MENU
klinika

Bllokohet pretenca ndaj 6 të pandehurve

Hetimi mbi vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit 11 vjet më parë

13.02.2023 - 12:39

Kur shqyrtimit të dosjes ndaj të pandehurve të grupit të Çapjave po i vjen fundi, prokurori ende nuk ka mundur të çojë në Gjykatë konkluzionet e hetimit për vrasjen e babë e bir në Elbasan, 11 vjet më parë.

Sipas të dhënave, bëhet me dije se shkak është bërë jo vetëm mungesa e gjyqtares por edhe e një avokati mbrojtës. E ndërsa Gjykata e ka zëvendësuar gjyqtaren e sëmurë prej kohësh me një tjetër gjyqtare, mungesa e avokatit ka bërë që edhe javën që lamë pas mos të kishte një pretencë për të pandehurit e asaj çështjeje. Tashmë, pritet që në ditët në vijim të kësaj jave prokurori të shkojë në gjykatë dhe të kërkojë masat e dënimit për secilin nga personat e vënë nën akuzë. Ndonëse prokuroria që në krye të herës ka pretenduar se ka një të penduar për atë ngjarje të rëndë për të cilën akuzohen si organizator burrat e fisit Çapja, Ardiani, i vetmi i prangosur nga kjo familje ka kundërshtuar gjithnjë dëshminë e të penduarit të drejtësisë. Ai ka ngritur pretendimin se jo vetëm nuk është autor dhe as ideator por që personi që ka dëshmuar për atë ngjarje gënjen pikërisht për të goditur atë dhe familjen e tij, kryesisht nipin, Florenc Çapja.

SHTYRJA E PRETENCËS
Kanë qenë të dhëna që kanë dalë nga gjykata që kanë treguar se është bllokuar pretenca ndaj 6 të pandehurve për vrasjen e babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqiri. Sipas burimeve, mësohet se është shtyrë për të disatën herë radhazi, pretenca e prokurorisë së Posaçme SPAK, ndaj 6 të pandehurve Ervis Bardhi, Klajdi Dokoli, Etien Cani, Jorgo Leku dhe Ardjan e Florenc Çapja. Seanca e radhës është caktuar për tu zhvilluar javën e ardhme, ku i është lënë detyra prokurorit të çështjes Behar Dibra, për leximin e konkluzioneve përfundimtare ndaj 6 të pandehurve.

Shkak për shtyrjen e seancës këtë herë, nuk u bë mungesa e arsyeshme e gjyqtares, Etleva Deda, por ka qenë mungesa e njërit prej avokatëve mbrojtës të të pandehurve. Për shkak të gjendjes shëndetësore të përkeqësuar, gjyqtarja Etleva Deda, është zëvendësuar përkohësisht në këtë proces gjyqësor nga gjyqtarja, Elsa Ulliri. Kjo e fundit do zëvendësojë Etleva Dedën përkohësisht në gjyqin ndaj 6 të pandehurve, për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit, ngjarje kjo e ndodhur në Elbasan në 15 gushtin e vitit 2012. Elsa Ulliri, mësohet se ka zëvendësuar gjyqtaren Deda edhe tek procesi gjyqësor kundër të pandehurve Xhuljano Hoxha dhe Euglen Halilaj, të cilët akuzohen se në bashkëpunim dhe me persona të tjerë, kanë marrë pjesë në vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runaj.

VRASJA
Për nga mënyra se si u krye krimi i rëndë i vrasjes së babë e bir, 11 vite më parë, mbase shënon një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura në më shumë se një dekadë në vendin tonë. Ajo që nuk mund të dyshohet në asnjë moment për autorët e asaj vrasjeje të dyfishtë është fakti se në banesën e familjes Beqiri kanë hyrë njerëz të besuar të asaj familjeje, pasi Gentiani, djali që duhej të ekzekutohej ishte jo vetëm në gjumë por edhe i pamundur për të lëvizur nga krevati.

Dy vrasësit, të cilëve i ati ua hapi derën, hynë nën hundën e policisë, që e ruante familjen Beqiri, dhe pasi vranë Gentianin në gjumë i morën jetën edhe të atit, e kjo ndodhi pasi ai i njohu dy personat që ua hapi derën si shokët e djalit të tij, të cilët atë mëngjes të diele shkuan ta eliminonin. Policia dhe prokuroria dyshuan menjëherë te Florenc Çapja, por ky i fundit solli alibinë se atë ditë nuk gjendej brenda kufijve të vendit. Dosja u rihap pas një mori atentatesh në Elbasan dhe pasi u sigurua edhe dëshmia e një prej personave që thotë se ka marrë pjesë në ngjarje!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Audi A8, troje dhe biznese të dy kushërinjve

SPAK kërkon t’i sekuestrojë pasuritë Çapjas dhe Muçës