MENU
klinika

Rrëmbimi, vrasja e zhdukja e Jan Prengës

Apeli i GJKKO konfirmon dënimin burg përjetë për kopshtarin e kompleksit ‘Golden’

20.03.2023 - 17:34

Është lënë në fuqi vendimi për Festim Bexhdilin, i akuzuar për rrëmbimin me pasojë vdekjen të Jan Prengës, janarin e vitit 2020. Jan Prenga u rrëmbye mesditën e 17 janarit 2020 pranë banesës së tij, në rrugën ‘London’ në Kamëz.

Disa persona e dhunuan dhe e futën me forcë në një automjet, ndërsa 11 ditë hetime intensive e çuan policinë në një resorti në Shijak, në pronësi të Altin Hajrit.

Për pengmarrjen uniformat blu arrestuan 4 persona: Olsi Turja dhe Bajram, Elton e Leonard Hajri të gjithë nga Shijaku.
Sipas SPAK, rrëmbimi i Prengës erdhi për shkak të vjedhjes së një sasie kokainë të mbërritur nga Ekuadori në portin britanik Portsmouth. Ka dyshime se Festim Bexhdili di vendin ku mund të jetë groposur Jan Prenga.

NJOFTIMI:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja (kryesues), Iliriana Olldashi (anëtare) dhe Miliana Muça (anëtare), sot më datë 20.03.2023, përfundoi shqyrtimin e çështjes së regjistruar me nr. 25 akti, datë 07.02.2022 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesi/i pandehuri Festim Bexhdili., kundër vendimit nr. 53, datë 29.09.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka vendosur:

“1. Deklarimin fajtor të të pandehurit F.B., për kryerjen e veprës penale “Rrëmbimi apo mbajtja peng e personit” kur është shkaktuar vdekja, e kryer në bashkëpunim ne formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal parashikuar nga neni 109/3 – 28/4 të Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

Deklarimin fajtor të të pandehurit F.B., për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa lejë dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” e kryer në bashkëpunim ne formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal parashikuar nga neni 278/4 – 28/4 të Kodit Penal dhe në lidhje me nenin 334/1 të K.Penal dënimin e tij me 7 (shtatë) vite burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit F.B., për kryerjen e veprës penale “Fshehja ose asgjësimi i kufomës’ e kryer në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal parashikuar nga neni 303 – 28/4 të Kodit Penal dhe në lidhje me nenin 334/1 të K.Penal dënimin e tij me 8 (tetë) vite burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit F.B., për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrjes, e parashikuar nga neni 333/a parag. 2 të Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim.

Në bazë të nenit 55 të K.Penal, mbi caktimin e dënimeve për kryerjen e disa veprave penale, dënimin e të pandehurit F.B. me burgim të përjetshëm.

Në bazë të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, nenet 15, 16 pika 1 gërma “a” i tij, këtë dënim i pandehuri F.B. ta kryejë në një institucion të sigurisë së lartë.

Deklarimin fajtor të të pandehurit O.T., për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 301 – 25 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim.

Në zbatim të nenit 261/1 shkronja “c” dhe 262/2 të K.Pr.Penale, shuarjen e masës së sigurimit “arrest në shtëpi” e caktuar ndaj të pandehurit O.T. me vendimin nr. 27 dt. 26.01.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për shkak se kohëzgjatja e paraburgimit është më e madhe se masa e dënimit të caktuar.

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit nr. 53, datë 29.09.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.