MENU
klinika

Analiza

Rusia dhe Ukraina drejt negociatave, por SHBA…

13.02.2023 - 16:57

Premtimi i fundit i Shteteve të Bashkuara për të dërguar tanket moderne “M1 Abrams” në Ukrainë ishte një përgjigje e shpejtë ndaj një problemi serioz. Por problemi është se Ukraina po e humb luftën. Kjo jo sepse ushtarët e saj po luftojnë keq apo që populli është demoralizuar.

Por sepse lufta është shndërruar në një betejë rrënuese të stilit të Luftës së Parë Botërore, e kompletuar me llogore të gërmuara me kujdes dhe me fronte relativisht të qëndrueshme. Luftëra të tilla priren të fitohen – siç ndodhi në fakt në Luftën e Parë Botërore – nga pala që ka më shumë burime demografike dhe industriale.

Rusia ka një popullsi 3-fish më të madhe se popullsia e Ukrainës, një ekonomi të paprekur dhe një teknologji ushtarake superiore. Njëkohësisht, ajo ka problemet e veta. Deri vonë kishte mungesa në ushtarë, cenushmëria e depove të armëve ndaj sulmeve ukrainase me raketa e kanë ngadalësuar përparimin e saj drejt perëndimit.

Në këto kushte, të dyja palët kanë stimuj për t’u ulur në tryezën e bisedimeve. Por administrata e Xho Bajden ka plane të tjera.

Rusia dhe Ukraina kanë nxitje për të negociuar, por SHBA-ja ka

Ajo ka vënë bast se dërgimi i tankeve amerikanë dhe evropianë mund të përmirësojë shanset e Ukrainës për ta fituar luftën. Në njëfarë kuptimi, ideja është të çohet përpara historia, nga betejat e llogoreve të Luftës së Parë Botërore deri te betejat e lëvizjes së Luftës së Dytë Botërore.

Dhe kjo është një strategji e besueshme: Tetëdhjetë vjet më parë, tanket e Hitlerit dhe Stalinit  e revolucionarizuan luftën jo shumë larg nga territori ku po luftohet sot. Por strategjia e Bajdenit ka një emër ogurzi: përshkallëzim. Përtej një pike të caktuar, Shtetet e Bashkuara nuk po “ndihmojnë”, “këshillojnë” apo “furnizojnë” ukrainasit, siç bëri le të themi me muxhahedinët afganë gjatë Luftës së Ftohtë.

Ajo po e zëvendëson Ukrainën si kundërshtari kryesor i fushës së betejës së Rusisë. Është e vështirë të thuhet se kur do të arrihet kjo pikë apo nëse është arritur tashmë. Me cilën është në luftë Rusia, me Ukrainën apo Shtetet e Bashkuara? Kjo skemë duket si aksidentale. Administrata Bajden u përpoq për javë të tëra ta bindte kancelarin gjerman Olaf Sholc të dërgonte në Ukrainë tanket “Leopard 2”.

Rusia dhe Ukraina kanë nxitje për të negociuar, por SHBA-ja ka

Ishte një marrëveshje e vështirë. Në vitet 1980, kur Sholc, si një socialdemokrat po bënte fushatë për çarmatimin e Europës, ndoshta nuk e imagjinonte veten në rolin e kancelarit të parë që do të dërgonte tanke gjermane kundër frontit rus që nga koha e Hitlerit.

Sholc refuzoi dërgimin e tankeve gjermane nëse Shtetet e Bashkuara nuk çonin në Ukrainë tanket e veta më të mira. Sigurisht, dëshira e tij për të ecur në një hap me Shtetet e Bashkuara ka të bëjë me të kaluarën e errët të Gjermanisë.

Dy herë gjatë këtij fillimshekulli, Gjermania ka refuzuar të tërhiqet zvarrë në një luftë për të mbrojtur botën nga një diktator i keq: kancelari Gerhard Shrëder udhëhoqi opozitën ndaj pushtimit të Irakut nga Xhorxh W. Bush në vitin 2003.

Ndërkohë në vitin 2011, pasardhësja e Shrëder, Angela Merkel, kundërshtoi pikëpamjen anglo-franko-amerikane se duhej pushtimi i Libisë për të ndalur gjenocidin e kolonelit Muamar Gadafi ndaj popullit libian. Në të dyja rastet u pa se pikëpamja gjermane ishte më e mençur.

Ndoshta kjo luftë është e ndryshme. Në një epokë të pajisjeve inteligjente, robotikës dhe telekomandimit, përfshirja e Shteteve të Bashkuara në luftë ka qenë gjithmonë më e madhe sesa dukej. Artileria raketore e drejtuar nga kompjuterët që ka marrë Ukraina nga SHBA-ja, mund të duket analoge me kuajt dhe pushkët që një qeveri mund të kishte dërguar për të mbështetur një kryengritje në kohët e vjetra.

