MENU
klinika

Rreziku nga lindja e parakohshme

A ndikon stresi gjatë shtatzënisë tek foshnja?

28.03.2023 - 11:30

Është normale të ndjeni pak stres gjatë shtatzënisë. Trupi po kalon shumë ndryshime dhe ndërsa hormonet ndryshojnë, po ashtu edhe disponimi juaj.

Stresi i tepërt mund t’ju bëjë të keni probleme me gjumin, dhimbje koke, humbje të oreksit ose tendencë për të ngrënë tepër – të gjitha këto mund të jenë të dëmshme për ju dhe fëmijën në zhvillim.

Nivelet e larta të stresit mund të shkaktojnë gjithashtu presion të lartë të gjakut, i cili rrit mundësinë tuaj për të pasur lindje të parakohshme ose një foshnjë me peshë të ulët në lindje.

Ju duhet të flisni për stresin me mjekun dhe të dashurit tuaj. Nëse jeni duke ndier stres për shkak të pasigurisë ose frikës për t’u bërë nënë, duke përjetuar stres të lidhur me punën ose duke u shqetësuar për abortin spontan, bisedoni me mjekun gjatë vizitave tuaja para lindjes.

Çrregullimi i stresit post-traumatik (PTSD) dhe shtatzënia

PTSD është një lloj stresi më serioz që mund të ndikojë negativisht tek fëmija. PTSD ndodh kur keni probleme pasi keni parë ose keni kaluar një ngjarje të dhimbshme, si përdhunimi, abuzimi, një fatkeqësi natyrore ose vdekja e një personi të dashur.

Ju mund të përjetoni:

  • Ankth
  • Rikthime dhe kujtime shqetësuese
  • Makthet
  • Reagime të forta fizike ndaj situatave, njerëzve ose gjërave që ju kujtojnë ngjarjen
  • Shmangia e vendeve, aktiviteteve dhe njerëzve që dikur ju pëlqenin
  • Ndjeheni më të vetëdijshëm për gjërat
  • Ndjesi faji

PTSD gjatë shtatzënisë rrit rrezikun e lindjes së parakohshme dhe peshës së ulët të lindjes. PTSD gjithashtu rrit rrezikun për sjellje të tilla si pirja e duhanit dhe pirja e alkoolit, të cilat kontribuojnë në probleme të tjera.

Reduktimi i stresit është i rëndësishëm për parandalimin e problemeve gjatë shtatzënisë dhe për zvogëlimin e rrezikut për problemet shëndetësore që mund të ndikojnë tek fëmija në zhvillim. Identifikoni burimin e stresit tuaj dhe ndërmerrni hapa për ta hequr ose pakësuar atë. Sigurohuni që të bëni mjaftueshëm ushtrime (nën mbikëqyrjen e mjekut), të hani ushqime të shëndetshme dhe të flini shumë.

Disa gra përjetojnë trishtim dhe/ose ankth ekstrem gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes. Shumë burime informacioni dhe mbështetje janë në dispozicion për të ndihmuar gratë që përjetojnë depresion ose ankth. Flisni me ofruesin tuaj të kujdesit shëndetësor nëse ndiheni të mbingarkuar, të trishtuar ose të shqetësuar. Trajtimi dhe këshillimi mund të ndihmojnë shumë.