MENU
klinika

"Investoi 25 miliardë euro"

Edi Rama për gazetën italiane: Putin u përpoq të ndryshonte qeverinë në Kiev, para se të niste lufta!

23.02.2023 - 20:22

“Përpara se të fillonte luftën kundër Ukrainës, Putini ishte përpjekur të ndryshonte regjimin në Kiev, i cili dështoi për shkak të rezistencës dhe mos korruptueshmërisë së Ukrainës”, kështu është shprehur kryeministri Edi Rama, në një intervistë për gazetën italiane në internet “The Post Internazionale”.

“Kam folur, në prag të pushtimit, me një nga qeveritarët e një vendi kufitar të Ukrainës, emrin e të cilit padyshim nuk mund ta përmend. Dhe ky person më kishte thënë fjalë për fjalë, bazuar në burime të drejtpërdrejta: ‘A e dini se Putini ka investuar 25 miliardë euro për të përgatitur terrenin për ndryshimin e regjimit?’ Paratë e shpenzuara për të vajosur makinën e konsensusit, partitë, oligarkët. Një operacion i inteligjencës ekonomike. Edhe sot mendoj për saktësinë e atij besimi”, shton Rama.

Kryeministri shqiptar është shprehur se qeveria e Kievit do të qëndronte në këmbë, pasi ai i njihte ukrainasit.

“Unë thashë: mund të jenë 25 ose 100 miliardë, asgjë nuk do të ndryshojë, sepse e di mirë se si janë ukrainasit. Ishte e qartë se kjo ishte një shumë e madhe. Por ishte evidente se Putini i nënvlerësonte kundërshtarët e tij dhe se nuk kuptonte asgjë nga psikologjia e njerëzve që kishte vendosur të pushtonte”, është shprehur Edi Rama.

“Në thelb – vijon Rama – isha i bindur, shumë përpara se të shpërthente lufta, se ukrainasit nuk do ta linin veten të bliheshin dhe se nuk do të kishte ndryshim regjimi që do t’i lejonte Moskës të instalonte një qeveri miqësore. Ky gabim i rëndë fillestar i mirëkuptimit, siç është evidente, ndikoi jashtëzakonisht shumë në rrjedhën e luftës në muajt në vijim, e deri më sot”.

“Papa Françesku – vazhdoi Rama – ka të drejtë që dënon luftën në emër të mbrojtjes së paqes”, por Ukraina, shpjegoi ai, nuk mund dhe nuk duhet të heqë dorë nga mbrojtja. Ka vend për një zgjidhje pa pritur një Ukrainë të shkatërruar dhe një Rusi në gjunjë. Pa rezistencën e Ukrainës, ekziston një rrezik i madh për të gjithë Evropën që të humbasë sovranitetin e vet “.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Lufta të ndalet, asgjë tjetër nuk ka rëndësi”

Abazoviç: Do ndihmojmë në rindërtimin e Ukrainës