MENU
klinika

Analiza nga "Deutsche Welle"

Gjermani: Varfëria në një nga vendet më të pasura në botë

22.02.2023 - 14:59

Frymëzimi për këtë projekt erdhi nga SHBA. Një anëtare e një shoqate të grave në Berlin lexoi një artikull rreth vullnetarëve në Nju Jork që shpërndanin për të pastrehët ushqime të hedhura. “Mendova: OK, mund ta bëjmë edhe ne këtë”, kujton Sabine Werth, në një intervistë për DW. “Ne donim të ofronim një tryezë të pasur për ata që përndryshe nuk mund kishin ushqime”, thotë ajo. Kjo është arsyeja pse 30 vjet më parë, së bashku me kolegët e saj nga Iniciativa e Grave të Berlinit, ajo themeloi kuzhinën e parë për të varfërit (Tafel = tryezë), e cila është ende më e madhja në vend. Sot “Berliner Tafel” është një shoqatë qytetarësh e regjistruar që funksionon në mënyrë të pavarur.

Ideja për të krijuar një kuzhinë ku shërbehet supë dhe ushqime të tjera për nevojtarët u përhap shpejt. Sot janë 936 të tilla në të gjithë Gjermaninë. Zinxhirët e mëdhenj të supermarketeve shpërndajnë ushqimet e mbetura që nuk mund t’i shesin një ose dy herë në javë, zakonisht në mbrëmje. Në këtë mënyrë u mundësohet njerëzve të varfër të hanë ushqime të freskëta, mollë, salsiçe apo bukë. Për ta bërë këtë, ata duhet të dokumentojnë se kanë nevojë, për shembull, me një vërtetim nga zyra e mirëqenies sociale.

“Ne ndjekim parimin e vjetër të Robin Hood: marrim ku ka shumë dhe japim ku ka nevojë.” Por ne e bëjmë këtë ligjërisht”, thotë Werth me buzëqeshje.

Në fillim, kuzhinat ishin kryesisht vetëm për të pastrehët, por kjo ka ndryshuar. Tani ato janë një lehtësim i madh për këdo që ka nevojë. Ka shumë prindër të vetëm, pensionistë me pensione të vogla dhe refugjatë që vijnë dhe ushqehen këtu. Sepse vetëm nëse është e mundur të kursehet pak nga buxheti i pamjaftueshëm mujor, janë të mundshme edhe shpenzime të tjera, si për shembull, për një fletore për fëmijën në shkollë ose një vizitë në kinema.

Varfëria në Gjermani
Shoqata ombrellë e kuzhinave për të varfrit vlerëson se vitin e kaluar dy milionë njerëz në Gjermani e përdorën këtë mundësi – dukshëm më shumë, rreth 50 për qind, se një vit më parë.

Megjithëse Gjermania është një nga vendet më të pasura në botë, 13.8 milionë njerëz jetojnë në rrezik nga varfëria ose ishin të prekur drejtpërdrejt nga varfëria në vitin 2022. Por sa për shpjegim: Në rastin e Gjermanisë flitet për varfëri relative dhe jo absolute, sepse njerëzit nuk duhet të vuajnë dhe vdesin nga uria ose të ngrijnë në rrugë nga të ftohtit. Varfëria në Gjermani do të thotë se personi nuk ka aq, sa njerëzit nuk mund të marrin pjesë në jetën normale shoqërore, ka ditë që ata nuk kanë drekë për fëmijët, nuk ka udhëtime për pushime dhe nuk mund t’u ofrohet arsim cilësor të rinjve.

Në fillim, kuzhinat e këtilla shiheshin si një mundësi për të kursyer të paktën një pjesë të ushqimit që përndryshe shpërdorohej dhe hidhej, ndërkohë që të tjerët kanë nevojë për ushqime. Por ndërkohë ato janë kthyer në një lloj pasqyre të shoqërisë – në një tregues se edhe në Gjermani ka varfëri. Ose, siç tha në një intervistë për DW presidenti i organizatës ombrellë të kuzhinave, Jochen Brühl: “Ne jemi sizmograf për situatën në shoqëri dhe zhvillimin e saj”.

Kur u hap kuzhina e parë në vitin 1993, varfëria ende nuk njihej nga politika si problem social. Motoja ishte: varfëria nuk ekziston, nëse do të punosh, puno. “Për fat të mirë, gjërat kanë ndryshuar shumë në 30 vjet”, thotë Sabine Werth, “Sot nuk ka më asnjë parti, asnjë grup parlamentar, asnjë politikan që thotë se nuk ka varfëri në Gjermani. Ndërsa Brühl shton: “Kjo është, ndër të tjera, meritë e shumë kuzhinave të këtilla në vend.” Fakt është se pothuajse në çdo qytet ka të paktën një kuzhinë të tillë, varfëria është bërë e dukshme”.

Ushqimi dhe politika
Por këto tryeza bisedohet shpesh në qarqet politike. “Nëse merremi seriozisht me këto çështje, automatikisht merremi edhe me politikë,” thotë Brühl. “Jo politikë partiake, por me efektet socio-politike, sepse përmes këtyre projekteve ne ua mbajmë politikanëve një pasqyrë përpara dhe u tregojmë se çfarë nuk funksionon qartë në disa vende.” Ose siç e shpreh shkurt Sabine Werth: “Ushqimi është politikë”.

Këto projekte janë prej fillimit në shënjestër të kritikave. Ato tregojnë qartë varfërinë dhe tregojnë sjelljen e shtetit dhe të nevojtarëve. Ndërsa njerëzit e përfshirë në punën e projekteve nuk duan të jenë pjesë e sistemit shtetëror të mirëqenies sociale. Të gjithë theksojnë se është e gabuar që shërbimet sociale të shtetit i dërgojnë njerëzit në këto kuzhina, pasi të ardhurat mujore të tyre nuk janë të mjaftueshme. “Gjithnjë e më shumë njerëz po rrëshqasin në një situatë kur padashje futemi në këtë sistem social. Por ne nuk e duam këtë dhe luftojmë fort kundër tij”, thotë Brühl. Në Berlin, sipas Sabine Werth, kuzhinat nuk marrin asnjë mbështetje financiare nga shteti për të ruajtur pavarësinë e tyre./DW

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Pas marrëveshjes për Brexit...

‘Britania ka humbur vetveten!’