MENU
klinika

Profil/ Fisnik Qosja

Fitues i primareve të Partisë Demokratike në Kavajë

23.02.2023 - 12:33

Kandidati fitues i Primareve në Partinë Demokratike, Fisnik Qosja në një intervistë për Gazetën Panorama.al ka paraqitur vizion e tij për garën elektorale të 14 majit, ku ai do të kërkojë votën e qytetarëve për të qeverisur Bashkinë e Kavajës.

Fisnik Qosja e ka quajtur 14 Majin si ditën e ndryshimit, ndërkohë që ka shpallur pikat e forta të programit të tij. Qosja thekson se pas garës së fortë në Primare edhe ata që ishin në garë, i ka në krahun e tij.

“Ndryshimi mund të vijë vetëm me angazhim dhe unë përgjegjësive nuk i kam ikur asnjëherë, edhe kur kam qene fare i ri.

Askush nuk bën dot mrekulli dhe nuk e shndërron gjendjen brenda natës. Unë kam vullnetin për të punuar çdo orë, pa ndërprerje, çdo ditë të jetës time për të zgjidhur problematikat, e për të bërë të mundur që qyteti të ecë përpara me energjinë e vet dhe me mbështetjen e padiskutueshme të Bashkisë dhe zyrës së Kryetarit. Ky pasion më jep forcë dhe dëshirë për të kontribuar në zhvillimin e komunitetit dhe jetës së banorëve të gjithë zonës.

Këto janë vlerat dhe parimet që na bëjnë bashkë dhe mbi të cilat do të dijmë të udhëheqin ndryshimin që të gjithë presin nga ne. Unë do ta fitoj garën për Bashkinë e Kavajës edhe si një shpagim për sakrificat e panumërta të demokratëve”, thekson Fisnik Qosja.

Zoti Qosja, ju jeni fitues i primareve në Bashkinë e Kavajës. Cili është mendimi juaj për këtë proces? A ka ndihmuar ky proces në bashkimin e Partisë Demokratike ashtu siç edhe u premtua në fakt?

Dua të theksoj se përpjekja për standardin e primareve është një kërkesë e hershme dhe e drejtpërdrejtë e të gjithë demokratëve dhe jam i bindur edhe një kërkesë e të gjithë shoqërisë shqiptare. Rëndom politika shqiptare e ka kthyer në zakon imponimin e kandidatëve të pavotuar në garat elektorale, ç’ka ka shkaktuar në thelb dhe zbërjen e lidhjes së natyrshme mes qytetarit dhe përfaqësuesit të tij dhe si pasojë mungesë përgjegjësie, mungesë llogaridhënie, keqqeverisje. Është një proces rikthimi tek themeli, tek vota, tek kontrata me njerëzit.

Në këtë kuptim, procesi i primareve është ndoshta risia më kuptimplotë në 20 vitet e fundit e cila përkon me një fillim të ri të historisë politike të vendit, me një qasje dhe një mendësi të re, ku zëri i qytetarit, zëri i anëtarit qëndron në zemër të vendimmarrjes politike. Demokratët u rigjallëruan nga ky proces dhe kjo u pa dhe në Kavajë, ku krahas aktivizimit masiv të mbështetësve tradicional, përfshirjes së qytetarëve, u vu re rikthimi i shumicës së mbështetësve tanë historik të cilët kishin krijuar një distancë nga Partia Demokratike vitet e fundit.

Pavarësisht garës së fortë në primaret e Kavajës, sot mbështetësit e rivalit tim, janë të gjithë të angazhuar fuqimisht krah meje për fitoren e garës së 14 majit. Në analizë të fundit, fryma e primareve e cila kërkon të vërë individin në themel të aksionit politik, fryma e ndryshimit, e një mendësie të re ka sjellë një entuziazëm dhe shpresë të madhe në terren.

Por a mjafton kaq për të fituar zgjedhjet e 14 majit? Si e shihni situatën në Partinë Demokratike?

Unë mund t’ju them se rrugës tonë drejt fitores i bashkohen çdo ditë e më shumë qytetar të çdo kahu politik. Të rinj e të reja, burra dhe gra, profesionist të çdo sektori, të moshuar, gjyshër dhe gjyshe. Të gjithë kanë shpresë tek ne, të gjithë duan të kontribuojnë për ndryshimin shumëdëshiruar!

