Bordi i Entit Rregullator të Energjisë vendosi këtë të premte shtyrjen me 30 ditë të afatit për licencimin veprimtarinë e prodhimit të energjisë nga TEC-et termikë lundrues në Gjirin e Vlorës për Korporatën Elektronergjetike Shqiptare.
Fillimisht grupi i punës argumentoi gjatë prezantimit se pezullimi ishte një variant që ata kishin marrë parasysh për shkak të mungesës së disa dokumenteve që duhet të paraqiteshin nga ana e Korporatës. Përveç pasqyrave financiare që janë detyrim i kësaj të fundit grupi argumentoi se pjesa tjetër e dokumenteve janë në hallka të ndryshme institucionale që nuk kanë lidhje me KESH.
“Duke qenë se shoqëria KESH nuk ka plotësuar dokumentacionin ku një pjesë e tij lëshohet nga organe të tjera, vlerësohet të pezullohet vendimmarrja lidhur me KESH sha në veprimtarinë e prodhimit të energjisë nga TEC-i. Nga sa më sipër dhe në mbështetje të legjislacionit të pezullohet vendimi për KESH për TEC-in e lundrueshëm në Triport” tha grupi i punës.
Kryetari i ERE Petrit Ahmeti nga ana e tij tha se kjo është një çështje që ka marrë vëmendje dhe interesi qeveritar dhe politik është i madh ndaj do të ishte e arsyeshme që shpjegimet e Korporatës të kërkoheshin në mënyrë më të detajuar në një seancave dëgjimore.
Anëtarja tjetër e Bordit Erjola Sadushi propozoi që në vend të pezullimit të vendoset zbatimi i rregullores që i jep mundësi 30 ditë për vendimmarrje dhe gjatë kësaj kohe të zhvillohet edhe seanbca dëgjimore me palët.
“Mendoj që para se të kalonim në pezullim mund të bëhet shtyrje me 30 ditë e vendimmarrjes sa përcakton edhe rregullorja dhe ndërkohë të zhvillohet dhe seance dëgjimore. Mbeten për tu sqaruar pikat që kanë të bëjnë me lejen e përdorimit të ujit ndërkohë që është sjellë pranimi për pikën e lidhjes. Jemi brenda afatit për procedurat e licencimit” tha Sadushi.
TEC-et në Gjirin e Vlorës
Kriza e energjisë që nisi nga fundi i verës 2021 arriti kulmin në vitin 2022 duke ekspozuar Shqipërinë ndaj çmimeve të çmendura në importe. KESH vendosi që të merrte me qira gjenerues termikë energjie dhe në finale pas zhvillimit të procedurave konkurruese u siguruan dy gjenerues termikë lundrues. Anijet janë të vendosura në Triport të Vlorës. Këto të fundit do të prodhojnë energji përmes naftës sipas nevojës. Kapaciteti i dy njësive është 110 MW.
Në një skenar për situatën energjetike gjatë 2023 të dhënat zyrtare tregonin se prodhimi i energjisë nga këto njësi do të kushtonte 165 milionë euro. Gjeneruesit parashikohej të prodhonin 884 GWh me një kosto prodhimi prej 185 euro/MWh.