MENU
klinika

Një raund i ri dialogu në Ohër

18 marsi po vjen: Kurti i gatshëm për marrëveshje

10.03.2023 - 12:55

Kryeministri i Kosovës, Abin Kurti, ka thënë se është i gatshëm të nënshkruajë Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Këtë qëndrim Kurti e ka shprehur edhe dje gjatë takimit me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

Në njoftimin e Qeverisë së Kosovës, u bë e ditur se kryeministri Kurti ka shprehur pritjen që Bashkimi Evropian në takimin e radhës të punojë për përfundimin e procesit me Marrëveshjen për Normalizim.

Edhe emisari evropian Lajçak takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e quajti konstruktiv, të rëndësishëm dhe shumë të frytshëm, gjersa para mediave theksoi se pritshmëritë e tij në takim me të parin e ekzekutivit janë përmbushur sa i përket asaj se si e sheh Kosova zbatimin e planit të Propozimit evropian për Marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Me kryeministrin Kurti patëm një bisedë konstruktive, shumë të rëndësishme dhe të dobishme. Po ashtu u takova me presidenten Osmani, me të cilën pata bisedë dhe do të takohem edhe me krerët e opozitës dhe bashkësinë ndërkombëtare. Qëllimi kryesor i kësaj vizite është që të marrë informacione se si Kosova e sheh zbatimin dhe ky takim ka përmbushur pritjet e mia në këtë kontekst”, ka theksuar Lajçak.

Nga ana tjetër, presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha në Beograd se, siç u shpreh ai, nuk do të nënshkruajë kapitullimin e Serbisë.

Vuçiq konfirmoi ardhjen e të dërguarit special të BE-së në Beograd të hënën më 13 mars, i cili do të qëndrojë në kryeqytetin e Serbisë deri të mërkurën.

“Ju do të shihni një takim 30-minutësh, por unë do të kaloj dy ditë duke punuar me të dhe duke u përpjekur të gjej një lloj rruge në përparimin drejt normalizimit,” tha Vuçiq.

Vuçiq ka përsëritur pohimet se, siç është shprehur ai, kryeministri i Kosovës është i vendosur që të mos e formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

“Që është e lehtë për të, tregon vendimi për heqjen e vizave të BE-së për qytetarët e të ashtuquajturës Kosovë. Momenti në të cilin po ndodh kjo tregon se ata nuk janë të gatshëm të bëjnë presion ndaj Kurtit, por po e inkurajojnë atë të mos i kryej obligimet e tij”, ka thënë Vuçiq.

Një raund i ri dialogu në Ohër
Gjatë ditës së djeshme u konfirmua edhe zyrtarisht se raundi i ri i dialogut Kosovë-Serbi do të mbahet më 18 mars në Ohër, ku me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, Kurti e Vuçiq do të kenë ballafaqimin e radhës.

Bashkimi Evropian njoftoi të enjten se edhe Kurti edhe Vuçiq konfirmuan pjesëmarrjen e tyre në takimin e thirrur nga Borelli.

“Përfaqësuesi i Lartë dhe i dërguari i posaçëm Miroslav Lajçak do të kenë takime të ndara me liderët, pas së cilës do të mbahet një takim i përbashkët trepalësh. Takimi do të fokusohet në finalizimin e aneksit për zbatimin e marrëveshjes së BE-së në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha zëdhënësi Peter Stano.

Propozimi i BE-së nuk u nënshkrua më 27 shkurt në Bruksel, megjithëse të dy palët ranë dakord për tekstin e tij.

Kryeministri i Kosovës Kurti deklaroi se ishte i gatshëm ta nënshkruante, por pala serbe nuk e dëshironte.

Më 2 mars, BE-ja njoftoi se, pasi të dyja palët u pajtuan për propozimin, nuk kishte nevojë për diskutime të mëtejshme dhe se dokumenti tani “është bërë Marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Thuhet se Lajçak përmes vizitave në Kosovë dhe Serbi do t’i ndihmojë palët që të finalizojnë diskutimet për krijimin e udhërrëfyesit për zbatimin e propozimit evropian.

BE-ja pret gjithashtu një raport nga seanca e Këshillit Evropian më 23 dhe 24 mars nëse Beogradi dhe Prishtina janë pajtuar për zbatimin e propozimit për normalizimin e marrëdhënieve.

Propozimi evropian, i cili ka mbështetjen e vendeve perëndimore, përbëhet nga njëmbëdhjetë pika dhe synon zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy palëve.

Aty nuk përmendet në mënyrë eksplicite njohja reciproke, por neni i dytë thotë se palët duhet të respektojnë pavarësinë, autonominë dhe integritetin territorial, të drejtën për vetëvendosje, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin. /Reporteri

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Nuk firmos kapitullimin e Serbisë…"

BE liberalizoi vizat për Kosovën, reagon Vuçiç