Pas tre vitesh kaotike, investitorët kanë disa arsye për të qenë të kënaqur me ekonominë botërore. Në Amerikë, inflacioni po bie, duke rritur shpresat për një “ulje të butë”, ku rritja e çmimeve vihet nën kontroll pa pasur recesion. Fati i ka buzëqeshur Europës, ku një dimër kryesisht i ngrohtë ka shkaktuar rënien e çmimeve të energjisë.
Ndërkohë, ekonomia e Kinës, e çliruar nga politika shkatërruese “zero-covid” e Xi Jinping, është gati të rimëkëmbet. Tregjet janë optimiste, shkruan The Economist. Indeksi S&P 500 i aksioneve amerikane, është rritur me 5% që nga fillimi i vitit. Çmimet e aksioneve në Europë dhe tregjet në zhvillim janë rritur edhe më shumë.
Për fat të keq, është ende shumë herët për të shpallur fundin e problemeve të ekonomisë botërore. Në Amerikë, çmimet e konsumit ranë në dhjetor dhe inflacioni vjetor mund të bjerë nën nivelin 2% këtë vit, falë çmimeve më të lira të energjisë dhe mallrave.
Megjithatë, ndërsa rritja e çmimeve po bie, e njëjta gjë po ndodh edhe me rritjen e PBB-së. Shitjet me pakicë dhe prodhimi industrial ranë në dhjetor dhe treguesit kryesorë të prodhimit janë ulur ndjeshëm, gjë që zakonisht tregon se po afron një recesion. Pjesa më e shëndetshme e ekonomisë është tregu i punës. Por kërkesa e lartë për punëtorë nuk është një lajm krejtësisht i mirë: Rezerva Federale do ta ketë më të vështirë të sigurojë zbutjen e inflacionit.
Pavarësisht pushimeve nga puna në kompanitë e mëdha të teknologjisë, shkalla e papunësisë në Amerikë mbetet vetëm 3.5% dhe përfitimet e reja për ndihmat për të papunët, janë në nivelin më të ulët në tre muaj e gjysmë.
Rritja vjetore e pagave ka rënë sipas disa treguesve, por ajo mbetet në nivelin rreth 5%. Më 24 janar, Walmart tha se do të rriste pagat minimale nga 12 dollarë në orë, në 14 dollarë. Për shkak se produktiviteti i punëtorëve po rritet vetëm me rreth 1% në vit, rritja e shpejtë e pagave parashikon një rritje të çmimeve që tejkalojnë shumë objektivin e inflacionit prej 2% të Rezervës Federale.
Disa politikanë shpresojnë se kompanitë, fitimet e të cilave u rritën në vitin 2021, do të mund të përthithin rritjen e shpejtë të pagave pa pasur nevojë të rriten më tej çmimet. Megjithatë, deri në vjeshtën e kaluar, marzhet më të larta të fitimit, përbënin vetëm një të tetën e inflacionit të epokës së pandemisë. Duke qenë se Wall Street parashikon fitime zhgënjyese për tremujorin e katërt të vitit 2022, kjo tregon se firmat do të rrisin çmimet në përputhje me kostot e punës.
Tregjet parashikojnë që Rezerva Federale do të fillojë të ulë normat e interesit brenda një viti, ndërsa rritja ngadalësohet. Por nëse ajo është serioze për uljen e inflacionit në nivelin 2% dhe për ta mbajtur në atë nivel, atëherë do t’i duhet t’i mbajë normat e larta, derisa rritja e pagave të ftohet, edhe nëse kjo gjë sjell recesion.
Nëse Amerika përballet me një rënie ekonomike, ka të ngjarë që kjo të përfshijë edhe Europën. Pavarësisht rënies së çmimeve të energjisë, Eurozona ka gjithashtu një problem themelor me inflacionin, siç është e dukshme në rritjen e pagave.
Christine Lagarde, shefja e Bankës Qendrore Europiane, ka paralajmëruar se normat e interesit duhet të rriten ndjeshëm, në kundërshtim me pritshmëritë më optimiste të investitorëve.
Rritja e dollarit, që ka të ngjarë të ndodhë nëse Rezerva Federale vazhdon të rrisë normat dhe investitorët tremben nga pasojat, do ta rriste inflacionin e importuar dhe do ta bënte punën e BQE-së edhe më të vështirë, ndërkohë që do të zvogëlonte rritjen në tregjet në zhvillim.
Përfundimi i politikës zero-covid në Kinë ka ulur mundësinë që zinxhirët e furnizimit të prishen. Megjithatë, rimëkëmbja e saj nuk është një e mirë e gjithanshme për pjesën tjetër të botës, e cila ka një problem inflacioni, jo mungesë shpenzimesh.
Importet shtesë të Kinës do të shtojnë më shumë karburant për ekonomitë e mbinxehura. Një arsye pse magazinimi i gazit në Europë është kaq i plotë, është sepse kërkesa e Kinës për gaz natyror të lëngshëm në vitin 2022, ishte 20% nën nivelin e zakonshëm.
Kërkesa tani ka të ngjarë të rikthehet, gjë që mund të shkaktojë rritjen e çmimeve dimrin e ardhshëm. Vetëm kur armiqtë binjakë të tregjeve të mbinxehura të punës dhe krizës energjetike të jenë mposhtur, ekonomia botërore do të jetë jashtë rrezikut.
Marrë nga Monitor.al