Detyra ime por, jam i bindur, dhe e kandidatëve të tjerë gjatë këtyre 12 javëve deri me 14 maj, do jetë para së gjithash t’i japim zë të harruarve, të padëgjuarve, çdo personi, çdo historie, çdo të riu dhe të reje, çdo simpatizanti, çdo ekzistencë në familjen tonë politike në mënyrë që të respektohet, brenda mundësive tona, çdo kontribut. Kjo është e vetmja rrugë për të arritur fitoren.

Thënë këtë, unë jam i bindur se është e drejtë dhe e ndershme që të gjithë duhet të njohim procesin e primareve. Demokratët janë të lodhur me lojërat e pallateve të pushtetit. Demokratët janë në zgrip të mundësive ekonomike. Të gjithë pjesëmarrësit në primare janë demokratë që kanë 10 vite në opozitë. Nuk ja kanë borxh askujt këtë sakrificë. Përkundrazi, detyrimi ndaj tyre duhet të shërbejë për zgjidhjen e çdo situate.

Çfarë përgjegjësie do merrni ju në këtë drejtim? Cilat janë arsyet që keni kandiduar për zgjedhjet Bashkiake të datës 14 maj?

Unë jam lindur dhe rritur në Kavajë. Në Kavajë, Golem, Synej, Helmas dhe Luz të Vogël kam të afërmit dhe miqtë e mi. Këtu kam ndërtuar familjen time dhe këtu po rris dhe djalin tim i cili më frymëzon në çdo hap.

Unë jam një Kavajas, emocionalisht i lidhur me vendin dhe njerëzit. Karakteri im është formëzuar me frymën, me kujtimet, me humoret, pasionet dhe dëshirat që ndajnë njerëzit këtu dhe jam mbështetur gjithnjë në ato vlera që përfaqësojnë boshtin e përkatësisë tonë e që janë dinjiteti, përgjegjësia individuale, familja dhe tradita, morali dhe respekti ndaj tjetrit, si dhe shenjtëria e ligjit dhe shërbimit ndaj interesit publik.

Pikërisht në emër te këtyre parimeve dhe principeve që sot duhet të mbrohen, duke e konsideruar si një përgjegjësi morale si dhe i nxitur nga propozimi i shumë miqve të mi në Kavajë dhe Njësitë Administrative, anëtarëve të Partisë Demokratike, intelektualë të qytetit tonë, profesionistëve të ndryshëm, njerëzve aktiv në biznes dhe në politikën lokale, kryetarë seksionesh dhe grup seksionesh, vendosa të kandidoj në garën për Bashkinë Kavajë.

Ndryshimi mund të vijë vetëm me angazhim dhe unë përgjegjësive nuk i kam ikur asnjëherë, edhe kur kam qene fare i ri. Askush nuk bën dot mrekulli dhe nuk e shndërron gjendjen brenda natës. Unë kam vullnetin për të punuar çdo orë, pa ndërpreje, çdo ditë të jetës time për të zgjidhur problematikat, e për të bërë të mundur që qyteti të ecë përpara me energjinë e vet dhe me mbështetjen e padiskutueshme të Bashkisë dhe zyrës së Kryetarit. Ky pasion më jep forcë dhe dëshirë pët të kontribuar në zhvillimin e komunitetit dhe jetës së banorëve të gjithë zonës.

Keto janë vlerat dhe parimet që na bëjnë bashkë dhe mbi të cilat do të dijmë të udhëheqin ndryshimin që të gjithë presin nga ne. Unë do ta fitoj garën për Bashkinë e Kavajës edhe si një shpagim për sakrificat e panumërta të demokratëve.

Kavaja është njohur më parë si një bastion i Partisë Demokratike. Megjithatë duket se ky mit ka rënë të paktën referur viteve të fundit. A mendoni se ju penalizon ky fakt?

Kavaja ka një specifikë të vetën. Është qyteti i parë që pati guximin të manifestonte në emër të lirisë pas dekadash të gjata të terrorit dhe izolimit komunist në vitin 1990. Një zhvillim me rëndësi kombëtare, i cili përfaqëson një ndër kapitujt më të lavdishëm te qytetit tonë dhe burim krenarie për çdo kavajas, të çdo kahu politik dje dhe sot. Kavajasit përgjithësisht nuk njohin mite. Madje krenaria dhe dinjiteti i tyre mund të them që ushqen të kundërtën, pra zhbërjen e miteve. Ndryshimin.

Kjo është një histori thjesht e mrekullueshme, që ndriçon atë se nga vijmë dhe ku duam të shkojmë dhe që më bën akoma më të vetëdijshëm për përgjegjësinë dhe sfidat e reja.

Besoj kjo specifikë jo vetëm nuk më penalizon, por përkundrazi, më favorizon.

