MENU
klinika

Përshëndet vendimin

Akuzat për krime lufte ndaj Putin/ Scholz: Askush nuk është mbi ligjin

18.03.2023 - 14:36

Kancelari gjerman Olaf Scholz përshëndeti vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) për lëshimin e një urdhër-arresti për presidentin rus Vladimir Putin. Ai deklaroi se ky vendim dëshmon më së miri faktin se askush nuk është mbi ligjin.

“Gjykata Ndërkombëtare Penale është institucioni i duhur për të hetuar krimet e luftës… Fakti është se askush nuk është mbi ligjin dhe kjo është ajo që po bëhet e qartë tani,” tha Scholz në një konferencë të përbashkët shtypi në Tokio me kryeministrin japonez Fumio Kishida.

Një urdhër-arresti u lëshua gjithashtu edhe për Maria Alekseyevna Lvova-Belova, komisionerja e Rusisë për fëmijët, me akuza të ngjashme për krime lufte. Sipas burimeve nga gjykata në Hagë, nëse Putin dhe komisionerja shkelin në një nga 123 shtetet anëtare të GJPN-së, atëherë autoritetet në ato vende do të jenë të detyruara t’i arrestojnë dhe transferojnë në Hagë. Kremlini tha se Rusia, e cila nuk e njeh GJPN-në, i konsideroi akuzat e ngritura nga gjykata të papranueshme. Megjithëse Rusia dhe SHBA dikur ishin nënshkruese të Statutit të Romës traktati që themeloi GJPN SHBA nuk e ka ratifikuar kurrë marrëveshjen, ndërsa Rusia u tërhoq pas kritikave të gjykatës për aneksimin e Krimesë në vitin 2014. Krahas urdhër-arrestit të GJPN-së, SHBA-ja veçmas ka arritur në përfundimin se forcat ruse kanë kryer krime lufte në Ukrainë.