Artani, një 45-vjeçar nga Saranda, e dinte që tetorin e vitit të kaluar që mund të kishte një rritje të çmimit të patentave dhe nuk humbi kohë. I informuar nga një i njohur i tij që punonte në autoshkollë, ai u regjistrua menjëherë në kursin e shoferit për ta përfituar atë me çmimin e pandryshuar.
Artani nuk është i vetmi që u shqetësua nga rritja e çmimeve. Një vëzhgim i kryer nga BIRN në disa prej autoshkollave evidentoi se muajt e fundit ka pasur dyndje në dyert e zyrave të tyre për t’u regjistruar në kursin e patentës.
Edhe në poliklinikat e qyteteve kishte radhë të gjata, pasi qytetarë të shumtë kërkonin të pajiseshin me raportet mjekësore të nevojshme për t’u regjistruar në autoshkollë.
Fluksi i madh erdhi si pasojë e një marrëveshjeje monopoliste të nënshkruar në mesin e muajit shkurt mes Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe dy shoqata të autoshkollave që synonte rritjen e çmimit të patentës, ose siç e cilësojnë këto institucione, “vendosjen e çmimit dysheme për këtë shërbim”.
Marrëveshja u konsiderua e paligjshme nga Autoriteti i Konkurrencës, e cila vlerësoi se ‘kufizonte, pengonte apo shtrembëronte konkurrencën në treg”. Megjithatë, firmëtarët nuk duken se kanë bërë një hap pas.
Sipas marrëveshjes, shërbimi i autoshkollës parashikohej të rritej nga dy deri në tre herë në varësi të kategorive – duke e futur Shqipërinë në listën e vendeve me çmimin më të lartë të marrjes së lejes së drejtimit në raport me pagat.
Leja më e zakonshme e drejtimit është ajo e klasit B dhe një kursant tashmë paguan rreth 45.000 lekë pa përfshirë kartonin apo dokumentet e tjera shëndetësore, por kjo kosto parashikohej që të rritej në 85.000 Lekë.
Autorët e marrëveshjes për autoshkollat e justifikojnë vendimin me rritjen e çmimeve, me kaosin e tregut të autoshkollave dhe me rritjen e sigurisë.
Tonin Gjinaj nga Shoqata Kombëtare e Autoshkollave, një prej bashkëfirmosësve të marrëveshjes, thotë se autoshkollat nuk janë kartel dhe nuk fiksojnë çmime, por i konsideron çmimet e propozuara si kostot reale të aktivitetit të tyre.
Gjinaj përshkroi gjithashtu një treg kaotik të autoshkollave, të cilat nuk e bëjnë të plotë programin mësimor teorik dhe praktik.
Duke argumentuar në favor të marrëveshjes, Gjinaj thotë se situata në sektorin e autoshkollave është në gjendjen e saj më të keqe “dhe ka prekur fundin”.
“Ky sektor është i degraduar, ka shumë evazion fiskal dhe tregu nuk është i formalizuar, por punojnë sekserët dhe mashtruesit,” tha Gjinaj për BIRN.
Gjinaj deklaroi gjithashtu se programi mësimor për marrjen e patentës është i mangët, pasi kostot janë të larta dhe shumë autoshkolla dalin me humbje. “Në fund të muajit ne dalim me zero, nuk kemi mundësi të blejmë një mjet, nuk kemi të paguajmë taksat,” shtoi ai.