë jetën është marrë me blegtori dhe banon në fshatrat e Dajtit. Më parë, ai e shiste qumështin në disa familje në Tiranë, por tani më mirë punon në ndërtim, në një kompani që i ka siguruar edhe transportin.

Zgjerimi me ritme të shpejta i sektorit të ndërtimit dhe industrisë vitet e fundit, e kombinuar me emigracionin e lartë jashtë vendit, e ka nxitur më tej braktisjen e fshatit. Në shumicën e fshatrave të vendit, tani jetojnë mosha të thyera mbi 60 vjeç. Në vitin 2020, Shqipëria kishte popullsi totale prej 2,845,955 banorësh, nga të cilët 1,429,088 janë gra, ndërsa popullsia rurale në të njëjtin vit nuk përllogaritet më shumë 964,791 banorë.

Përqindja e popullsisë rurale ka rënë vazhdimisht nga 42,57% në vitin 2015 në 38,89% në vitin 2020, e shkaktuar nga migrimi jashtë dhe përgjithësisht nivelet më të ulëta të lindjeve. Emigrantët tërhiqen kryesisht nga zonat urbane, pasi shkalla e urbanizimit është në rritje, pavarësisht nga një rënie e përgjithshme e popullsisë.

Sipas parashikimeve, popullsia shqiptare do të ulet më tej në vitin 2031 krahasuar me vitin 2020 dhe tkurrja do të jetë më e thellë në zonat rurale, duke zgjeruar hendekun e madh social-ekonomik midis zonave urbane dhe rurale, pa kundërmasa.

Cilësia e jetës në fshat është më e ulët dhe njerëzit që jetojnë në këto zona janë më afër pragut të varfërisë. Mungesa dhe cilësia e dobët e infrastrukturës rurale dhe shërbimeve bazë janë ende dukshëm më të ulëta në zonat rurale, dhe veçanërisht në zonat e thella dhe malore.

Vazhdimisht ka furnizim të paqëndrueshëm me energji elektrike, sisteme të pasigurta të ujërave të zeza dhe kanalizimeve, nuk kryhet grumbullimi i mbetjeve, rrjeti rrugor rajonal dhe rural ose konektiviteti dixhital janë shumë dobët.

Si rrjedhojë e këtij hendeku, popullsia në fshat do të vijë në rënie edhe në vitet në vijim dhe do të sjellë rënie drastike edhe në numrin e fermave blegtorale të vogla dhe të mesme.

Blegtoria nuk është një punë me sezon, ndryshe nga bizneset e fermave në fushë dhe në serra. Bagëtitë janë fabrika konsumi të ushqimit në çdo sekondë, pa pushim, por prodhimi nuk është i njëjtë.

Plani i qeverisë për nxitjen e blegtorisë, nga fermat e vogla te të mëdhatë

Sektori i blegtorisë në Shqipëri nuk ka nevojë vetëm për para, por edhe për edukim, orientim. Për ta çuar në shinat e zhvillimit të qëndrueshëm duhet të bashkëpunojnë ngushtë universitetet, pushteti lokal, Ministria e Bujqësisë dhe fermerët, thanë burimet zyrtare në Ministrinë e Bujqësisë.

Ministria e Bujqësisë ka një plan të gjerë zhvillimi që synon të nxisë infrastrukturën në fshat, duke stimuluar fermat e vogla që nga profesioni i çobanit, veterineri, ndërtimi i staneve dhe baxhove të vogla. Ky lloj zhvillimi, i cili do të mbështetet nga fondet e brendshme, synon të nxisë fermat e vogla me 10 krerë lopë, thanë burimet zyrtare nga dikasteri i bujqësisë.

Sipas tyre, sektori i blegtorisë po konsolidohet, pasi fermat e vogla po tkurren dhe po rriten fermat e mëdha të kafshëve me 50 deri në 300 krerë.

Për fermerët e mëdhenj, Ministria e Bujqësisë po mbështet ata me fondet e Bashkimit Europian nga skema IPARD, me të cilat synohen që të mëdhenjtë të mbështeten me qëllim që të jenë faktor në treg.

Me skemat e IPARD synohet që fermat e mëdha blegtorale të arrijnë standardet e BE-së në konkurrueshmëri. Gjithashtu lejet për ndërtimin e stallave nuk do të lëshohen më nga pushteti lokal, por nga Ministria e Bujqësisë, pasi numërohen shumë raste kur pushteti vendor ka penguar investimet në stallat e kafshëve.

Zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë pohuan se një pjesë e blegtorëve që kishin një numër të imtash e kanë braktisur fshatin. Këta kanë shkuar në qytet në agropërpunim apo një pjesë në ndërtim, por ka edhe nga ata që rikthehen te blegtoria. Politikat e qeverisë po synojnë kushtet që njerëzit të kthehen në fshat, duke i mbështetur me infrastrukturën në vendin ku jetojnë dhe me hapjen e baxhove.

Kjo do të shërbejë edhe për angazhimin e grave. Statistikat tregojnë se, 95% e nevojave vendase për qumësht plotësohen nga prodhimi vendas dhe vetëm 5% nga importi. Kjo ka mbetur e pandryshuar në vite, thanë zyrtarët e bujqësisë.

Megjithëse numri i krerëve ka rënë ndjeshëm, nuk ka ndodhur e njëjta gjë me qumështin, pasi ka përmirësim racor dhe rritje të standardeve. Me hyrjen në fuqi të reformës veterinare ka mbështetje me shërbimet që kryen veterineri i komunitetit, po ashtu gjurmimi dhe vaksinimi janë falas.

Për të nxitur bashkëpunimin me fermerët, Ministria e Bujqësisë është duke koordinuar ngritjen e dhomave të fermerëve, në mënyrë që ata të jenë të përfaqësuar në hartimin e politikave për zhvillimin e sektorit./Monitor