Një vit më parë, më 27 shkurt 2022, tre ditë pasi Rusia pushtoi Ukrainën, kancelari Olaf Scholz mbajti një fjalim nga foltorja e Bundestagut që u perceptua menjëherë dhe me të drejtë si historik.
Duke besuar se “lufta e agresionit” e nisur nga Vladimir Putin po e kthente Evropën në një “epokë të re” (Zeitenwende), udhëheqësi socialdemokrat gjerman deklaroi se Berlini do t’i jepte fund varësisë së tij nga gazi rus, do të mbështeste Ukrainën ushtarakisht dhe do të investonte 100 miliardë euro për të modernizojë ushtrinë e saj.
Nga një vend që atëherë importonte 55% të gazit të tij nga Rusia, më parë kishte refuzuar të furnizonte me armë shtetet ndërluftuese dhe kishte neglizhuar politikën e tij të mbrojtjes për vite, këto ishin njoftime të rëndësishme.
Gjermania po tregonte se ishte gati të linte zonën e saj të rehatisë së gjysmëshekullit të fundit: atë të një gjiganti ekonomik dhe një xhuxhi gjeopolitik.
Një vit më vonë, a janë mbajtur premtimet? Për sa i përket energjisë, sigurisht – dhe kjo ka rëndësi. Që nga shtatori 2022, Gjermania nuk importon më gaz nga Rusia. Dhe vendi nuk ka pësuar asnjë mungesë të energjisë elektrike. Ekonomia e saj po ia del më mirë se sa pritej: pavarësisht inflacionit të lartë, ajo nuk ka përjetuar një valë falimentimesh, papunësi në rritje apo trazira sociale.
Për pjesën tjetër, gjërat nuk janë kaq të qarta. Është e vërtetë që Gjermania është shteti kontinental evropian që jep më shumë ndihmë për Ukrainën, e matur në miliarda euro. Por, në raport me PBB-në e tyre, 15 anëtarë të tjerë të Bashkimit Evropian janë më mirë se Gjermania.
Më shumë se vendosmëria e tij, është hezitimi i Berlinit për të mbështetur Kievin që ka lënë gjurmë, veçanërisht për dërgimin e tankeve të betejës Leopard.
Sa i përket ushtrisë, Bundeswehr-it, deri më tani është ndarë mezi një e dhjeta e fondit special prej 100 miliardë eurosh të shpallur nga Scholz. Nëse kancelari dëshiron t’i japë Gjermanisë “forcën e armatosur më të pajisur në Evropë”, siç pretendon ai, është e domosdoshme të ndërrohet marshi.
Në mesin e janarit, kancelari gjerman dërgoi një mesazh të qartë politik, duke u ndarë me ministren e tij të mbrojtjes, Christine Lambrecht, e konsideruar unanimisht një hallkë e dobët. Pasardhësi i saj, Boris Pistorius, duket se është njeriu për këtë punë. Ai nuk është i kënaqur me fondin prej 100 miliardë eurosh dhe dëshiron të rrisë buxhetin aktual të mbrojtjes prej 50 miliardë eurosh me 10 miliardë në vit.
A do të ketë sukses? Brenda koalicionit qeverisës priten debate të nxehta.
Përtej çështjeve financiare, lindin pyetje të rëndësishme: Deri ku synon Gjermania të riorientojë politikën e saj të jashtme? Çfarë roli aspiron ajo brenda NATO-s, veçanërisht në mbrojtjen e krahut të saj lindor? Cili është vizioni i politikës evropiane të mbrojtjes?
Në këtë pikë të fundit, asgjë nuk mund të bëhet pa një koordinim të përsosur me Francën. Megjithatë muajt e fundit kanë treguar se ka shumë keqkuptime mes Parisit dhe Berlinit.
Scholz do të duhet të japë përgjigje për këto pyetje. Kancelari gjermane tani duhet të përmbushë pritshmëritë që ka ngritur.
Burimi: Le Monde
Përktheu dhe përshtati: Konica.al