Vrasësi serial i 3 grave dhe plagosjes së 3 të tjerave, ka pasur objektiv final të kryejë 4 vrasje, plan të menduar që pas daljes nga burgu. Para hetuesve ai ka dëshmuar se në fillim donte të vriste 40-vjeçaren në Astir, por sipas tij ajo u largua dhe në dyqan u futën njerëz të tjerë.
Dan Hutra ka pretenduar se vrasjen ndaj Marjana Gurakuqit donte ta kryente për shkak të një borxhi prej 80 mijë Eurosh. Ai shtoi se nuk donte ta qëllonte me armë sepse më pas nuk realizonte dot vrasjet e tjera.
“Shkova në Kodër-Kamez, sepse doja të vrisja ish-vjehrrin, por duke qenë se nuk e gjeta në shtëpi, kam qëlluar ndaj grave. Pasi më mbaruan plumbat nxora thikën dhe sulmova me thikë.”
Mesohet se në banesë kanë qenë dy foshnje, mes tyre edhe vajza e autorit të cilat i ka vendosur mbi banak para se të kryente aktin e rëndë. Ndërkohe mësohet se viktima Hasime Dafku, kunata e ish-bashkëshortes, ishte shtatzënë. Pas kësaj ngjarje ai tregoi se kishte dy objektivë të tjerë.
“Duke qenë se e kisha më afër dhe nuk kishte trafik shkova te shtëpia e Vladimir Kurtit. U futa në banesë dhe nuk gjeta njeri, po kërkoja vëllain e Vladimir Kurtit. Kur dola në oborr thirra: A ka njeri këtu? Dhe doli motra e tij. Qëllova ndaj saj, ndërsa ndaj nënës nuk qëllova vetë, sepse nuk doja ta vrisja. Vrasjen e bëra sepse kisha sherr me vëllanë e saj në burg dhe e kisha paralajmëruar”.
Ai ka folur edhe për vrasjen e katërt që planifikoi në Sharrë të Rrahman Selës me pretendimin se kishte ndihmuar në sigurimin e armës për vrasjen e babait të tij 23 vite më parë.
“Mora makinën dhe u largova drejt Sharrës dhe rrugës jam ndeshur me disa patrulla policie te cilat shkonin drejt vendngjarjeve. Kur arrita në Kodër po prisja ardhjen e objektivit tjetër. Pas kryerjes së vrasjes së 4 unë do dorëzohesha vetë dhe do shkoja në burg.”
Kjo dëshmi pa pendesa duket se ka qartësuar dinamikën e krimit të rëndë ndodhur të mërkurën. Ndërkohë që familjarët përcollën në banesat e fundit viktimat, bënë apel për drejtësi për humbjen e jetëve të pafajshme.
Dan Hutra, një person me precedentë të shumtë penalë, shkonte dhe vinte nga Kukësi çdo ditë për të realizuar planin e mirëmenduar të ekzekutimit.