Vazhdon kalvari i lodhshëm juridik për nisjen e gjykimit për vrasjet e 4 qytetarëve në demonstratën e 21 janarit 2011 kundër kryeministrit të kohës, Sali Berisha. Prokuroria e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi ditën e djeshme të mos marrë përsipër shqyrtimin e kallëzimeve të Partisë Socialiste dhe Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, të cilët kërkojnë ndjekjen penale dhe gjykimin e 3 protagonistëve të tragjedisë së 12 viteve më parë, ish-kryeministrit Sali Berisha; ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha dhe ish-komandantit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, për vrasje në rrethana cilësuese, shpërdorim detyre, rrethana rënduese, etj. Prokurorja e SPAK, Manjola Kajana shpalli moskompetencë për këto 2 kallëzime të dërguara në muajin janar, pasi nuk është dorëzuar materiali origjinal i audio-përgjimit të komunikimit të Prendit me vartësit të tij gjatë kohës kur po sulmohej Kryeministria dhe Garda po përgatitej për t’u kundërpërgjigjur me armë zjarri. Për rrjedhojë, dosja me kallëzimet ndaj ish-krerëve të lartë shtetit në 2011 shkon në Prokurorinë e Tiranës. Në këtë situatë, një nga çështjet që opinioni publik pritur me shpresë për shumë vite se do të zbardhet plotësisht rrezikon të futet në kanalet e errëta të harresës, pasi institucionet juridike kanë hequr dorë nga trajtimi i “21 janarit” duke ia hedhur përgjegjësinë njëra-tjetrës.
“21 janari” mund të vazhdojë të endet korridoreve të drejtësisë
Aktualisht, Prokuroria e Tiranës po heton vrasjet e Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës, të cilëve ende kanë mbetur pa autorë edhe sot e kësaj dite. Dosja me kallëzimet penale ndaj Berishës, Bashës dhe Prendit mund të ndërrojë sërish “strehë”, pasi Prokuroria e Tiranës mund të zbulojë elementë hetimi që nuk janë nën juridiksionin e kësaj e për pasojë, dosja mund të rikthehet sërish në SPAK ose të shkojë në një tjetër adresë. Tashmë, mbetet në fuqi vendimi i 18 shtatorit 2013, i cili shpalli fajtorë Ndrea Prendin dhe vartësin e tij Agim Llupo për vrasjet e Ziver Veizit dhe Faik Myrtajt. Ata u dënuan respektivisht me nga 1 dhe 3 vite burg për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”. Kupola shtetërore e kohës vazhdon të jetë ende e mbrojtur dhe nga drejtësia e dalë nga Reforma në Drejtësi.
Hoxha: Do publikoj të plotë në emisionin ‘TPZ’ audio-përgjimin e Gardës në 21 janar 2011
Gazetari që dorëzoi në SPAK transkriptet e audio-përgjimit të komunikimeve të komandës së Gardës në 21 janar 2011, Artan Hoxha u kundërpërgjigj ndaj kalimit të hetimit të çështjes në Prokurorinë e Tiranës, duke premtuar se do të publikojë komunikimin e plotë të gardistëve përballë demonstruesve para Kryeministrisë 12 vite më parë. Hoxha shtoi se këtë gjë do ta bëjë pikërisht në studionin e emisionit “Të Paekspozuarit” në “MCN TV”, ku dje ishte i ftuar. Ai e konsideroi kalimin e “21 janarit” nga SPAK te Prokuroria e Tiranës si lojë. “Ne do ta transmetojmë patjetër, këtu në emisionin ‘Të Paekspozuarit’. Këta të merren sa të duan me lojën e prokurorisë dhe SPAK, por cfarë do të bëjnë me të vrarët, sepse i kanë pa autor?!”, deklaroi Hoxha.
2 kallëzimet ndaj Berishës, Bashës dhe Prendit, gjithçka nisi nga Artan Hoxha
Në 20 janar, 1 ditë para përvjetorit përkujtimor të 12-të të “21 janarit”, gazetari investigativ Artan Hoxha publikoi një transkriptim të komunikimeve në radio mes Ndrea Prendit dhe disa vartësve të tij, të cilët i udhëzonte të përgatiteshin për të hapur zjarr ndaj demonstruesve të opozitës. Transkriptimi u ndërpre në momentin kur përmendet “ministri”. Më pas, në 23 janar, ministri i Drejtësië, Ulsi Manja dorëzoi në SPAK kallëzimin penal ndaj Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe Ndrea Prendit për konsumin e veprave penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Vetë Artan Hoxha u thirr në SPAK për të dhënë dëshmi për materialin që posedon. Ai zbuloi se ky audio-përgjim është kryer nga një ambasadë e një shteti të huaj, pasi pala shqiptare i ka fshirë të gjitha materialet. Dy ditë pas kallëzimit të parë, Partia Socialiste dërgoi një tjetër kallëzim në SPAK me shënjestër të njëjtë Berishën, Bashën dhe Prendin, por për të tjera vepra penale, konkretisht “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave”; “Rrethanat rënduese”, kryerja e veprës penale duke shpërdoruar funksionin publik ose shërbimin fetar dhe “Kuptimi i bashkëpunimit”, bashkëpunim quhet kryerja e veprës penale nga dy ose më shumë persona me marrëveshje ndërmjet tyre. Socialistët kërkuan që ekzekutimet e Faik Myrtajt, Ziver Veizit, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës të hetohen e gjykohen si vrasje shtetërore, jo nga pakujdesia.