Ju tashmë keni filluar fushatën për Bashkinë Kavajë? Cilat janë problematikat më të theksuara me të cilat haset Bashkia Kavajë, njësitë administrative të saj dhe komuniteti?

Problemet, hallet e shumta të komunitetit kavajas do t’i ulnin kokën çdo zyrtari me minimumin e përgjegjësisë. Keqqeverisja dhe abuzimi me pushtetin janë të përhapura në çdo hallkë duke filluar nga turizmi, infrastruktura, arsimi, uji, pastrimi. Mund të thuhet se në asnjë rast tarifa e kripur që i ngarkohet qytetarëve dhe sipërmarrjeve nuk përkthehet në shërbime.

Megjithatë, problemi më i madh është shkretimi i qytetit dhe njësive, ikja e të rinjve.

Për një Bashki si Kavaja, eksodi që po ndodh, mungesa e të rinjve që nuk mendojnë gjë tjetër por vetëm se si të largohen, do të thotë fatalitet shoqëror, falimentim demografik dhe ekonomik. Të rinjtë largohen sepse nuk ka ekonomi, të rinjtë nuk integrohen në asnjë projekt domethënës, nuk ndihen të realizuar, e ardhmja e tyre nuk është shpresëdhënëse. Emigrimi është drama e të gjitha dramave dhe kërkon një përpjekje të madhe, një përgjigje urgjente. Fasadat e babëzisë, vjedhjes dhe paaftësisë së drejtuesve të Bashkisë së sotme janë një turp që do t’i rrijë gjatë në kurriz. Rilindja vijon me punësimet fiktive të çdo lloj dallkauku e ndërkohë qytetarët braktisin qytetin masivisht. Këta as nuk skuqen e as nuk zverdhen.

Ky është një problem kombëtar në fakt. Çfarë do bëni ju për parandalimin e kësaj hemoragjie e të rinjve dhe familjeve? A i ka mjetet Bashkia Kavajë për t’i bërë ballë këtij fenomeni?

Kavaja është një Bashki me mbi 30 km vijë bregdetare, 20 minuta nga porti më i madh i vendit dhe që pritet të jetë më i madhi i Ballkanit, 30 minuta larg nga aeroporti i Rinasit, 40 minuta nga kryeqyteti. Me mundësi dhe potenciale të pafundme në bujqësi dhe blegtori gjithashtu. Ekzistojnë të gjitha premisat ta bërë atë më të jetueshme. Asnjë njeri nuk dëshiron të largohet nga vendi i tij i lindjes, nga një vend ku ka nënën dhe babain, motrat dhe vëllezërit, miqtë dhe të afermit, nga një vend që Zoti i ka dhuruar plot të mira dhe begati. Rilindja duhet të kuptojë që qytetarët dhe bizneset presin që tarifat e kripura që paguajnë t’i kthehen në shërbime. Ne pikëspëari do merremi me rialokimin e fondeve në funksion të qytetarit, familjes, sipërmarrjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Në krye të Bashkisë, me programin tim dedikuar ndalimit të hemorragjisë migratore, do nisim një fushatë të vërtetë dhe të ndershme për dekurajimin e largimit me implementimin e programin ekonomik, investimet dhe vënien në punë të amortizatorëve social konkret. Kavaja bashkë me të gjitha njësitë administrative do të angazhohen fort që të integroj të rinjtë në jetën ekonomike dhe sociale të vendit. Do marrim angazhim për pagesën e sigurimeve shoqërore për çdo punësim të ri nga sipërmarrjet kavajase. Do të ofrojmë bonuse mujore në vlerën 50 mi lek në muaj për çdo lindje të re në Bashkinë Kavajë në vitin e parë të jetës.

Po studiojmë modalitetet për punësimin në sipërmarrjet kavajasë e të sapodiplomuarve nga Kavaja me formime profesionale në Ekonominë, Turizëm, Inxhinieri etj nëpërmjet pagesën së rrogës totale për vitin e parë të punës. Të gjitha këto do të mbulohen nga buxheti i Bashkisë.

Gjithashtu, do të ngrijmë atë që unë e quaj Fondi e Solidaritetit për Kavajën, i cili do të jetë një fond transparent e që do të drejtohet nga një bord gjithëpërfshirës me pjesëmarrje të Bashkisë, përfaqësuesve të diasporës, grupeve të interesit dhe shoqërisë civile. Fondi do të jetë i hapur për donacionet e sipërmarrësve, qytetarëve, të gjithë kavajasve kudo ku ndodhen, veçanërisht atyre në diasporë, të cilët duan të ndihmojnë qytetin por pengohen nga mungesa e besimit ndaj instucioneve. Fondi do të trajtojë nevojat sociale dhe emergjente të komunitetit, për të cilat fondet e Bashkisë mund të mos jenë të mjaftueshme apo të alokueshme. Të gjitha këto do realizohen brenda 6 mujorshit të parë të qeverisjes.

