MENU
klinika

Analiza

Lufta riktheu në Rusi ‘zakone’ të vjetra…

03.02.2023 - 17:26

Nën presionet në rritje të luftës në Ukrainë, kompleksi ushtarako-industrial rus po përjeton mungesa akute të fuqisë punëtore. Me kaq shumë punëtorë të mobilizuar dhe me viktima në rritje (që tani vlerësohet në më shumë se 100.000), autoritetet kanë filluar që të hedhin sytë nga një burim tjetër që kushton shumë lirë: popullata e burgjeve.

Të dënuarit kanë qenë rrallëherë kaq të kërkuar në Rusi, të paktën që nga koha e Stalinit. Grupi famëkeq mercenar Vagner, një ushtri private e autorizuar nga Kremlini, ka rekrutuar tashmë kriminelë të dënuar me ofertën e daljes nga burgu për ata që mund të mbijetojnë 6 muaj në vijën e frontit rus në Ukrainë.

Ata që kanë dyshime për marrëveshjen që u ofron Vagner, do të angazhohen tani në prodhimin e tankeve dhe armatimeve të tjera. Kërkesa ruse për punëtorë në industri është rritur në mënyrë dramatike që nga fillimi i luftës në Ukrainë, dhe me sa duket nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ta plotësuar atë.

Nuk është ndonjë sekret që Rusia ka përjetuar një mungesë të bravandreqësve, saldatorëve dhe tornitorëve prej një kohe shumë të gjatë. Dhe tani vendi nuk ka mjaftueshëm punëtorë për të prodhuar raketa dhe tanke për luftën e Putinit në Ukrainë.

Sanksionet po e detyrojnë Rusinë t’i kthehet punës së

Uralvagonzhavod, prodhuesi më i madh i tankeve në vend, nuk arriti të punësojë mjaftueshëm punëtorë, madje edhe të pakualifikuar. Ndaj ai nuk ka zgjidhje tjetër veçse të përdorë të burgosurit për të mbushur boshllëkun. Qindra të burgosur nga një koloni penale në rajonin e Sverdllovsk do të dërgohen shumë shpejt në Uralvagonzhavod.

Sipas qeverisë ruse, mungesa e punëtorëve në kompleksin ushtarak-industrial do të arrijë së shpejti në 400.000 njerëz, përfshirë 120.000 profesionistë me arsim të lartë. Duke qenë se industria punëson mbi 2 milionë punëtorë dhe inxhinierë, ky është një numër shumë domethënës.

Në fillim fabrikat u përpoqën të kompensonin mungesat duke rekrutuar personel nga industria private dhe nga pensionistët. Prodhuesi kryesor i transportuesve të blinduar të personelit të blinduar, fabrika Kurgan, premtoi madje të sigurojë strehim dhe të garantojë punësimin edhe të anëtarëve të tjerë të familjes.

Por as kjo lëvizje nuk e zgjidhi problemin. Vetëm në shtator 2022, muajin e mobilizimit, mungesa e fuqisë punëtore në sektorin ushtarak u rrit me 7 për qind. Po kështu u rrit edhe nevoja e shfrytëzimit të të burgosurve. Tradita e përdorimit të punës së këtyre të fundit për të kënaqur nevojat e shtetit e ka origjinën në kohën e Stalinit, kur miliona të burgosur në kampet e punës, Gulagët, famëkeqe për kushtet çnjerëzore, u shfrytëzuan pa mëshirë për të ndërtuar rrugë dhe fabrika, për të hapur kanale dhe për të nxjerrë minerale.

Kremlini nuk ndihet aspak i turpëruar nga kjo jehonë e madhe historike. Edhe para luftës, në vitin 2021, qeveria mbështeti një plan të hartuar nga gjiganti hekurudhor rus RZD, së bashku me drejtorinë e burgjeve për të përdorur të dënuarit për të ndërtuar një seksion të ri të linjës kryesore Baikal-Amur (BAM) në Siberi, një hekurudhë që shkon nga Liqeni Baikal në Siberinë Lindore deri në Detin e Japonisë në Lindjen e Largët. 

I nisur nga Stalini që në vitet 1930, ai projekt i mori jetën dhjetëra mijëra të burgosurve në Gulagë, megjithatë Kremlini e pranoi sërish idenë e përdorimit të punës së paguar të të burgosurve. Dhe lufta në Ukrainë i ka dhënë thjesht një justifikim më shumë për t’u rikthyer në metodat e vjetra.

Meqë plani i Putinit për ta fituar shpejt luftën në Ukrainë ka dështuar qartazi, Rusia po përgatitet të zhvillojë një luftë të gjatë dhe shkatërruese në vendin fqinj. Për këtë arsye, ajo duhet që ta përshtatë ekonominë me kushtet e reja dhe të rrisë prodhimin e armëve.

Shumë fabrika dhe prodhues të materialeve ushtarake, kanë punuar gjatë gjithë kohës për muaj të tërë, por sërish nuk mund të plotësojnë kërkesën në rritje pa rekrutime të reja punëtorësh. Popullata e të burgosurve në Rusi prej 450.000 banorësh ofron një numër potencialisht të madh punëtorësh të pakualifikuar.

Por tradita staliniste e punës ishte po aq e pamëshirshme ndaj shkencëtarëve dhe njerëzve shumë të aftë. Kur shërbimet e tij të sigurisë kryenin hetime, ata arrestonin shkencëtarë dhe inxhinierë, të cilët i dërguan në fabrika speciale, sharashkat, të cilat ishin të mbyllura nga jashtë dhe shumë të ruajtura nga rojet.

Motivimin ua jepnin përmes kërcënimeve se shkencëtarët dhe inxhinierët që paraqiteshin dobët në punë do të dërgoheshin në kampet e punës, ku kushtet ishin shumë më të këqija. Shkrimtari rus Aleksandër Solzhenicin ishte mysafiri më i famshëm i një objekti të tillë, sharashkat Marfino në lindje të Moskës.

Ky objekti ekziston ende dhe është sot një nga qendrat më të suksesshme të kërkimeve në fushën e mbikëqyrje, dhe një lider botëror në teknologjitë e njohjes biometrike që identifikojnë një folës vetëm nga zëri në telefon.?

Disa anëtarë të Dumës Shtetërore, përfshirë nënkryetarin Boris Çernishov, shprehën në tetor të vitit të kaluar idenë “e ringjalljes së zyrave të projektimit të tipit mobilizues”. “Ne së bashku – shkencëtarët, qeveria, ushtria – duhet të rikthejmë traditat e mira të vjetra sovjetike. Shkencëtarët do të thirren për të zgjidhur jo vetëm problemet ushtarake, por edhe ato shtetërore”- tha Çernishov.

Rusia e Putinit, e cila nuk hoqi asnjëherë dorë nga krahasimet me të kaluarën e përgjakshme sovjetike të vendit, po jep çdo shenjë se do të kopjojë akoma më shumë instrumentin represiv të Stalinit.