MENU
klinika

Analiza

A ka depërtuar Ukraina në rrethin e ngushtë të Putinit?

06.03.2023 - 18:02

Të enjten e javës së kaluar, kreu i shërbimit sekret të Ukrainës, Kililo Budanov, deklaroi gjatë një intervistë për “Ukrainian Pravda” se anëtarët e rrethit të ngushtë të presidentit rus Vladimir Putin janë angazhuar tani si spiunë për Ukrainën, pasi e kanë tradhtuar shefin e tyre.

Megjithatë, ky pretendim nuk ka gjasa të jetë i vërtetë. Përkundrazi, ka më shumë të ngjarë që me deklarata të tilla agjencia ukrainase e spiunazhit ta çekuilibrojë Putinin psikologjikisht duke e nxitur atë të ndjekë fantazmat dhe të vetësabotohet.

Ndërsa është e besueshme që ukrainasit mund të kenë infiltruar spiunë në qeverinë ruse, këta agjentë të dyfishtë ka të ngjarë të eliminohen nga Putin. Është tejet e vështirë të rekrutosh një spiun që është njëkohësisht një person shumë i afërt me Putinin.

Rrethi i tij i brendshëm është shumë i vogël dhe anëtarët e tij janë nën një mbikëqyrje të fortë. Agjencia e brendshme ruse e kundërzbulimit, FSB, përdor një sistem të mbikëqyrjes teknike SORM që përgjon telefonatat, monitoron mesazhet me tekst dhe e-mailet dhe gjurmon të gjitha komunikimet në internet të rusëve që mbajnë poste më rëndësi. Po ashtu edhe të huajt, veçanërisht diplomatët amerikanë dhe perëndimorë, oficerët e inteligjencës dhe biznesmenët, mbikëqyren vazhdimisht.

Udhëtimi jashtë vendit është i kufizuar për aleatët më të ngushtë të Putinit, për shkak të sanksioneve ekonomike të vendosura ndaj tyre nga SHBA-ja dhe vendet europiane, gjë që e vështirëson akoma më shumë rekrutimin. Për më tepër, prania e kudondodhur e teknologjisë në ditët e sotme e ka dobësuar shumë aftësinë e spiunëve dhe ndërlidhësve të tyre që të takohen dhe komunikojnë në mënyrë të fshehtë.

A i ka infiltruar Ukraina agjentët e saj sekretë në rrethin e

Së fundi, kundërzbulimi rus është ndër më brutalët në botë. Rreziku për të punuar për palën kundërshtare është jashtëzakonisht i lartë, gjë që e ul më tej numrin e vullnetarëve.

Nëse zbulohet, një person i tillë do të eliminohej menjëherë. Në kulmin e Luftës së Ftohtë, KGB-ja sovjetike ekzekutoi 10 shtetas rusë që punonin si agjentë të dyfishtë për CIA-n amerikane. Midis tyre ishte Oleg Vladimiroviç Penkovski, i njohur me emrin e koduar Heroi, një kolonel i inteligjencës ushtarake sovjetike, që u dha sekrete shumë të vlefshme ushtarake, politike dhe ekonomike inteligjencës dhe shërbimeve amerikane dhe britanike.

I motivuar nga shmangia e një lufte bërthamore midis SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik, Penkovski luajti një rol të madh në aftësinë e Uashingtonit për të manovruar si duhet gjatë Krizës së Raketave Kubane të vitit 1962. Sovjetikët e ekzekutuan më 17 maj 1963.

Nëse inteligjenca ukrainase do të kishte depërtuar në rrethin e brendshëm të Putinit, Budanov nuk do ta kishte zbuluar kurrë publikisht këtë fakt. Sepse kur ke një burim njerëzor në zemër të qeverisë së kundërshtarit, ju do të bëni gjithçka për ta mbrojtur atë dhe për të ruajtur kanalet përme së cilave dërgon sekretet.

Në këto kushte pretendimi i bujshëm i Budanov është më në përputhje me një PSYOP, një operacion psikologjik që synon ta çekuilibrojë psikologjikisht Putinin dhe të hedhë hije dyshime mbi aparatin rus të sigurisë. Qëllimi është që Moska të detyrohet të nisë një gjueti brenda njerëzve të saj, duke e larguar disi vëmendjen nga objektivi kryesor, Ukraina.

Duke luajtur me natyrën tepër dyshuese të Putinit, inteligjenca ukrainase dëshiron që rusët të nisin një rishikim gjithëpërfshirës të organeve të sigurisë, dhe sidomos atyre që qëndrojnë pranë Putinit. Ky proces do të kërkonte përforcim të mbikëqyrjes, të marrjes në pyetje, përdorimin e detektorëve të gënjeshtrës dhe procedurave të tjera të sigurisë.

Por verifikime të tilla shterojnë burimet, e demoralizojnë personelin dhe e zhvendosin fokusin nga një objektiv i jashtëm, një kundërshtar i huaj te kërcënimi i brendshëm. Gjatë kohës më të rrezikshme të Luftës së Ftohtë, CIA ra pre e një skeme të gjerë të kundërzbulimit sovjetik, e cila e paralizoi agjencinë.

