Gazment Bardhi foli edhe për daljen e grupimit të tij me një kandidat për bashkinë e Tiranës, u konfirmoi emrat e Jonila Godoles dhe Roland Bejkos, por tregoi se ka edhe më shumë emra të tjerë që janë propozuar nga Kryesia.
“Negociatat me Palokën vazhduan deri sa pati një përgjigje të prerë nga zoti Berisha. Pati një refuzim të plotë për të gjetur zgjidhje, ne e ofruam zgjidhjen dhe Alibeaj doli me një qëndrim publik për ofertën tonë, por pati refuzim pa dhënë shpjegim. Ka një skenar për të përplasur demokratët mes vetes për zgjedhjet e këtij viti. Nuk ka asnjë dallim me situatën sot me atë që ndodhi në vitin 2019. Është njësoj si të mos hysh fare në zgjedhje, dhe të hysh në zgjedhje me dy kandidatë duke i dhuruar fitoren Edi Ramës.
Si do bëhemi të besueshëm për shqiptarët kur nuk merremi vesh me njëri-tjetrin. Ne kemi bërë çdo përpjekje për të pasur një kandidat dhe sërish do përpiqemi. Ka një refuzim dhe kolegët kanë vendosur të shkojnë në një parti tjetër, gjë që nuk u shkon atyre. I takon asaj pjese të PD-së, pra neve të tregojmë përgjegjshmëri për situatën ku ndodhemi. Kandidatët për Tiranën, Durrësin dhe Elbasanin kanë qenë në tryezën tonë prej disa ditësh. Do të shohim se çfarë do vendosë sot kryesia e PD-së. Bejko dhe Godole nuk janë të vetmit që janë propozuar për bashkinë e Tiranës nga strukturat, ka edhe më shumë emra. Nuk ka ende një vendimmarrje, por ka më shumë se 2 emra. Nuk mund të nxjerr dokumentet që kemi në tryezën e punës,”- tha Bardhi.