MENU
klinika

Analiza

Një vit luftë/ Pse i vetmi opsion është armëpushimi?

20.02.2023 - 17:51

Gazetari i njohur italian Domenico Quirico u shpreh për La Stampa se paqja midis Rusisë dhe Ukrainës është në një horizont të largët.

Ndaj të flasësh për këtë është pa kuptim pasi në një kohë të afërme nuk mundtë arrihet një paqe e qëndrueshme. Por ajo për të cilën duhet një angazhim nga ana e të gjithëve është që të arrihet një armëpushim sa më shpejt të jetë e mundur. Sipas Quirico në një periudhë afatgjatë nuk do të jetë e mundur as avancimi i Moskës dhe as fitorja e Kievit, por për fat të keq mijëra njerëz vazhdojnë të humbasin jetën në betejën e luftës. “Moska mësoi në mënyrë të hapur se Ukraina tashmë ose më saktë që nga viti 2014 është fuqizuar ushtarakisht, madje është kthyer në një fuqi moderne ushtarake e mbrojtur sigurisht nga ombrella amerikane,” është shprehur Quirico.

Më pas gazetari i njohur italian theksoi se Kievi vazhdon të flasë për kundër-ofensiva pranverore për të poshtëruar Rusinë por dihet tashmë se kjo është një propagandë pasi për momentin Ukraina ka mungesa të theksuar në municione dhe në forca ushtarake. Ndaj në vend të një paqeje të pamundur duhet të negociohet për të paktën për një armëpushim prej 7 ditësh midis dy forcave. Sipas tij masa që duhet ndërmarrë menjëherë nga të dyja palët do të ishte ndërprerja e operacioneve në terren  pasi të dy vendet kanë nevojë për një hap të tillë.

Ai mendon se dhe kushtet për një hap të tillë janë të favorshme. “Dy kundërshtarët janë të rraskapitur, Perëndimi që e mban luftën po fillon, përtej gjestikulacioneve propagandistike, të vërë në dyshim veten për përfitimet monstruoze ekonomike dhe ushtarake dhe rreziqet e zhvillimeve atomike.

Është e nevojshme të parandalohen dy ushtritë që të barrikadohen në llogore, duke e shndërruar konfliktin në një kasaphanë të ngadaltë dhe të pafund” u shpreh Quirico.

Ndërkohë që nga njëra anë bie në sy opinionet e analistëve dhe specialistëve të fushës ushtarake për një armëpushim midis dy vendeve  nga ana tjetër është Rusia ajo që sipas Ukrainës  ka nisur tashmë të ashtuquajturën ofensivën pranverore. Autoritet ukrainase bënë me dije se një ditë më parë Rusia lëshoi raketa nga Deti i Zi dhe si pasojë të paktën dy civilë u plagosën dhe dritaret e disa shtëpive u thyen në qytetin Hmelnytcky në Ukrainën Perëndimore. Ndërsa dy nga raketat Kalibr që Rusia lëshoi u rrëzuan nga forcat ajrore të mbrojtjes  të Ukrainës.

Krye bashkiaku i Hmelnytckyt Oleksandr Symchyshyn u shpreh se dy shpërthime u dëgjuan në qytet, i cili shtrihet 274 kilometra në perëndim të kryeqytetit Kiev.“Ka tre institucione arsimore të dëmtuara dhe rreth 10 blloqe apartamentesh shumëkatëshe të dëmtuara. Rreth 500 dritare dhe ballkone janë shkatërruar”, u shpreh ai për televizionin kombëtar të Ukrainës. Ndërsa kompania shtetërore bërthamore e Ukrainës bëri me dije se dy raketa ruse fluturuan pranë centralit bërthamor të Ukrainës Jugore.

Rusia ka nisur valë të përsëritur sulmesh në infrastrukturën civile të Ukrainës, veçanërisht në objektet e saj energjetike, që nga fillimi i tetorit, duke lënë disa herë miliona njerëz pa energji elektrike, ngrohje dhe furnizime me ujë gjatë dimrit të ftohtë. Kiev Independent  informoi për një tjetër sulm të Rusisë ku forcat ruse bombarduan fshatin Burhunka në rajonin e Khersonit, duke vrarë tre anëtarë të së njëjtës familje, nënën, babain dhe dajën, dhe plagosën djalin e tyre 13-vjeçar. Pushtimi i paprovokuar i Ukrainës nga Rusia i afrohet përvjetorit të parë më 24 shkurt.

Rusia gjatë një takimi në Kombet e Bashkuara ka pretenduar se Ukraina po planifikon të organizojë një “sulm bërthamor” në vendin e saj për të fajësuar më pas Moskën. Por kjo nuk është hera e parë që Rusia ngre akuza të tilla për Ukrainën.

Që nga pushtimi i saj ndaj Ukrainës  Rusia ka akuzuar vazhdimisht Kievin për planifikim të veprimeve provaktive me armë jo konvencionalë, si p.sh përdorimi i materialit biologjik ose radioaktiv. Asnjë sulm i tillë nuk është materializuar apo provuar me fakte konkrete nga ana e Rusisë.

Ministria ruse e Mbrojtjes në deklaratën e saj pretendon se substanca radioaktive janë transferuar në Ukrainë nga një vend evropian dhe se Kievi po përgatit një “provokim” në shkallë të gjerë.