Vetëm tre javë pasi Xi dhe Putin shpallën “miqësinë e tyre pa kufij”, pushtimi rus i Ukrainës ka rezultuar të jetë një fatkeqësi për Moskën. Ushtria ruse nuk mundi të arrinte asnjë nga objektivat e saj fillestare dhe Perëndimi u bashkua kundër saj. Si rezultat, Xi ka qenë i kujdesshëm në lidhje me deklaratat publike për Rusinë, gjë që ishte veçanërisht e dukshme gjatë një takimi të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në shtator, kur u detyrua të pranonte se Kina ishte “e shqetësuar” për luftën. Megjithatë, marrëdhëniet kino-ruse janë kthyer gradualisht në nivelet e paraluftës që atëherë dhe vizita e Xi-t ka shërbyer pikërisht për këtë. Ka disa arsye pse ndodhi në këtë moment.
Përkeqësimi i marrëdhënieve
Së pari, marrëdhëniet midis Amerikës dhe Kinës janë përkeqësuar në mënyrë drastike. Pas ngjarjeve të këtij viti lidhur me Tajvanin, tensionet u ngritën kur Amerika shkatërroi një balonë kineze mbi hapësirë e saj ajrore. Administrata e Joe Biden iu referua si një mision spiunazhi, ndërsa Pekini tha se ishte një avion meteorologjik. Përveç kësaj, aplikacioni TikTok, në pronësi të firmës kineze Byte Dance, është kritikuar nga qeveritë perëndimore, për spiunim të përdoruesve. Tensioni është përshkallëzuar deri në pikën ku Kina sheh gjithnjë e më pak anë negative të bashkëpunimit me Rusinë, sipas Ian Bremer, një analist i njohur amerikan dhe president i firmës së konsulencës politike Eurasia Group.
Armatosja e Rusisë
Gjithashtu, Kina duket se po i ofron ndihmë direkte ushtarake Rusisë. Inteligjenca amerikane ka identifikuar organizata shtetërore kineze që po përgatiten të ofrojnë furnizime ushtarake për të mbështetur luftën. Zyrtarët amerikanë besojnë se Kina po kërkon mënyra të fshehta për ta bërë këtë. Mes dërgesave, ka jelekë antiplumb, dronë civilë, pushkë dhe materiale të tjera për rusët. Disa nga ato dërgesa janë zbuluar nga të dhënat doganore ruse, dhe disa u zbuluan publikisht nga inteligjenca amerikane.
Dobësia e Amerikës dhe Evropës
Arsyeja e dytë është edhe më e rëndësishme. Nuk i duket fundi luftës në Ukrainë, ndaj Kina e sheh atë si një mundësi për të përfituar. Sa më gjatë të “zvarritet” lufta, aq më shumë do të rraskapiten aleatët perëndimorë të Ukrainës. Bashkimi Evropian ka shprehur mbështetje për Kievin, por brenda bllokut duket se ka përçarje. Kancelari gjerman Olaf Scholz nuk u tregua lider ‘me dorë të hekurt’, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron, që akuzohet se është tepër i butë ndaj Putinit, është i preokupuar me problemet e brendshme në Francë. Po ashtu, ndarjet politike në rritje në Amerikë do të vazhdojnë të thellohen me afrimin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.
Qëllimet e vërteta të Kinës
E gjithë kjo i ofron Xi-t momentin ideal për të përdorur udhëtimin, përveçse për forcimin e marrëdhënieve me një fqinj kyç, edhe për ta pozicionuar Kinën si një superfuqi globale dhe kampione të rendit botëror shumëpolar. Në shkurt, qeveria kineze publikoi një dokument me 12 pika për zgjidhjen e konfliktit ukrainas. Dhe në prag të vizitës, Xi botoi një letër drejtuar Putinit dhe popullit rus, në të cilën ai jo vetëm vlerësoi bashkëpunimin midis Moskës dhe Pekinit, por gjithashtu theksoi “madhështinë” dhe rëndësinë individuale të të dy vendeve në skenën globale.
Aventura ruse e Xi Jinping
Në fakt, edhe pse përshtypja ishte se Xi po udhëtonte në Rusi për të negociuar një zgjidhje të konfliktit të Ukrainës, ky nuk duket se ishte fokusi i tij kryesor. Nga më shumë se 1800 fjalë të shkruara nga Xi në gazetën ruse “Rosaya Gazeta”, Ukraina u përmend vetëm tre herë në dy paragrafë. Ai i kushtoi shumë më tepër hapësirë ??lavdërimit të marrëdhënieve dypalëshe me Rusinë. Pasojat e “aventurës ruse” të Xi-t ndoshta do të shkojnë paralelisht me aspiratat e Kinës drejt më shumë poleve botërore të pushtetit, sipas Bremer. “Vendet e Jugut Global ndoshta do ta pranojnë presidentin kinez si “paqebërës”, duke mbajtur një pozicion më të fortë krahasuar me Perëndimin që po armatos Ukrainën, duke përshkallëzuar luftën dhe me sanksionet që po dëmtojnë ekonominë e vendeve në zhvillim”, shkruan ai.