A i ka infiltruar Ukraina agjentët e saj sekretë në rrethin e

Duke përdorur taktikën e “dezertorëve të rremë”, dhe duke luajtur me mendësinë konspirative nga e cila vuante kreu legjendar i kundërspiunazhit amerikan, Xhejms Engëllton, KGB-ja sovjetike nxiti një “gjueti shtrigash” të madhe brenda vetë CIA-s. Në qendër të saj ishte historia e dy dezertorëve sovjetikë, Juri Nosenko dhe Anatoli Golicin.

Nosenko, një operativ i KGB-së, dezertoi në Gjenevë të Zvicrës në janarin e vitit 1964, pak javë pas vrasjes së presidentit Xhon Kenedi në Dallas. Ai e bindi CIA-n që ta çonte të jetonte në SHBA në këmbim të informacioneve mbi lidhjet midis vrasësit të Kenedit, Li Harvi Osvald dhe KGB-së.

Gjatë seancave të marrjes në pyetje, Nosenko u tha hetuesve se lidhja KGB-Osvald ishte e papërfillshme dhe se Bashkimi Sovjetik nuk kishte asnjë lidhje me vrasjen e presidentit amerikan. Por Engëllton besonte se Nosenko ishte një “dezertor i rremë” i dërguar enkas nga sovjetikët për ta futur në konfuzion qeverinë amerikane.

CIA e mbajti Nosenkon në izolim në një nga bazat e saj sekrete pranë Uilliamsburgut në Virxhinia. Ai qëndroi në izolim për 3 vjet dhe iu nënshtrua seancave të rënda pyetje-përgjigje që u portretizuan më vonë në spiunin e njohur “The Good Shepherd”.

Engëllton u ndikua shumë në qasjen e tij nga një dezertor tjetër sovjetik, Golicin, i cili u evakuua nga CIA nga Helsinki i Finalandës në vitin 1961, dhe deklaratat e të cilit cilësoheshin si të vërteta. Gjatë dëshmisë së tij, Golicin pretendoi se CIA ishte depërtuar nga spiunët sovjetikë dhe se KGB-ja do të dërgonte pasues dezertorë të rremë, të cilët do të përpiqeshin ta diskreditonin atë dhe informacionin që ai i kishte dhënë agjencisë.

Debatet mbi besueshmërinë e dy dezertorëve shkaktuan një përplasje të ashpër brenda agjencisë, duke shkaktuar një ndarje në 2 kampe brenda Drejtorisë mbi Rusisë të CIA-s: ata që mendonin se Nosenko ishte një “spiun” sovjetik dhe ata që mendonin se ai ishte vërtetë një dezertor. Gjuetia e shtrigave e shkatërroi aftësinë operacionale dhe analitike të agjencisë, pasi shumë ekspertë të BRSS u pushuan nga puna.

Përpara pretendimit të tij të fundit, Budanov deklaroi për televizionin amerikan “ABC” në janar se Putin vuan nga një kancer terminal dhe se “do të vdesë shumë shpejt”, duke kundërshtuar deklaratat e dhëna në korrik 2022 të kreut aktual të CIA-s, Uilliam Bërns, që tha se Putin është “plotësisht i shëndetshëm”.

Ndërkaq të dielën e kaluar presidenti ukrainas Volodimir Zelenski parashikoi se regjimi i Putinit do të bjerë për shkak të një rebelimi të njerëzve të tij, të cilët do ta “gjejnë një arsye për ta vrarë vrasësin”. Një operativ shumë i trajnuar i KGB-së, Putin është një objektiv jashtëzakonisht i vështirë për t’u arritur, sepse ai është shumë i vetëdijshëm se është një objektiv kryesor për inteligjencën e Ukrainës dhe atë perëndimore.

Të martën, ai i bëri thirrje agjencisë së tij të sigurisë së brendshme, FSB, që të forcojë punën e saj kundër spiunazhit, në mënyrë që të “ndalojë grupet sabotuese të Ukrainës”. Ai e njeh manualin e lojërave të spiunazhit dhe nuk shqetësohet shumë për ndonjë spiun të fshehur brenda rrethit të tij të afërt.

Gjithsesi, në kuadrin e taktikës së marrëdhënieve me publikun, agjenti i KGB-së po i kundërsinjalizon popullit të tij dhe Perëndimit se ai ka nën kontroll spiunët që po punojnë për ukrainasit. Tani që lufta ka hyrë në vitin e saj të dytë, Putin gjendet nën një presion të madh.

Përpjekjet e Ukrainës për të zbuluar nëse Putin është po aq i pathyeshëm sa përpiqet ta portretizojë veten, dhe për të mbjellë dyshime në rrethin e tij të brendshëm, janë krejtësisht të arsyeshme. Por nuk ka gjasa që një ‘James Bond’ ukrainas të jetë brenda në Kremlin.

Rebekah Koffler, ish-zyrtare e inteligjencës në DIA, dhe autore e librit “Manuali i  Putinit: Plani sekret i Rusisë për të mposhtur Amerikën”.

Burimi: Fox News