MENU
klinika

SHBA 'shkund”' Beogradin

Amerikanët shuajnë çdo plan të Vuçiçit për Prishtinën

10.03.2023 - 13:25

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, po gjendet në një situatë shumë të vështirë, pasi ndërkombëtarët në javët në vazhdim nuk do ta tolerojnë politikën e tij me dy karrige. Mesazhi i qartë nga SHBA për Beogradin erdhi ditën e djeshme. Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë se Vuçiç do detyrohet të pranojë se Kosova është e pavarur dhe asnjë gjë tjetër nuk mund ta ndryshojë këtë gjë. SHBA po bëjnë thirrje për finalizimin e shpejtë të “njohjes reciproke” ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ned Price, duke folur në emër të Sekretarit Blinken, i tha Pavlovic Today se Shtetet e Bashkuara duan që “ Propozimi i BE-së, marrëveshja në rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ” të rezultojë përfundimisht në “njohje reciproke”. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price deklaroi se Uashingtoni beson se dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës duhet të çojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, e cila do të hapë derën e integrimit evropian dhe është thelbësore për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin më të madh të Ballkanit Perëndimor.

Mesazhi i qartë i SHBA
Pala serbe ka deklaruar se zbatimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, një dispozitë e Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 që ende nuk është përmbushur, duhet të jetë pika e parë e rendit të ditës. I pyetur nga The Pavlovic Today se me çfarë rendi do të trajtohet zbatimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Price tha se marrëveshja për aneksin e zbatimit është thelbësore për normalizimin sipas këtij propozimi të BE-së. “Progresi drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe mbetet kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një vend sovran, multietnik dhe i pavarur i integruar në strukturat euroatlantike,” tha Price. Ne besojmë se marrëdhëniet e normalizuara duhet të përqendrohen në njohjen eventuale reciproke”, tha Price. “Ky është një proces i udhëhequr nga BE-ja. Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur aleatët tanë në Bashkimin Evropian në çdo mënyrë që mundemi. Ne kemi qenë të pranishëm në këto bisedime. Gabe Escobar , Zëvendës Ndihmës Sekretari ynë, ka qenë i angazhuar në mënyrë aktive edhe me palët dhe do të vazhdojë të bëjë çfarë mundemi për të mbështetur këtë proces. Kjo, përsëri, ka ecur përpara në mënyra të rëndësishme, me disa punë të vështira përpara.” Lidhur me afatin kohor për njohjen reciproke dhe sa larg jemi saktësisht nga kjo që të ndodhë, Price i tha Pavlovic Today se administrata e Biden dëshiron që çështjet dhe tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “të zgjidhen sa më shpejt të jetë e mundur”, por se ata nuk mund të përcaktojnë një specifikë, afati kohor. “Ne duam që këto çështje, këto tensione mes Kosovës dhe Serbisë të zgjidhen sa më shpejt të jetë e mundur”, u përgjigj Price.

Takimi në Ohër
Zyra e Bashkimit Evropian ka bërë të ditur dje agjendën e takimeve të 18 marsit që do të mbahen në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Atje do të jetë i pranishëm Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell bashkë me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak. Gjithashtu dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, të cilët e kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Borell dhe Lajcak fillimisht do të mbajnë takime të ndara me Kurtin dhe Vuçiçin e që më pas do të pasohet me një takim të nivelit të lartë trepalësh. Ky takim në Ohër vjen pas atij në Bruksel ku dy shtetet janë pajtuar për planin franko-gjerman. “Të shtunën më 18 mars, Përfaqësuesi i Lartë/Zëvendëspresidenti Josep Borrell do të thërrasë një takim të nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë në Ohër, Maqedoni e Veriut. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Kosovë, Albin Kurti konfirmuan pjesëmarrjen e tyre. Përfaqësuesi i Lartë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së Miroslav Lajçak do të zhvillojnë takime të veçanta me liderët, pasuar nga një takim i përbashkët trepalësh. Takimi do të fokusohet në finalizimin e Aneksit Zbatues të Marrëveshjes së BE-së për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në deklaratën e publikuar nga BE.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN