MENU
klinika

Analiza

Putin e ka vendin në Hagë/ A mund ta dërgojë bota atje?

28.02.2023 - 13:45

Një vit më parë, do të ishte një fantazi ta imagjinonim presidentin rus Vladimir Putin të përballej me llogaridhënien për krimet e tij në Ukrainë. Por sot ekziston të paktën një arsye për të shpresuar se një ndjekje penale ndërkombëtare e kreut të Kremlinit mund të bëhet realitet.

Të martën, gjatë fjalimit të tij në Varshavë, presidenti Xho Bajden premtoi “të kërkojë drejtësi për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit që vazhdojnë të kryhen nga rusët” në Ukrainë.

Disa ditë më parë gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, përdori një gjuhë të ngjashme në lidhje me aktet mizore të Rusisë, duke shtuar se “eprorët që janë bashkëpunëtorë në ato krime do të dalin para drejtësisë”

Në fillim të këtij muaji, presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Lejen, njoftoi krijimin e një qendre ndërkombëtare për ndjekjen penale të “krimit të agresionit në Ukrainë”, e cila po ngrihet në Hagë, qytet ku ndodhet aktualisht Gjykata Ndërkombëtare Penale (IW), dhe që ka qenë skena e disa gjyqeve të mëparshme të profilit të lartë në lidhje me krimet e luftës.

Kjo mund të çojë në krijimin e një gjykate të posaçme, që do të synojë zyrtarët e lartë rusë që projektuan luftën në Ukrainë, dhe para së gjithash Vladimir Putinin. Një sërë organizatash po hetojnë tashmë dhe në disa raste po ndjekin penalisht, ushtarët dhe komandantët ushtarakë rusë për mizoritë e kryera gjatë këtij konflikti.

Por për shkak se IW-së i mungon juridiksioni për të ndjekur penalisht ata që morën vendimin për të shkuar në luftë, ekziston nevoja për themelimin e një gjykatë të re të nivelit të lartë. Pse është e rëndësishme kjo gjë?

Xhefri Najs, prokurori britanik që udhëhoqi ndjekjen penale të ish-presidentit jugosllav, Sllobodan Millosheviç, gjatë gjyqit të tij për krime lufte në fillim të këtij shekulli, më tha shumë qartë: “Thelbi i çdo procesi të llogaridhënies është parandalimi. Ne duhet t’i bindim liderët e ardhshëm që të mos mendojnë se mund t’ia hedhin paq pas kryerjes së akteve të tilla. Dhe nëse është kështu, sa më shpejt që të nisim nga puna, aq më mirë do të jetë”.

Vladimir Putin është për në Hagë/ A mund ta

Po ashtu, Najs vuri në dukje se nuk ka nevojë që Putini të jetë domosdoshmërisht në paraburgim, në mënyrë që të vazhdojë gjyqi ndaj tij. Ai mund të gjykohet në mungesë. Po ashtu një proces i tillë, do të sinjalizojë se bota shqetësohet për të gjitha viktimat kudo që ndodhen, dhe se të gjitha krimet e kryera do të dokumentohen në detaje.

Është e vërtetë që ka jo pak pengesa për të bërë shpejt drejtësi. Rusia është anëtare e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, një pozicion që i jep asaj një ndikim të madh. Dhe Kina, India, Turqia, Afrika e Jugut dhe vende të tjera kanë treguar se nuk janë të gatshëm të dënojnë agresionin rus, sidomos tani që po përfitojnë jo pak ekonomikisht nga bashkëpunimi me Moskën.

Shumë njerëz në mbarë botën do ta denonconin si të padrejtë cdo lloj gjyqi ndaj liderëve të Kremlinit. Megjithatë, Moska mund të mos jetë në gjendje të mbështetet përgjithmonë te miqtë e saj. Imazhet e sjelljes brutale të ushtrisë ruse në Ukrainë, vazhdojnë të bëjnë xhiron e gjithë botës, dhe kjo ndihmon në shpjegimin e arsyes pse rezolutat që dënojnë luftën kanë kaluar me një shumicë dërrmuese në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Edhe disa nga aleatët më të afërt të Putinit, mund të shmangin lidhjen shumë të theksuar publike me njeriun që donte të ndryshonte me forcë kufijtë ndërkombëtarë. Ka nga ata që thonë se diskutimet mbi përballjen e Putinit me drejtësinë, duhet që të lihen mënjanë për sa kohë që lufta po vazhdon.

Tek e fundit, Perëndimi negocioi dikur me Sllobodan Millosheviçin për t’i dhënë fund fazës së parë të luftërave të viteve 1990 në ish-Jugosllavi. Vetëm më vonë, pasi ndërhyrja e NATO-s i dha fund konfliktit në Kosovë, dhe një ndryshim i qeverisë në Beograd e rrëzoi Millosheviçin nga pushteti, komuniteti ndërkombëtar nisi të angazhohej për ta ndjekur atë penalisht.

Vladimir Putin është për në Hagë/ A mund ta

Sot, vazhdon ky argument, prioritet duhet të ketë sërish ndalimi i luftës. Sepse kërcënimi i Putinit me nxjerrjen në bankën e të akuzuarve për krime lufte, do t’i jepte atij vetëm një arsye më shumë për të vazhduar agresionin e tij. Ky është një argument që vlen.

Por ndërkohë mund të argumentohet fare mirë edhe e kundërta: që ecja përpara me krijimin e një gjykate speciale për krimet ruse të luftës, mund të përshpejtojë fundin e luftës. Pasi ky hap do t’i sinjalizonte gjithë botës, se regjimi i Putinit e ka humbur legjitimitetin, dhe se e vetmja mënyrë se si Rusia mund të shpresojë të rifitojë statusin e saj në botë është duke hequr qafe atë.

Najs thotë se dëshiron ta shohë Putinin në gjyq brenda këtij viti. Ai vuri në dukje se ndërsa ndjekja penale e mizorive individuale mund të kërkojë vite, përcaktimi i përgjegjësisë përfundimtare për luftën është “i drejtpërdrejtë”, dhe për këtë arsye më i shpejtë.

“Putini ka kryer një sulm ndaj një popullsie civile, dhe ky është një nga kriteret për të akuzuar dikë për krime kundër njerëzimit”- thotë ai. Një skenar në të cilin një humbje shkatërruese e ushtrisë ruse – si dështimi katastrofik i Millosheviçit për të imponuar vullnetin e tij në Ballkan – nxit rrëzimin e Putinit dhe ndjekjen e tij penale, mbetet një sfidë shumë e madhe dhe që mund të kërkojë kohë. Por kjo nuk do të thotë që ne nuk duhet të fillojmë që tani të hartojmë dosjen penale kundër tij.