MENU
klinika

Vendimi

Dritë jeshile për Kosovën, miratohet liberalizimi i vizave

09.03.2023 - 15:30

Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian ka miratuar këtë të enjte në unanimitet, liberalizimin e vizave për Kosovën. Rregullat e reja do t’i lejojnë qytetarët të Kosovës të udhëtojnë në BE pa vizë për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore.

Siç sqaron faqja zyrtare e Këshillit të Evropës, përjashtimi nga kërkesa për vizë do të zbatohet që nga data kur Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) hyn në veprim ose nga 1 janari 2024, cilado që të vijë e para.

Rregullat e reja tani duhet të miratohen nga Parlamenti Evropian përpara se të nënshkruhen dhe publikohen në gazetën zyrtare të Bashkimit Europian.

“Kosova ka bërë përpjekje të mëdha për të përmirësuar menaxhimin e sigurisë dhe migracionit dhe për të harmonizuar politikën e saj të vizave me atë të BE-së. Shpresojmë që bashkëpunimi ynë në këto fusha të vazhdojë të jetë i frytshëm”, tha ministrja suedeze për Migracionin, Maria Malmer Stenergard

“Kosova ka bërë përparim të dukshëm në të gjitha blloqet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Në bazë të këtij vlerësimi, Komisioni propozoi heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave të lëshuara nga Kosova. Përjashtimi nga kërkesa për vizë do të sigurojë që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të jetë nën të njëjtin regjim vizash”, thuhet në faqen zyrtare të KE-së.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Deklarata e fortë e të dërguarës së Gjermanisë

“Ballkani i Hapur të mos dublojë procesin e Berlinit”