Dy vëllezër shqiptarë, të cilët organizuan një protestë në të cilën statuja e Winston Churchill u mbulua me flamurin shqiptar, gënjyen për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar, ka zbuluar ‘DailyMail’. Në nëntor, Taulant dhe Enkeleid Omi drejtuan një demonstratë në Westminster, në të cilën 1500 bashkatdhetarë të tyre deklaruan se nuk ishin kriminelë, pasi sekretarja e Brendshme Suella Braverman tha se Britania u përball me një ‘pushtim’ të emigrantëve të paligjshëm.
Media britanike ka zbuluar se vëllezërit që më parë ishin dënuar për trafik njerëzish, gënjyen për të përfituar azil për të hyrë në Britani. Home Office zbuloi se ata përdorën identitete të rreme dhe pretentuan se po iknin nga lufta e vitit 1998 në Kosovë, dhe jo se vinin nga Shqipëria paqësore.
Në një letër dërguar Taulantit muajin e kaluar, ekipi i Home Office kundër mashtrimit tha se ishte marrë në konsideratë heqja e shtetësisë së tij, por e refuzoi atë pasi “nuk është në linjë me politikën tonë”.
Aty thuhej: ‘Sekretari i Shtetit po konsideronte t’ju hiqte shtetësinë britanike me arsyetimin se ajo ishte marrë si rezultat i mashtrimit’.
Letra vazhdoi duke i ofruar Taulantit një amnisti për të korrigjuar të dhënat e tij duke përdorur emrin e tij të vërtetë.
“Por si kundërpërgjigje, ai u tall me qeverinë, duke u mburrur në rrjetet sociale se ka marrë ‘bileta falas’ për në Mbretërinë e Bashkuar dhe Ministria e Brendshme ‘më ka bërë një nder’.
Në maj 2013, vëllezërit dhe një bashkëpunëtor tjetër u kapën nga oficerët e Forcave Kufitare në përpjekje për të kontrabanduar dikë në Mbretërinë e Bashkuar ilegalisht. Ata u shpallën fajtorë në Gjykatën e Kurorës së Canterbury në shtator 2015 dhe u dënuan të dy me 12 muaj burg dhe u urdhëruan të kryenin 200 orë shërbim në komunitet.
Taulanti nuk pranoi të komentonte mbrëmë. Një zëdhënës i Home Office tha: “Prioriteti ynë më i madh është mbrojtja dhe siguria e MB. Të gjitha rastet vlerësohen individualisht dhe heqja e shtetësisë përdoret në mënyrë proporcionale”.