Rusia dhe Ukraina kanë nxitje për të negociuar, por SHBA-ja ka

Ato duken në fillim si armë tradicionale, edhe pse më të përparuarat e kohës. Por ekziston një dallim i rëndësishëm. Shumica e fuqisë shkatërruese të armëve të reja vjen nga lidhja e tyre me një rrjet informacioni amerikan, një paketë shërbimesh që vazhdon të funksionojë në mënyrë të pavarur nga armatimet.

Pra, Shtetet e Bashkuara po marrin pjesë në këto operacione ushtarake në momentin që ato ndodhin. Ajo është duke luftuar kundër Rusisë. Pranverën e vitit të kaluar, Ukraina tronditi marinën ruse duke përdorur informacionin e shërbimeve amerikane për të fundosur “Moskva,” një kryqëzor raketor rus që ndodhej në Detin e Zi.

Vetëm disa muaj pas luftës rusët u përballën me faktin që oficerët që përdornin celularët e tyre personalë hidheshin rregullisht në erë. Natën e Vitit të Ri, një kazermë plot me rekrutë të rinj të ushtrisë ruse në qytetin Makiivka u godit nga raketa në mesnatë, pikërisht në momentin kur të rinjtë po telefonin miqtë dhe të afërmit e tyre për t’i uruar për ardhjen e vitit të ri.

Sulmi vrau 89 njerëz sipas autoriteteve ruse, dhe më shumë se 300 sipas Ministrisë britanike të Mbrojtjes. Pas episodeve të tilla, udhëheqësit rusë nuk kanë gjasa të mendojnë se rezistenca që po ndeshin u vjen nga Ukraina. Roli i Shteteve të Bashkuara është dukshëm më aktiv sesa thjesht përgjigjja ndaj “kërkesave” të Ukrainës për këtë apo atë armatim.

Këshilltarët e vetë presidentit Bajden janë të ndarë mbi nivelin e agresivitetit që duhet të shfaqin në këtë luftë. Madje disa propozojnë që ta dëbojnë Rusinë nga Krimea. Kjo do të kërkonte një lloj të ri misioni për NATO-n: pushtimin, aneksimin dhe nënshtrimin e një popullsie që nuk e dëshiron aleancën dhe Perëndimin.

Pushtimi rus i Ukrainës erdhi për shkak të një sërë tendencash të ndërlikuara historike të pas Luftës së Ftohtë (si rritja mbresëlënëse e Amerikës pas Luftës së Ftohtë, dhe rënia e saj relative më e fundit) dhe aksidenteve ekonomike (si kriza e çmimeve të karburanteve fosile).

Por po ashtu, ai është kapitulli i fundit i një historie të vazhdueshme gjeostrategjike, në të cilën komploti ka ndryshuar shumë pak gjatë shekujve: Vendi më i madh për nga sipërfaqja në planet, nuk ka një dalje të besueshme në det.

Rruga më e besueshme kalon nëpër Detin e Zi, ku kalojnë edhe rrugët tregtare që lidhin qytetërimet e Azisë me ato të Europës. Atje, ose aty afër, forcat ruse u përleshën me ushtritë e shumë sulltanëve turq në shekujt XVII-XVIII, Lordi Palmerston i Britanisë në shekullin XIX dhe Hitleri në shekullin XX.

Duke folur javën e kaluar me rastin e 80-vjetorit të fitores sovjetike ndaj Gjermanisë në Betejën e Stalingradit, presidenti rus Vladimir Putin e cilësoi luftën aktuale si një betejë të ngjashme.

Rusia dhe Ukraina kanë nxitje për të negociuar, por SHBA-ja ka

Rusët thonë se lufta e tyre synon të parandalojë ndërtimin e një fortese ushtarake armike në Detin e Zi, e cila mund të jetë mjaftueshëm të fortë për ta mbyllur atë që për shekuj ka qenë posta kryesore e Rusisë në botën e jashtme.

Pa Ukrainën, Rusia mund të shndërrohet në një shtet vasal. Pretendimi që NATO synon të nënshtrojë, shpërbëjë apo edhe zhdukë nga harta Rusinë mund të jetë i vërtetë ose i rreme. Por nuk do të tingëllojë i pabesueshëm për një rus. Shumë amerikanë e cilësojnë Putinin një “barbar” dhe “luftë agresioni” pushtimin prej tij të Ukrainës.

Nga ana e tyre, rusët thonë se kjo është një luftë në të cilën Rusia po lufton për mbijetesën e saj dhe kundër Shteteve të Bashkuara, në një rend global të padrejtë në të cilin Shtetet e Bashkuara gëzojnë privilegje të pa fituara. Duhet të mos harrojmë se çfarëdolloj vlerash që mund t’i sjellë secila palë, kjo luftë nuk është në thelb një përplasje vlerash.

Është një luftë klasike ndërshtetërore mbi territorin dhe fuqinë, që po ndodh në kufirin midis dy perandorive. Në këtë konfrontim, Putin dhe Rusia e tij kanë më pak opsione të mira për t’u tërhequr nga sa duket se kuptojnë politikë-bërësit amerikanë, dhe më shumë stimuj për të ndjekur Shtetet e Bashkuara në përshkallëzimin e konfliktit.