Kalimi në një model turizmi më të larmishëm dhe të qëndrueshëm do të kërkojë investime të mëdha, për shembull, në marina dhe në aktivitete të orientuara drejt natyrës. Shqipëria do të duhet të adresojë pengesat e rëndësishme në infrastrukturë, duke zgjeruar lidhjet ajrore dhe rrjetet rrugore në funksion të zhvillimit të turizmit të brendshëm dhe promovimit të lëvizjes së turistëve në brendësi të vendit.
Një shembull që bie në sy është se Shqipëria ka treguar se si sektori i turizmit mund të nxisë zhvillimin ekonomik.
Pas tranzicionit të trazuar ekonomik dhe politik të vendit në vitet 1990, turizmi mbeti në nivelin periferik të ekonomisë shqiptare. Udhëtimet ndërkombëtare, akomodimi dhe shërbimet e lidhura me to, në thelb u shërbenin vizitorëve nga diaspora, që është e konsiderueshme për Shqipërinë.
Megjithatë, në vitet 2000, disa operatorë të mëdhenj të turizmit europian filluan të dallonin potencialin e Shqipërisë për t’iu bashkuar destinacioneve të Mesdheut, me diell dhe rërë, por shpesh të mbipopulluara. Kjo u pasua me një valë investimesh dhe midis viteve 2000 dhe 2019, numri i hoteleve, dhomave dhe shtretërve u rrit më shumë se dhjetëfish.
Gjatë dy dekadave të fundit, kontributi i turizmit dhe sektorit të udhëtimeve në Produktin e Brendshëm Bruto (PBB) të vendit është rritur dhe ka arritur në më shumë se 8%, duke krijuar vende pune dhe duke gjeneruar 38% të totalit të eksporteve.
Duke hedhur vështrimin mbrapa, 2019-a ishte viti më i mirë i Shqipërisë për turizmin me 6.4 milionë vizitorë të huaj dhe 2.3 miliardë dollarë të ardhura të gjeneruara. E ardhmja dukej premtuese.
Por fatkeqësisht, kur COVID-19 përfshiu gjithë botën, numri i vizitorëve nga bota ra me 60% dhe të ardhurat e sektorit ranë në 1.1 miliardë dollarë, ku vetëm në tremujorin e dytë të 2020, nënsektori i akomodimit ra me 75%. Ndërkohë që 10% e bizneseve shqiptare raportuan mbylljen, 60% të tyre gjeneruan më pak se 10% të të ardhurave të vitit 2019, dhe më shumë se gjysma e punonjësve në sektor u pushuan nga puna.
Fatmirësisht, ndërsa kufizimet e udhëtimit u lehtësuan dhe ekonomitë nisën përpjekjet për rimëkëmbje, sektori i turizmit rilulëzoi përsëri gjatë verës së vitit 2021 me ardhjen e 5.7 milionë vizitorëve të huaj dhe me të ardhurat nga turizmi, të cilat arritën nivelet e para pandemisë.
Por në kohën kur sektori i turizmit po e gjente veten, pushtimi i Rusisë ndaj Ukrainës i dha atij një goditje të dytë. Lajm i mirë është se pavarësisht luftës, vera e vitit 2022 ka qenë edhe më e mirë. Deri në tetor, vendi priti 6.8 milionë vizitorë, me të ardhura të parashikuara prej më shumë se 3.3 miliardë dollarësh.
Ndërsa rimëkëmbja ishte e shpejtë dhe e jashtëzakonshme, COVID-19 ekspozoi pamundësinë për t’u mbrojtur të sektorit të turizmit ndaj goditjeve të jashtme, duke nxjerrë në pah nevojën për një sektor turizmi më të larmishëm, elastik dhe të qëndrueshëm.
Sfidat
Tani që hotelet, restorantet dhe operatorët janë rimëkëmbur nga ndikimet ekonomike të pandemisë, ato po përballen me tre pengesa kryesore:
-Personeli: Në një kohë kur ndikimi i pandemisë për sa i përket numrit të vizitorëve dhe të ardhurave nuk ekziston më, ai ka përkeqësuar situatën në lidhje me mungesën e personelit të kualifikuar.
Kliton Gërxhani, kryetar i Shoqatës Shqiptare të Operatorëve të Turizmit (ATOA) dhe bashkëpronar i Albania Holidays DMC, thekson se “ndonëse pa shkollat e duhura turistike, ne kemi investuar shumë në trajnimin e stafit tonë në punë gjatë pesë deri në dhjetë vitet e fundit. Megjithatë, ne u detyruam ta linim stafin të largohej – në fillim stafin më të ri dhe më pas, ata më me përvojë”.
Mungesa e aftësive vazhdoi të ndikojë në industri edhe në vitin 2022. Ndërsa sektori u përpoq të rikthente stafin pas rimëkëmbjes së turizmit në Europë, shumë prej tyre kishin gjetur tashmë punë në sektorë të tjerë, ose ishin zhvendosur jashtë vendit, gjë që solli uljen e kapacitetit të shërbimit.
