MENU
klinika

Analiza

Tensioni midis Ukrainës dhe Evropës ndihet deri në SHBA

08.02.2023 - 17:40

Debati mbi dërgesat e armëve në Ukrainë është tashmë ciklik, tamam si një telenovelë apo si migrimet e shpendëve. Kievi po bën thirrje për një sistem të ri armësh, vendimtare për t’iu përgjigjur si duhet një ndryshimi të strategjisë së ushtrisë ruse.

Ndërkohë, vendet evropiane (me Gjermaninë dhe Italinë në krye) janë skeptike. Tensioni midis Ukrainës dhe Evropës po ndihet edhe në Uashington, duke i vënë jo pak në vështirësi qeveritë e Kontinentit të Vjetër.

Kryeqytetet e vendeve perëndimore bien dakord për dërgimin e tankeve të reja apo sistemeve kundërajrore dhe raketave me rreze të gjatë.

Por tani është radha e avionëve luftarakë. Kërkesa për dërgimin e avionëve luftarakë F-16 të prodhimit amerikan, erdhi nga zëvendësministri ukrainas i Mbrojtjes Andrei MelnIk pak minuta pas njoftimit mbi dërgimin e tankeve gjermane “Leopard 2”. Por çështja e avionëve duket se është bërë “fruti i ri i ndaluar” në marrëdhëniet midis Ukrainës dhe mbështetësve të saj perëndimorë.

Në fakt, në të dyja anët e Atlantikut ka shumë konfuzion. Nën presionin e madh të opozitës, kancelari Olaf Sholc ka deklaruar se është kundër dërgimit të avionëve dhe sipas burimeve të cilave i referohet “Financial Times”, mbështetësit e Ukrainës në Pentagon janë ende të angazhuar për të bindur krerët e Departamentit të Mbrojtjes.

Pse Ukrainës i duhen avionët luftarakë amerikanë F-16

Thënë kjo, dialektika e ekzagjeruar që shoqëroi vendimin e mëparshëm mbi dërgimin e tankeve, duket se ka bindur shumë zyrtarë dhe analistë që ta trajtojnë më me maturi këtë çështje. Presidenti francez Emanuel Makron dhe kryeministri holandez Mark Rute janë treguar të hapur ndaj diskutimit të kësaj mundësie.

Ndërsa kompania amerikane “Lockheed Martin”, ka thënë se është e gatshme ta furnizojë Ukrainën në rast nevoje (prodhuesit e “Leopard 2” kanë qenë shumë më të paqartë në lidhje me aftësinë e tyre për të prodhuar mjaftueshëm tanke, duke sugjeruar gjithsesi dëshirën për të përmbushur kërkesat politike të Berlinit).

Debati mbi avionët F-16 është më pak histerik se ai për tanket, kjo edhe për shkak të kompleksitetit objektiv teknik dhe doktrinar që mbart kjo çështje. Avioni luftarak F-16 ka shumë role.

Ai është prodhuar që në vitet 1970 dhe është përmirësuar shumë herë. Përkufizohet si “me shumë role”, edhe pse ka lindur si një avion i epërsisë ajrore – pra i projektuar për të rrëzuar aeroplanët e armikut – është i aftë të kryejë lloje të ndryshme misionesh, përfshirë sulmet kundër objektivave tokësorë.

Pse Ukrainës i duhen avionët luftarakë amerikanë F-16

Ai përdoret aktualisht nga 30 vende të botës, nga të cilat 8 janë shtete evropiane anëtare të NATO-s, duke lejuar kësisoj një mbështetje të gjerë dhe një shpërndarje të drejtë të kostove midis aleatëve, siç ishte rasti me tanket “Leopard 2”. Por trajnimi i ukrainasve për të drejtuar një avion F-16 është shumë më tepër i vështirë se ai për artilerinë ose tanket, dhe do të duheshin të paktën 6 muaj.

Krahasuar me sistemet tokësore relativisht të thjeshta, integrimi i forcave moderne luftarake ajrore kërkon një përpjekje të madhe përsa i përket organizimit. Pastaj është edhe problemi i kostove. Një avion F-16 kushton nga 12-64 milionë dollarë në varësi të modelit. Për më tepër, të gjitha variantet më të vjetra kanë një kohëzgjatje më të ulët për sa i përket orëve të fluturimit sesa homologët e tyre më të rinj.

Në planin afatmesëm dhe atë afatgjatë, Rusia duket të jetë favoritja në luftën ajrore. Mungesa e epërsisë ajrore nuk do të thotë se këtë vit nuk ka pasur luftime në ajër, përkundrazi. Su-35 dhe Mig-31 ruse kanë një rreze më të madhe se avionët ukrainas, të cilët janë në disavantazh të dukshëm në luftimin e drejtpërdrejtë.

Edhe pse me vështirësi, rusët kanë ende mundësi të zëvendësojnë avionët e rrëzuara dhe të riparojnë ata që janë dëmtuar. Ndërsa në mungesë të prodhimit vendas të avionëve dhe pjesëve rezervë, Kievi nuk mund t’i zëvendësojë ato. Mbi të gjitha, ukrainasit nuk kanë luksin të humbasin shumë pilotë.

Nëse Ukraina nuk do të jetë në gjendje të zëvendësojë avionët e saj, dhe të përmirësojë shanset e pilotëve të saj për të mbijetuar në luftime, Rusia do të ketë me siguri më shumë hapësirë veprimi për të zbutur efektet e dështimit të deritanishëm të luftës së saj.

Ndërsa nuk janë aktualisht në gjendje të imponojnë një dominim total të ajrit, rusët ka të ngjarë të përpiqen të fitojnë kontrollin e qiejve në një pjesë të vogël të sektorëve, duke i hapur rrugën ofensivave tokësore dhe gjuetisë së sistemeve ukrainase të artilerisë. Kjo është arsyeja pse debati mbi avionët F-16 ka nisur pikërisht tani.

Sepse në pranverë dhe verë, që të dyja palët do të përpiqen të nisin ofensivën e tyre. Në këtë moment, një nga prioritetet do të jetë garantimi i epërsisë ajrore vendase dhe hartimi i taktikave për të kapërcyer ngërçin e luftës pozicionale, të imponuar nga duelet e artilerisë të muajve të fundit.

Avionët ka të ngjarë të luajnë një rol qendror në këtë përpjekje përparimtare. Është e vështirë të thuhet nëse vendimmarrësit perëndimorë do të “heshtin” në lidhje me këtë çështje, siç bënë për çështjen e tankeve. Kundërshtimet e ngritura nga ata që kanë dyshime për furnizimin me avionë, qofshin F-16 apo Saab Gripens, janë që të gjitha legjitime. Në çdo rast, çështja e avionëve luftarakë do të vazhdojë të na shoqërojë nëse konflikti do të vazhdojë gjatë gjithë këtij viti.