MENU
klinika

Dyndja për regjistrime

Patentat: Nuk ka rritje çmimi më 1 mars

28.02.2023 - 21:16

Te mjekët e familjes, poliklinika, autoshkolla, ka dyndje njerëzish të keq informuar që po nxitojnë të mbarojnë gjithë procedurat që u duhen për tu regjistruar në kursin e patentës përpara datës 1 mars.

Ata kanë dëgjuar se pas shkurtit, çmimi i lejeve të drejtimit për automjete do të dyfishohet deri në 85 mijë lekë.

Disa autoshkolla kanë thanë se nuk mund të regjistrojnë më kursantë pranë zyrave të DPSHTRR.

“Prej pasdites së të hënës, nuk regjistrojmë dot sepse është bllokuar regjistrimi në DPSHTRR.”

Kjo situatë i ka bërë më të fortë dhe më të besueshëm zërat se në fillim të marsit patenta do të kushtojë 85 mijë dhe enkas regjistrimi nuk funksionon. Por askush nga qytetarët nuk di të thotë me saktësi se nga e mori vesh lajmin e saktë.

Në fillim të javës së kaluar ishte vetë Drejtori i DPSHTRR, Blendi Gonxhja që lajmëroi publikisht këtë rritje dyfish të çmimit të patentës pa përcaktuar një ditë. Në një reagim të detyruar pas pakënaqësisë, ai lajmëroi se çmimi i ri nuk do të aplikohet menjëherë.

Por kjo nuk i shmangi radhët dhe dyndjet! Marsi u kthye në akthin e qytetarëve dhe një stres i paparë për mjekët e familjes dhe poliklinikat.

Në një prononcim për Gazetasi.al, Blendi Gonxhja, drejtori i DPSHTRR thotë se kaosi mund të jetë krijuar nga autoshkollat që po deklarojnë data për rritje çmimi për të marrë sa më shumë klientë.

“Nuk ka një datë që ndryshon çmimi”,- thotë Gonxhja.

Ndërkohë, Gonxhja thotë se nuk ka asnjë bllokim regjistrimi dhe i vetmi problem mund të jetë shkaktuar në ndonjë moment kur një autoshkollë mund të ketë shumë formularë dhe krijohet radhë e kështu edhe vonesa.

“Por bllokim të regjistrimit nuk ka pasur në asnjë moment”, thotë Gonxhja.

Edhe një herë tjetër, Gonxhja tregoi se nuk ka rritje çmimi dhe autoshkollat mund të vijojnë të organizojnë pagesa si të duan ato.

“Por kur t’u shkojnë tatimet, ato do të përgjigjen për çdo kursant. Marrëveshja nuk cakton çmime dhe do të vijojë gradualisht”, tha Gonxhja i cili shton se programi më parë bëhej fiktiv, nuk bëheshin orët në mënyrë që të ulej çmimi ndërsa tani do të bëhen orët sipas programit dhe prandaj çmimi do të jetë aq sa e parashikon programi.

Por ndërkohë radhët e gjata dhe të padurueshme të qytetarëve shuhen vetëm në ekstremet e orareve zyrtare…/Gazeta Si

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Lista e çmimeve të secilës kategori

Dokumenti/ Patentat deri në 4-fish më shtrenjtë

Krahasimi i kostove me vendet e rajonit

Rritja e çmimit të patentave, nisin hetimet