Ofrimi i kurseve të trajnimit për sektorin e akomodimit, si dhe për aktivitetet detare, mund t’i japin zgjidhje problemit të mungesës së aftësive nëpërmjet programeve të trajnimit që pajisin me certifikata të njohura ndërkombëtare.
–Lufta në Ukrainë: Ndërsa lufta nuk ka ndikuar në numrin e përgjithshëm të vizitorëve në vend, ajo ka shkaktuar probleme logjistike dhe furnizimi për industrinë. Ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit dhe rritja e çmimeve të ushqimit dhe naftës kanë rritur kostot, duke bërë që një pjesë e të ardhurave të sektorit në vitin 2022 të shkojë për mbulimin e tyre. COVID-19 dhe lufta në Ukrainë kanë ndryshuar edhe sjelljen e turistëve me një rritje të konsiderueshme të anulimeve të rezervimeve, duke ndikuar në planifikimin dhe logjistikën e furnizimeve dhe menaxhimin e rezervimeve, dhe duke nxjerrë në pah nevojën për dixhitalizim.
-Mundësitë dhe Markat: Shqipëria njihet si një destinacion plazhi për turistët që zakonisht parapëlqejnë qëndrime më të shkurtra me nivele të ulëta shpenzimesh individuale – një profil që tregon një zinxhir vlerash turistike të palarmishme dhe me një gamë të kufizuar atraksionesh dhe aktivitetesh.
Fatkeqësisht, nënsektori i “turizmit blu” të Shqipërisë, duke përfshirë shëtitjen me varkë, zhytjen, peshkimin rikrijues dhe sportet ujore, mbetet kryesisht i pazhvilluar. Për më tepër, pavarësisht trashëgimisë kulturore unike të Shqipërisë, turizmi kulturor përfaqëson një pjesë të vogël të industrisë.
Projektimi i së ardhmes së turizmit
Raporti i publikuar së fundmi, “Diagnostikimi i Sektorit Privat në Shqipëri (CPSD)”, i përgatitur nga IFC dhe Banka Botërore, nxjerr në pah mundësitë e shumta për investime në sektorin privat. Ai thekson nevojën për hartimin e politikave të forta, që mund të përcaktojnë rrugën për një sektor turizmi me vlera të shtuara më të larta, më të larmishëm dhe të qëndrueshëm.
Pandemia solli zhvendosje në preferencat turistike, nga turizmi masiv në turizmin e grupeve të vogla me bazë në natyrë, e cila mund të jetë një mundësi e mirë për Shqipërinë. Vendi mund të ripozicionojë sektorin e tij të turizmit, duke hyrë në tregje të reja dhe duke u riemërtuar si një destinacion për turizëm të veçantë dhe të një niveli cilësor.
Më tej, kombinimi i turizmit blu në zonat bregdetare me turizmin e orientuar drejt natyrës, ushqimit dhe kulturës në pyjet malore të vendit dhe fshatrat e ruajtura mirë mund të rrisë shpenzimet mesatare individuale, kohëzgjatjen mesatare të qëndrimit, të minimizoje sezonalitetin dhe të lehtësojë presionin në zonat turistike të mbipopulluara.
Zbatimi i strategjisë së turizmit blu mund të sjellë rritjen e numrit të turistëve nga bota me 208,000 në vit dhe të ardhurat nga turizmi, me mbi 400 milionë dollarë në vit.
Megjithatë, kalimi në një model turizmi më të larmishëm dhe të qëndrueshëm do të kërkojë investime të mëdha, për shembull, në marina dhe në aktivitete të orientuara drejt natyrës. Shqipëria do të duhet të adresojë pengesat e rëndësishme në infrastrukturë, duke zgjeruar lidhjet ajrore dhe rrjetet rrugore në funksion të zhvillimit të turizmit të brendshëm dhe promovimit të lëvizjes së turistëve në brendësi të vendit.
Shqipëria do të ketë nevojë për investime në menaxhimin e ujit dhe mbetjeve, si dhe politika e masa mbrojtëse mjedisore për të siguruar qëndrueshmërinë e destinacioneve të saj turistike. Rritja e turizmit ekologjik dhe kulturor do të kërkojë akomodim të specializuar dhe infrastrukturë mbështetëse për parqet kombëtare të vendit, fshatrat në brendësi dhe vendet e trashëgimisë kulturore.
Për më tepër, do të jetë thelbësor zhvillimi i një fuqie punëtore të kualifikuar, mbështetja e bizneseve me inovacion dhe transferim teknologjie dhe përmirësimi i aksesit në financa për operatorët turistikë.
Me mbështetjen e fortë të qeverisë, me investime në infrastrukturë dhe në kohën e duhur, si dhe me politika e rregullime ligjore efektive, sektori privat mund të kontribuojë në fuqizimin e sektorit të turizmit, duke e kthyer Shqipërinë në një destinacion kryesor turistik, por duke ruajtur ndërkohë asetet natyrore dhe kulturore./ Monitor
*Nga Raha Shahidsaless, Fernando Blanco, Stefka Slavova dhe Laura Qorlazja