Në bindjen time, individi dhe dinjiteti tij është interesi më i lart dhe çdo vendimmarrje do mbështetet në këtë parim.

Dakord, por a përfshin çështje të tjera programi juaj. Cilat janë disa nga pikat nëse mund t’i ndani?

Nuk më latë të mbaroja. Programi im do jetë një program i integruar i potencialet natyror me potencialin njerëzor të Bashkisë Kavajë. E them me mburrje se ky do të jetë programi më i mirë i prezantuar në histori për qytetin e Kavajës dhe njësitë Golem, Synej, Luz i Vogël dhe Helmas. Fillimisht këmi studiuar të gjithë situatën e infrastrukturën kryesore dhe lidhëse. Është i gjithë rrjeti i infrastrukturës dytësore, që nuk shkon më shumë se 65 kilomentra, i pashtruar. Një ferr i përditshëm për qytetarët, sipërmarrësit dhe turistët. Puna e parë në krye të bashkisë do të jetë çështja e pastrimit dhe ujërave aq të rëndësishme për industrinë e turizmit.

Asnjë qytetar, turist apo sipërmarrës nuk do të shohë më pamjet e shëmtuar të makinës së pastrimit në mes të ditës, orë e pa orë. Do vejmë në punë impiantin për trajtimin e ujërave i cili sot s’ka as energji elektrike e as një roje dhe është shkaktar kryesor i ndotjes në zonat turistike. Do ngrijmë një strukturë më të fuqishme për gjelbërimin. Do të realizojmë rrugën që lidh Kavajën me vijën bregdetare sipas standardeve më të mira bashkëkohore me emrin “Rrugën e Bregdetitetit”. Do të rehabilitojmë infrastrukturën në kodrat panoramike të mrekullueshme në territorin e Bashkisë. Do të garantojmë vaditjen. Do të incentivojmë pemtarinë dhe blegtorinë. Do të prezantojmë një projekt ambicioz për stadiumin dhe për Besën e Kavajë. Do të riaktivozojmë projektin e kinemasë dhe teatrit të qytetit. Do të angazhohemi për ndërtimin e memories së qytetit. Këto janë vetëm disa nga pikat e programit. Synimi është që tarifat e qytetarëve dhe bizneseve të përkthehen 100% në shërbime për ta.

Sot situata është gati dramatike dhe është turp që e kanë çuar në këtë dehrexhe. Babëzia dhe paaftësia e drejtuesve të sotëm të Bashkisë Kavajë të skuq fytyrën.

Cili është komenti juaj për administrimin e Bashkisë Kavajë këto katër vite të mandatit të kandidatit socialist?
Kavaja lëngon nga keqqeverisja për shkak se drejtuesi aktual nuk ka marr besimin, nuk është legjitimuar me votë, nuk e ndjen peshën dhe përgjegjësinë qe buron vetëm nga votëbesimi. Në këto kushte nuk mund të ketë asgjë të mirë për komunitetin tonë. Kavaja është Bashkia më e falimentuar në vend. Ka investimet dhe donacionet më ulta në vend. Sipas KLSH, ka performancën më të dobët në administrimin lokal në vend. Pavarësisht kësaj, punësimet fiktive të çdo lloj dallkauku e paraziti vijojnë. Për t’ju thënë vetëm një element, kryetari i Bashkisë ka ndërruar 6 drejtorë të Ujësjellësi në më pak se 4 vjet. Për më tepër Qytetari i parë i Bashkisë nuk ka thënë një gjysëm fjale për largimin e çdo shërbimi nga qyteti duke filluar me ujësjellësin, gjykatat, komisariatet etj.

Asnjëherë Kavaja nuk ka patur një drejtues kaq të dobët dhe të paaftë. Me pak fjalë vërtet zgjedhja e tij ishte një aksident, por që po i kushton shumë qytetit.

Si e sheh veten Fisnik Qosja, pas datës 14 Maj.
Fitues dhe mëngëpërveshur! 14 maji do të jetë dita e ndryshimit në Bashkinë Kavajë. Të ngarkuar me përgjegjësi qytetare për ta kthyer administrimin e Bashkisë në shinat e legjitimitetit dhe dinjitetit. Të angazhuar për t’i kthyer premtimet në vepra.