MENU
klinika

Media franceze e paraqet situatën në veri

“Territor ku nuk funksion asgjë…”

14.02.2023 - 14:50

Pa polici dhe as gjykata ku të drejtohen, serbët në veri të Kosovës kanë mbetur pa shërbime bazike, në mesin e një vorbulle të shkaktuar nga dorëheqja masive e zyrtarëve tre muaj më parë.

Në territor nuk funksionojnë as institucionet lokale. Kështu e ka nisur raportimin agjencia franceze e lajmeve AFP rreth situatës në veri të vendit.

AFP raporton se ata që duan të divorcohen, blejnë një apartament apo të denoncojnë bashkëshortin dhunues nuk kanë ku të shkojnë.

“Nuk ka polici, askush kujt mund t’i drejtohem. Ne duhet të durojmë në heshtje. Nuk ka alternativë”, shprehet Vasilje Milojeviq për AFP, një pensionist serb 83-vjeçar që jeton në qytetin verior të Mitrovicës.

Banorët në zonat që folën për AFP thonë se ata janë detyruar gjithnjë e më shumë të kujdesen për njëri-tjetrin në mes të krizës më të re, duke këmbëngulur se situata është shqetësuese, por nën kontroll.

“Fqinjët janë këtu për njëri-tjetrin. Ne kemi edhe qen në oborrin e shtëpisë“, tha Kazagiq, 69 vjeç.

Autoritetet në Prishtinë pretendojnë se situata është nën kontroll.

Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla hedh poshtë idenë e një vakuumi sigurie, duke thënë se qeveria mbetet e aftë të sigurojë “ligj dhe rend”.

“Policia e Kosovës është më funksionale se kurrë atje”, tha Sveçla për AFP. Ka vështirësi, kjo është e qartë. Por këto vështirësi po krijohen si rezultat i veprimeve të grupeve kriminale atje, të cilat gjithashtu mbështeten dhe promovohen nga Serbia”, tha ai.

AFP citon edhe një deklaratë të kryeministrit Kurti i cili kishte thënë se Beogradi po përdorë serbët e veriut për të minuar statusin demokratik të Kosovës.

Kurti ka thënë se Beogradi nuk i ka prioritet të drejtat e serbëve në veri, por ajo që Serbia kërkon është përdorimi i pranisë së serbëve për të minuar statusin demokratik të Kosovës.

“Nuk kam përshtypjen se ajo që synon Beogradi janë të drejtat e serbëve, ajo që ata kërkojnë është përdorimi i pranisë së serbëve për të minuar statusin tonë demokratik”, citohet të ketë thënë kryeministri i vendit, Albin Kurti për agjencinë franceze të lajmeve AFP në një artikull që kjo media i ka kushtuar situatës në veri.

Siç është bërë e ditur dje, interesim të vogël ka pasur për zëvendësimin e policëve në veri.

Sipas raportimeve rreth 140 pjesëtarë të komuniteteve joshumicë aplikuan në konkursin e Policisë së Kosovës për punësimin e punëtorëve të rinj në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.