MENU
klinika

Nga The Guardian

Rusia ka humbur ‘strategjikisht, operacionalisht dhe taktikisht’

17.02.2023 - 14:37

Rusia ka humbur “strategjikisht, operacionalisht dhe taktikisht”, ka thënë gjenerali Mark Milley, kryesues i shefave të përbashkët të shtabit të Amerikës. Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi me sekretarin amerikan të mbrojtjes, Lloyd Austin, Milley tha se rusët “po e paguajnë një çmim të madh në fushënbetejë” në Ukrainë.

Sekretari amerikan i mbrojtjes Lloyd Austin ka thënë se pret që Ukraina ta ndërmarrë një ofensivë kundër Rusisë në pranverë. Tutje, Austin tha se Rusia po prezanton një numër trupash të reja në fushëbetejë, por se shumë prej tyre janë të trajnuar dhe të pajisur keq.

Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius tha të martën se furnizimi i Ukrainës me avionë luftarakë nuk është në fokus për momentin, por sigurisht që do të diskutoht në të ardhmen. Sigurimi i hapësirës ajrore të Ukrainës është prioritet, tha ai për televizionin gjerman ARD. “Vetëm kur qiejt mbi Ukrainë të mbeten të sigurt gjatë tre, katër muajve të ardhshëm, atëherë mund të flasim për të gjithë hapat e tjerë të mëtejshëm”, tha ai.

Forcat ukrainase thuhet se kanë hedhur në erë një urë pranë qytetit lindor të Bakhmut, si një indikacion se ata mund të planifikojnë të tërhiqen nga zona. Ukraina mohon se ka ndërmend të largohet nga qyteti Bakhmut, pavarësisht gjashtë muajsh luftimesh të rënda. Kapja e Bakhmutit do t’i jepte Rusisë një nxitje të rëndësishme simbolike përpara përvjetorit të parë të luftës.

Yevgeny Prigozhin, udhëheqësi i grupit Wagner, mercenarët e të cilit kanë luftuar për muaj të tërë për ta futur në kontroll qytetin lindor të Bakhmutit, ka thënë se beteja nuk ka përfunduar ende. Në një postim në Telegram, Prigozhin tha se Ukraina po përforcohet me deri në 500 luftëtarë të rinj në ditë.

Forcat ruse kanë shënuar progres në rritje në ditët e fundit në sulmin e tyre në qytetin ukrainas Bahkmut, por është e paqartë nëse ky qytet do të bjerë, tha Shtëpia e Bardhë. John Kirby, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, shtoi se nëse Bakhmut do të bie në duart e rusëve “nuk do të ketë një ndikim strategjik në luftën e përgjithshme”.

Një shtetas britanik ka vdekur në Ukrainë, ka thënë qeveria e Mbretërisë së Bashkuar. Nuk dihet ende identiteti i personit, por familja e tyre është njoftuar. Ai besohet të jenë shtetasi i tetë britanik që kanë vdekur në Ukrainë që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit të kaluar.

Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksii Reznikov, ka marrë pjesë në bisedimet ministrore të NATO-s në Bruksel. Reznikov tha se qëllimet e tij kanë të bëjnë me mbrojtjen e qiellit të Ukrainës, “forcimin e koalicionit të tankeve”, sigurimin e municioneve të mjaftueshme, sigurimin e më shumë trajnimeve për ushtrinë ukrainase dhe logjistikën e qëndrueshme, mirëmbajtjen dhe riparimin e armëve.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s u ka kërkuar anëtarëve të aleancës ushtarake transatlantike që ta shtojnë prodhimin e municioneve për Ukrainën. Jens Stoltenberg paralajmëroi se Vladimir Putin po përgatitet për ofensiva dhe sulme të reja dhe se çështja e furnizimit me avionë luftarakë në Ukrainë do të jetë në rendin e ditës, por “jo si një çështje më urgjente tani”.

Norvegjia ka njoftuar se do t’i dërgojë tetë tanke luftarake Leopard 2 të prodhimit gjerman dhe pajisje të tjera në Ukrainë. Kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre ka deklaruar se është “më e rëndësishme se kurrë ta mbështesim luftën e Ukrainës për liri”. Ky njoftim vjen një ditë pasi Støre foli me Volodymyr Zelenskiyn në një telefonatë, ku dyshja diskutuan premtimin pesë-vjeçar të Norvegjisë për Ukrainën.

Gjermania ka nënshkruar kontrata me Rheinmetall për ta rifilluar prodhimin e municioneve për armët kundërajrore Gepard të cilat i ka dorëzuar në Kiev, tha ministri gjerman i mbrojtjes, Boris Pistorius. “Ne do të fillojmë shpejt prodhimin tonë të municionit Gepard në Rheinmetall. Jam shumë i lumtur që kemi qenë në gjendje ta garantojmë shpërndarjen e kësaj pjese të rëndësishme të mbrojtjes ajrore”, tha Pistorius përpara një takimi me ministrat e NATO-s në Bruksel.

SHBA i ka thënë Ukrainës se nuk do të dërgojë raketa me rreze të gjatë, sepse nuk do t’i mbeteshin mjaftueshëm edhe për vete, sipas një raporti. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se transferimi i Sistemeve Raketore Taktike të Ushtrisë (ATACMS) në fushëbetejën e Ukrainsë do ta rrezikonte mungesën e rezervave të veta dhe do ta dëmtonte gatishmërinë e saj për çdo luftë në të ardhmen, kanë thënë burimet për Politico.

Mbretëria e Bashkuar thotë se do të shënojë përvjetorin e parë të pushtimit rus të Ukrainës me një minut heshtjeje kombëtare. Kryeministri Rishi Sunak do të mbajë një heshtje një minutëshe në orën 11:00 (sipas orës lokale) më 24 shkurt, si shenjë solidariteti me Ukrainën.

Burimi: The Guardian

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN