MENU
klinika

Zgjedhjet e 14 majit

KQZ nuk e regjistron, PD-ja bën ankimim në KAS

14.03.2023 - 20:30

Partia Demokratike, me përfaqësues Indrit Sefën, ka ankimuar në KAS vendimin e KQZ-së për të mos u regjistruar si subjekt zgjedhor ne zgjedhjet e 14 majit.

Pas vendimmarjes së Komisionerit Ilirjan Celibashi, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike Indrit Sefa është shprehur që ky ishte një vendim me përmbajtje politike dhe se do ta ankimojë atë në Komisionin e Ankimimeve dhe të Sanksioneve.

Në ankimimin e PD-së thuhet se vendimmarja e sotme nga komisioneri ishte politike dhe se nga KAS kërkohet shqyrtimi i ankesës.

“PD s’ka kohë për të humbur, ishte vendimmarrje politike nga komisioneri. Ne kërkojmë shqyrtimin nga KAS, të ankesës tonë, i cili të marrë në konsideratë kërkesat e PD dhe të shfuqizojë këtë vendim, tërësisht të pabazuar në ligj”, tha ai.

A N K I M

ANKUES: Partia Demokratike e Shqipërisë, e përfaqësuar nga Indrit Sefa, Sekretar i Çeshtjeve Ligjore dhe Zgjedhore

OBJEKTI: 1. Shfuqizimi i vendimit nr.172, datë 14.03.2023 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për shqyrtimin e kërkesës së “Partia Demokratike” për regjistrimin si subjekt zgjedhor për zgjedhjet për organet e qeverisë vendore të datës 14.05.2023”.

2. Regjistrimit si subjekt zgjedhor të “Partisë Demokratike të Shqipërisë sipas kërkesës nr. 27, datë 05.03.2023 dhe dokumentacionit shoqërues të saj, dhe të protokolluar në KQZ në datën 06.03.2023 me Nr.1337 Prot të paraqitur në emër të Partisë Demokratike nga përfaqësuesi z. Indrit Sefa.

BAZA LIGJORE: Neni 109 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Nenet 21, 64, të Kodit Zgjedhor;

DREJTUAR: KOMISIONIT TË ANKIMEVE DHE SANKSIONEVE PRANË KOMISIONIT QENDROR TË ZGJEDHJEVE

PALË E INTERESUAR: KOMISIONERI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Të nderuar anëtarë,

Me kërkesën nr. 27 Prot., datë 05 Mars 2023 të Partisë Demokratike të Shqipërisë, protokolluar me nr. 1337, datë 06.03.2023 në KQZ, kemi paraqitur kërkesën për regjistrimin e Partisë Demokratike si subjekt zgjedhor në zgjedhjet vendore të datës 14 Maj 2023. Me vendimin nr. 172, datë 14.03.2023 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, është vendosur: “Refuzimin e kërkesës për regjistrimin si subjekt zgjedhor të “Partisë Demokratike të Shqipërisë”. Duke qenë se vendimi i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve është në kundërshtim me ligjin, bazuar në nenin 21 të Kodit Zgjedhor, i drejtohemi Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit nr. 172/2023 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, bazuar në arsyet ligjore dhe faktet e mëposhtme:

I. RRETHANAT E CËSHTJES

1. Partia Demokratike e Shqipërisë është regjistruar si parti politike me urdhrin e Ministrit të Drejtësisë nr. 12, datë 19.12.1990.

2. Presidenti i Republikës me anë të Dekretit me Nr. 13864, datë 24.10.2023 ka përcaktuar si datë për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore datën 14 Maj 2023.

3. Në zbatim të detyrimeve ligjore si dhe të dispozitave të përcaktuara në Kodin Zgjedhore, brenda afatit ligjor të përcaktuar (jo më vonë se 70 ditë para datës së zhvillimit të këtyre zgjedhjeve), Partia Demokratike e Shqipërisë ka paraqitur kërkesën me Nr. 27 Prot, datë 05.03.2023, për regjistrimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë si subjekt zgjedhor dhe dërgimin e dokumentacionit shoqërues të nevojshëm për regjistrimin në zgjedhjet vendore të datës 14 maj 2023.

4. Në përputhje me pikën 2 të nenin 64 të Kodit Zgjedhor, bashkëlidhur kërkesës për regjistrim janë depozituar aktet si më poshtë:
a) Vërtetimin që partia është regjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë – Vërtetimi datë 01.03.2023 i Zyrës së Regjistrit të Partive Politike pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
b) Emrin, mbiemrin dhe adresën e kryetarit të partisë, i cili është personi i autorizuar për të paraqitur kandidatët; emrin zyrtar, shkronjat nistore dhe adresën e partisë; specimenin e vulës së partisë; logon e Partisë Demokratike (në print dhe elektronikisht); emrin, mbiemrin dhe adresën e financierit të partisë; dhe emrin, mbiemrin dhe adresën e personit përgjegjës për komunikimin me KQZ-në – Shkresa e Partisë Demokratike bashkëlidhur.
c) Deklaratën e angazhimit solemn për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës, marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundërligjshme, veçanërisht nga ato që vijnë nga aktivitete kriminale, si dhe përkushtimin për të konkurruar në zgjedhje në mënyrë të ndershme dhe me integritet – Deklarata bashkëlidhur sipas përmbajtjes së miratuar nga KQZ.
d) Autorizimin e Përgjithshëm – Autorizimi bashkëlidhur i Kryetarit të Partisë.

5. Nëpërmjet komunikimit elektronik, më datë 07.03.2023 jemi njoftuar për zhvillimin e mbledhjes publike të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për shqyrtimin e kërkesës së paraqitur për regjistrim. Njoftimi nuk është shoqëruar me asnjë projektakt, përvec Rendit të Ditës.

6. Pasi kemi parashtruar kërkesën për regjistrim, Komisioneri ka shpallur vendimin nr. 158, datë 09.03.2023, pa kërkuar asnjë sqarim, vlerësim, pretendim apo koment nga përfaqësuesit e përhershëm të partisë politike në KQZ, duke vendosur:
“1. Kthimin për plotësim të dokumentacionit për regjistrimin si subjekt zgjedhor për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 Maj 2023, “Partia Demokratike”, sipas arsyetimit të këtij vendimi.
2. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen elektronike zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve brenda 3 (tre) ditëve nga shpallja e tij.”.

7. Kundër këtij vendimi u ushtrua ankim nga subjekti kërkues Partia Demokratike, e përfaqesuar nga Enkelid Alibeaj. Kjo kërkesë ankimore u mor në shqyrtim nga KAS i cili me vendimin numër 22, datë 13.03.2023 vendosi “Mospranimin e ankimit”. Ndër të tjera në vendimin e tij KAS arsyeton se nuk gjen shkaqe ligjore për mosmarrjen e vendimit në përfundim të afatit kohor prej 48 orësh të përcaktuar nga vetë Komisioneri, ndonëse jo pjesë e arsyetimit apo dispozitivit të vendimit, dhe se vendimi për shkak të përfundimit të këtij afati e kishte humbur efektin e tij ligjor. GJithashtu KAS në pjesën arsyetuese të vendimit përcakton se është detyrë e Komisionerit që të përfundojë procesin e vendimarrjes dhe se ky proces duhet të përfundohet brenda afateve të arsyeshme ligjore me qëllim mospengimin e subjektit kërkues Partia Demokratike për përfitimin e afateve për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore.

8. Në vendimin nr. 172/2023 nuk saktësohet qartësisht se cili dokumentacion i mungon kërkesës për regjistrimin e Partisë Demokratike si subjekt zgjedhor, që nevojitet të plotësohet. Mirëpo, duke qenë se dispozitivi i vendimit i referohet arsyetimit të tij për të kuptuar dokumentacionin që duhet të plotësohet, konkludojmë se ngrihen dy pretendime nga ana e Komisionerit:
a) Lidhur me “Autorizimin e përgjithshëm” të Kryetarit të Partisë, Komisioneri ka cmuar se atij i mungon qartësia dhe saktësimi i rastit për cështjen e regjistrimit të PD si subjekt zgjedhor. Konkretisht, sipas arsyetimit të Komisionerit formulimi “për regjistrimin në zgjedhjet e përgjithshme vendore të vitit 2023, sipas datës së caktuar me Dekret të Presidentit të Republikës”, është një formulim që le vend për një formulim të dytë, që mund të konsiderohet edhe krejt i ndryshëm nga formulimi në fjalë. Për këtë qëllim, ne kuptojmë nga arsyetimi se Komisionerit i duket më i përshtatshëm formulimi “për regjistrimin në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të 14 maj 2023”.
b) Deklarata e angazhimit solemn “për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës, marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundërligjshme, veçanërisht nga ato që vijnë nga aktivitete kriminale, si dhe përkushtimin për të konkurruar në zgjedhje në mënyrë të ndershme dhe me integritet”, është nënshkruar nga Nënkryetari z. Enkelejd Alibeaj, sipas autorizimit të shprehur në “Autorizimin e Përgjithshëm të Kryetarit të Partisë”, datë 18 Mars 2022. Sipas vlerësimit të Komisionerit “nga përmbajtja e nenit 64, pika 2, shkronja “e” të Kodit Zgjedhor, del qartë që ky detyrimi për kryetarin e partisë nuk është i transferueshëm, apo i delegueshëm tek të tretët, sepse është një akt individual i personit dhe akt ekskluziv i kryetarit të partisë. Dispozita e përcakton qartë që deklarata është përgjegjësi e kryetarit të partisë dhe nëse ligji ty të ngarkon si marrës përgjegjësish, je ti dhe vetëm ti që duhet të përgjigjesh përpara ligjit për mospërmbushjen e asaj përgjegjësie”.

9. Është fakt i njohur botërisht dhe që nuk ka nevojë të provohet, se prej një kohe të gjatë Partia Demokratike e Shqipërisë, partia më e madhe e opozitës, po kalon një periudhë konflikti të brendshëm, dhe në mungesë në detyrë të Kryetarit të Partisë. Në përputhje me rregullat e brendshme të funksionimit të Partisë Demokratike (konkretisht nenit 46 të Statutit të PDSH), që përcaktojnë se: “Kryetari i Partisë ndihmohet nga Nënkryetarët dhe Sekretari i Përgjithshëm……Kryetari i Partisë gjatë veprimtarisë së tij të përditshme i cakton detyra dhe fusha të caktuara përgjegjësie Nënkryetarëve të Partisë. Në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njëri prej tyre zëvendëson Kryetarin”, është lëshuar Autorizimi i Përgjithshëm datë 18 Mars 2022. Për shkak se dorëheqja e Kryetarit është fakt, edhe pse nuk është pasqyruar në regjistërin e partive politike, për shkak të moszgjedhjes së Kryetarit të ri të Partisë Demokratike të Shqipërisë, në kuptim të ligjit nr. 8580, datë 17.02.2000 “Për partitë politike”, i ndryshuar, funksionimi i Partisë Demokratike për aspektet që kanë të bëjnë me zgjedhjet vendore realizohet sipas “Autorizimit të Përgjithshëm” të datës 18 Mars 2022.
Gjithashtu të njëjtin fakt ja kemi referuar Komisionerit Shtëtëror të Zgjedhjeve dhe me shkresën me Nr 27/3 Prot datë 14.03.2023 e protokolluar në KQZ me Nr.1650 Prot. Datë 14.03.2023. në këtë shkresë nga ana e Partisë Demokratike i është bërë e qartë Komisionerit se:

Siç jeni në dijeni, përveçse është lëshuar Autorizimi i Pergjithshem datë 18 Mars 2022, që garanton funksionimin normal të Partisë Demokratike për efekt të zgjedhjeve vendore, për shkak të moszgjedhjes se Kryetarit të ri të Partisë Demokratike të Shqipërise, në kuptim te ligjit nr. 8580, datë 17.02.2000 “Për partitë politike”, i ndryshuar, dhe nenit 46 të Statutit të Partisë Demokratike, Nënkryetari i zgjedhur nga Këshilli Kombëtar i PD dhe që ishte i vetmi në detyrë për këtë përgjegjësi, z. Enkelejd Alibeaj, është komanduar të drejtojë Partinë deri në zgjedhjen e Kryetarit të ri, i cili më pas është i vetmi që ka legjitimitetin për të kërkuar ndyshimet në regjistrin e partive politike dhe regjistrimin e kryetarit të ri. Në këtë kuptim, nënshkrimi prej tij i deklaratës së angazhimit solemn është tërësisht i vlefshëm për tu konsideruar si marrje përsipër e përgjegjësive formale, në emër dhe për llogari të Partisë Demokratike.

10. Në “Autorizimin e Përgjithshëm” të datës 18 Mars 2022, përcaktohet shprehimisht se:
“Unë, Lulzim Basha, me funksion Kryetar i Partisë Demokratike, lidhur me zgjedhjet vendore 2023, sipas datës së caktuar nga Dekreti i Presidentit të Republikës, në përmbushje të kompetencave të Kryetarit të Partisë, autorizoj ushtrimin e tyre nga Nënkryetari i Partisë z. Enkelejd Alibeaj; dhe/ose Sekretari i Përgjithshëm z. Gazment Bardhi; dhe/ose Sekretari për cështjet ligjore dhe zgjedhore z. Indrit Sefa, lidhur me cështjet e mëposhtme:
Në zbatim të përcaktimeve të ligjit nr. 10019/2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, lidhur me zgjedhjet vendore 2023, sipas datës së caktuar nga Dekreti i Presidentit të Republikës, të autorizuarit si më sipër, kanë të drejtë, të gjithë sëbashku, ose vec e vec:
1. Të nënshkruajnë aktet për paraqitjen e kandidatëve të Partisë Demokratike për të gjitha organet e njësive të qeverisjes vendore.
2. Të nënshkruajnë deklaratën, në emër dhe për llogari të kryetarit të partisë, ku përmendet angazhimi solemn për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës, marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundërligjshme, veçanërisht nga ato që vijnë nga aktivitete kriminale, si dhe përkushtimin për të konkurruar në zgjedhje në mënyrë të ndershme dhe me integritet, sipas tekstit të deklaratës të përcaktuar nga KQZ-ja. Deklarata e nënshkruar prej tyre konsiderohet si angazhim solemn i ndërmarrë prej meje si Kryetar i Partisë, duke marrë përsipër të gjitha detyrimet dhe përgjegjësitë që rrjedhin prej saj.
3. Të nënshkruajnë vetë ose të autorizojnë persona të tretë për të nënshkruar dokumentet për regjistrimin e Partisë Demokratike e Shqipërise (PD) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve; të nënshkruajnë kërkesa ankimore pranë Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) dhe Kolegjit Zgjedhor (KZ); si dhe çdo kërkese tjetër që do të nevojitet në organet drejtuese të KQZ ose të autorizojnë persona të tretë për të nënshkruar aktet e mësipërme dhe për përfaqësimin pranë këtyre organeve me tagra të plota pa kufizim për mbrojtjen e interesave zgjedhore të PD sipas Kodit Zgjedhor.
4. Të nënshkruajnë vetë ose të autorizojnë persona të tretë për të nënshkruar, depozituar dhe për t’u paraqitur për përfaqësim pranë Komisionit Qendror te Zgjedhjeve dhe organeve drejtuese në kuptim të nenit 12 të Kodit Zgjedhor, pranë Kolegjit Zgjedhor apo pranë çdo gjykate për zgjidhjen e cdo problemi zgjedhor, si dhe pranë të gjitha Komisioneve Zgjedhore për Administrimin e Zgjedhjeve (KZAZ), propozimet e Partisë Demokratike për anëtarë të KQV-ve, anëtarë të GNV-ve, vëzhguesit në KZAZ, KQV, VNV, si dhe korrespondencën tjetër me KQZ-në dhe KZAZ-në përkatëse, pa u kufizuar në të drejtën për të revokuar apo ndryshuar çdo autorizim të leshuar.
5. Të nënshkruajnë vetë ose të autorizojnë persona të tretë për të nënshkruar cdo lloj kërkese që nuk është përmendur këtu në kuadër të mbrojtjes së interesave zgjedhore të Partisë Demokratike përpara organeve të KQZ-së, organeve publike, organeve gjyqësore, apo presonave juridikë të tjerë, publikë ose privatë.
6. Të përmbushin cdo detyrim dhe përgjegjësi tjetër në zbatim të Kodit Zgjedhor.

Ky autorizim është i vlefshëm derisa të jetë ndryshuar, apo revokuar shprehimisht nga Kryetari i Partisë.”.

II. ANALIZA LIGJORE

11. Neni 64 i Kodit Zgjedhor parashikon se: “1. Çdo parti politike duhet të paraqesë kërkesën për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ jo më vonë se 70 ditë përpara datës së zgjedhjeve. 2. Për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor për çdo lloj zgjedhjeje, një parti politike duhet të paraqesë në KQZ: a) vërtetimin që partia është regjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë; b) emrin, mbiemrin dhe adresën e kryetarit të partisë, i cili është personi i autorizuar për të paraqitur kandidatët; c) emrin zyrtar, shkronjat nistore dhe adresën e partisë; ç) specimenin e vulës së partisë; d) emrin, mbiemrin dhe adresën e financierit të partisë; dhe dh) emrin, mbiemrin dhe adresën e personit përgjegjës për komunikimin me KQZ-në; e) deklaratën me shkrim të nënshkruar nga kryetari i partisë politike ku përmendet angazhimi solemn për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës, marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundërligjshme, veçanërisht nga ato që vijnë nga aktivitete kriminale, si dhe përkushtimin për të konkurruar në zgjedhje në mënyrë të ndershme dhe me integritet. Teksti i deklaratës përcaktohet nga KQZ-ja.”.

12. Nga dokumentacioni bashkëlidhur kërkesës për regjistrim nr. 27 Prot., datë 05.03.2023, rezulton se Partia Demokratike e Shqipërisë ka paraqitur dokuemntacionin e plotë të kërkuar nga ligji për regjistrimin si subjekt zgjedhor, ku përfshihet”
a) Vërtetimi datë 1 Mars 2023 të Zyrës së regjistrit të Partive Politike pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ku vërtetohet që partia është regjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë – kusht ligjor i përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 2, të nenit 64 të Kodit Zgjedhor.
b) Shkresën nr. 27/1 Prot., datë 05.03.2023 të Partisë Demokratike të Shqipërisë, ku përcaktohen emri, mbiemri dhe adresën e kryetarit të partisë, i cili është personi i autorizuar për të paraqitur kandidatët; emri zyrtar, shkronjat nistore dhe adresa e partisë; specimenin e vulës së partisë; emri, mbiemri dhe adresa e financierit të partisë; dhe emri, mbiemri dhe adresa e personit përgjegjës për komunikimin me KQZ-në.
c) Deklaratën e angazhimit solemn për për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës, marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundërligjshme, veçanërisht nga ato që vijnë nga aktivitete kriminale, si dhe përkushtimin për të konkurruar në zgjedhje në mënyrë të ndershme dhe me integritet.
d) Deklaratën për hapjen e llogarisë së posacme namakre të partisë politike.

13. Në kuptim të nenit 64 të Kodit Zgjedhor, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve kishte detyrimin ligjor për regjistrimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë si subjekt zgjedhor. Pretendimit e tij të shprehura në vendimin nr. 158/2023, jo vetëm janë të pamunduara të përmbushen, por nuk kanë asnjë mbështetje ligjore dhe për pasojë janë një justifikim i paligjshëm për të penguar regjistrimin si subjekt zgjedhor të Partisë Demokratike të Shqupërisë, partisë më të madhe të opozitës në vend.

A. Lidhur me pretendimin për paqartësi të përmbajtjes së “Autorizimit të Përgjithshëm”

14. Komisioneri ka cmuar se Autorizimit i mungon qartësia dhe saktësimi i rastit për cështjen e regjistrimit të PD si subjekt zgjedhor. Konkretisht, sipas arsyetimit të Komisionerit formulimi “për regjistrimin në zgjedhjet e përgjithshme vendore të vitit 2023, sipas datës së caktuar me Dekret të Presidentit të Republikës”, është një formulim që le vend për një formulim të dytë, që mund të konsiderohet edhe krejt i ndryshëm nga formulimi në fjalë. Për këtë qëllim, ne kuptojmë nga arsyetimi se Komisionerit i duket më i përshtatshëm formulimi “për regjistrimin në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të 14 maj 2023”.

15. Ky pretendim nuk ka asnjë mbështetje ligjore. Në Autorizimin e përmendur nga ana e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe më konkretisht atë të datës 18.03.2022 përcaktohet qartësisht se: “Në zbatim të përcaktimeve të ligjit nr. 10019/2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, lidhur me zgjedhjet vendore 2023, sipas datës së caktuar nga Dekreti i Presidentit të Republikës, të autorizuarit si më sipër, kanë të drejtë, të gjithë së bashku, ose vec e vec…të nënshkruajnë dokumentet për regjistrimin e PD”. Siç shihet qartësisht nga formulimi të autorizuarit kanë të drejtë që të regjistrojnë partinë në zgjedhjet e përgjithshme vendore të vitit 2023 në datën e përcaktuar sipas dekretit të Presidentit të Republikës për këto zgjedhje. Formulimi “për regjistrimin në zgjedhjet e përgjithshme vendore të vitit 2023, sipas datës së caktuar me Dekret të Presidentit të Republikës”, ka ekzaktësisht të njëjtin kuptim me formulimin “për regjistrimin në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të 14 maj 2023”.

16. Në Kushtetutë dhe më konkretisht në nenin 109 të saj përcaktohet se: “Organet përfaqësuese të njësive bazë të qeverisjes vendore janë këshillat, të cilat zgjidhen çdo katër vjet me zgjedhje të përgjithshme, të drejtpërdrejta dhe me votim të fshehtë”. Pra siç shihet qartësisht Kushtetuta përcakton në mënyrë të detajuar natyrën periodike të zgjedhjeve të përgjithshme vendore. Zgjedhjet vendore paraardhëse janë zhvilluar në 30.06.2019. Zgjedhjet e ardhëshme të përgjithshme vendore do të zhvillohen në vitin 2023 dhe më konkretisht me anë të Dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë Nr. 13864 datë 24.10.2022 është përcaktuar data 14.05.2023.

17. Në rastin objekt shqyrtimi kemi të bëjmë me një Autorizim të Përgjithshëm ku në të gjitha rastet të Autorizuarit të kenë të drejtë të ushtrojnë të gjitha tagrat për të përmbushur të gjitha kompetencat, të drejtat dhe detyrimet që i takojnë personit që ka deleguar këto kompetenca. Në rastin konkret në Autorizimin e Përgjithshëm të lëshuar nga Kryetari i Partisë në detyrë në momentin e lëshimit në datën 18.03.2022 personat e autorizuar kanë të drejtën që kërkojnë regjistrimin Partisë Demokratike të Shqipërisë në zgjedhjet vendore të përgjithshme që do të zhvillohen në vitin 2023 në çdo datë që do të përcaktonte Presidenti i Republike me anë të Dekretit. Për sa më sipër, në çdo datë që Presidenti i Republikës dekreton për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme vendore, të autorizuarit do të kishin të gjithë tagrat për të drejtuar kërkesën për regjistrimin e partisë në ato zgjedhje vendore. Për pasojë, pretendimi se do të duhet të përcaktohej qartësisht dekreti ose data e zgjedhjeve nuk ka asnjë bazë ligjore dhe për pasojë është një pretendim i pambështetur në ligj.

18. Nga ana tjetër, neni 26 i Kodit Zgjedhor përcakton se: 1. Partitë politike ose koalicionet e partive politike, që regjistrohen për të marrë pjesë në zgjedhje, nëpërmjet personit përgjegjës për komunikimin me KQZ-në, mund të caktojnë me autorizim një përfaqësues dhe një zëvendës të tij pranë KQZ-së, me tagra përfaqësimi për gjithë periudhën deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar. Përfaqësuesit e partive parlamentare i ushtrojnë tagrat e përfaqësimit edhe jashtë periudhës së përcaktuar në fjalinë e parë të kësaj pike. 2. Përfaqësuesit e subjekteve zgjedhore në KQZ kanë të drejtë: a) të paraqesin kërkesa dhe propozime pranë KQZ-së;….Të gjitha veprimet e kryera nga përfaqësuesit e subjekteve zgjedhore në KQZ konsiderohen sikur të jenë kryer nga vetë subjektet zgjedhore. Partia Demokratike është parti parlamentare dhe gjatë gjithë periudhës zgjedhore dhe jashtë kësaj periudhe personi i përgjegjës për komunikimin midis PD-së dhe KQZ-së ka qënë Z. Indrit Sefa, i cili ka qënë i legjitimuar dhe më parë dhe ky legjitimim është pranuar nga ana e KQZ-së, për të drejtuar kërkesa KQZ-së, pa përjashtuar ligjërisht edhe mundësinë për paraqitjen e kërkesës për regjistrimin në zgjedhje. Edhe në mbështetje të këtij parashikimi, përvec autorizimit të shprehur në “Autorizimin e Përgjithshëm” të datës 18 Mars 2023, kërkesa për regjistrimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë është nënshkruar nga personi përgjegjës për komunikimin dhe më konkretisht nga z. Indrit Sefa, i cili ka qënë qartësisht i legjitimuar dhe më parë si përgjegjës për komunikimin me KQZ dhe ka të gjithë tagrat për të drejtuar kërkesa dhe gjithashtu për të drejtuar kërkesën për të regjistruar Partinë Demokratike të Shqipërisë në zgjedhjet vendore të përgjithshme të datës 14.05.2023.

19. Në vendimin e Komisionerit nr. 172/2023 nuk përcaktohet se në cilin akt rregullator të zgjedhjeve (ligj, vendim, urdhër apo udhëzim) është përcaktuar se Autorizimi i Kryetarit të Partisë për të deleguar ushtrimin e të drejtave/kompetencave, duhet të përmbajë në mënyrë specifike datën e zhvillimit të zgjedhjeve. A ka ndonjë akt proçedurial nga Komisioni Rregullator i cili të ketë miratuar ndonje format të detyrueshëm apo ndonjë tekst të posaçëm në të cilin të përcaktohet qartësisht detyrimi i përmbajtjes së autorizimit? A ka ndonjë format të posaçëm në Kodin Zgjedhor në të cilin të përcaktohet qartë mënyra e formulimit të Autorizimit, ku nuk lejohet të referohet në mënyrë të përgjithshme dekreti i Presidentit të Republikës që cakton datën e zgjedhjeve, por nevojitet të specifikohet data konkrete e zgjedhjeve? Përgjigjet e këtyre pyetjeve rezultojnë të qarta edhe në vetë arsyetimin e vendimit të Komisionerit, ku nuk citohet asnjë dispozitë ligjore apo nënligjore që të ketë përcaktuar këtë detyrimi, përvec opinonit personal dhe ekstraligjor të Komisionerit, për ti dhënë një kuptim tjetër, një formulimi që ka vetëm një kuptim: Të drejtën për të regjistruar PD në zgjedhje në datën që ka caktuar dekreti i Presiedentit të Republikës dhe që është vetëm një datë – 14 Maj 2023.

B. Lidhur me Deklaratën e angazhimit solemn

20. Sipas vlerësimit të Komisionerit “nga përmbajtja e nenit 64, pika 2, shkronja “e” të Kodit Zgjedhor, del qartë që ky detyrimi për kryetarin e partisë nuk është i transferueshëm, apo i delegueshëm tek të tretët, sepse është një akt indiviådual i personit dhe akt ekskluziv i kryetarit të partisë. Dispozita e përcakton qartë që deklarata është përgjegjësi e kryetarit të partisë dhe nëse ligji ty të ngarkon si marrës përgjegjësish, je ti dhe vetëm ti që duhet të përgjigjesh përpara ligjit për mospërmbushjen e asaj përgjegjësie”.

21. Ky intepretim dhe arsyetim i Komisionerit si dhe përfundimet e arritura në bazë të tij janë rezultat i kuptimit dhe interpretimit të gabuar të ligjit. Nga arsyetimi i vendimit (pika 3 e etij) konstatohet se Komisioneri e klasifikon nënshkrimin e deklaratës si një detyrim personal dhe individual të kryetarit të partisë, në llojin e detyrimeve dhe përgjegjësive që marrin përsipër personat fizikë/natyrorë karshi të tretëve. Ndonëse në tekstin e pjesës arsyetuese të vendimit ky koncept nuk është i shprehur qartësisht dhe me formulimin e mësipërm, qëllimi dhe qëndrimi i Komisionerit rezulton i qartë nga lidhja llogjike/jurdike që bëhet ndërmjet detyrimit/përgjegjësisë dhe pamundësisë së transferimit të tij.

22. Deklarata e angazhimit solemn është nënshkruar nga Nënkryetari z. Enkelejd Alibeaj, në përputhje me situatën dhe kushtet ligjore të përmendura në këtë ankim, në përputhje me delegimin e shprehur të bërë në Autorizimin e Përgjithshëm të datës 18 Mars 2022, ku specifikohet: “2. Të nënshkruajnë deklaratën, në emër dhe për llogari të kryetarit të partisë, ku përmendet angazhimi solemn për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës, marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundërligjshme, veçanërisht nga ato që vijnë nga aktivitete kriminale, si dhe përkushtimin për të konkurruar në zgjedhje në mënyrë të ndershme dhe me integritet, sipas tekstit të deklaratës të përcaktuar nga KQZ-ja. Deklarata e nënshkruar prej tyre konsiderohet si angazhim solemn i ndërmarrë prej meje si Kryetar i Partisë, duke marrë përsipër të gjitha detyrimet dhe përgjegjësitë që rrjedhin prej saj.”.

23. Ndryshe nga sa shprehet Komisioneri, nga përmbajtja e nenit 64, pika 2, shkronja “e” të Kodit Zgjedhor, nuk është shprehur asnjë ndalim mbi delegimin e këtij akti, dhe se nuk rezulton që akti të jetë një akt indiviådual i personit dhe akt ekskluziv, për shkak të përgjegjësisë ligjore në rast mospërmbushje. Si për cdo të drejtë apo detyrimi tjetër (për ilustrim, regjistrimi i kandidatëve), dispozitat ligjore i referohen përmbushjes së tyre nga Kryetari i Partisë, duke qenë se ai është përfaqësuesi i partisë politike në raport me të tretët. Ky pretendim i Komisionerit është i pambështetur në ligj dhe rrëzohet edhe nga përmbajtja e vetë deklaratës, sipas përmbajtjes së miratuar nga vetë KQZ-ja. Deklarata fillon me fjalët: “Deklaroj në cilësinë e Kryetarit të Partisë”, cka provon se ajo nuk është një akt individual i personit, por një anagzhim që merret në cilësinë e kryetarit të partisë, cilësi e cila është ajo e organit drejtues/përfaqësues me të tretët dhe jo në cilësinë personale si person fizik/natyror. Vetë Komisioneri në vendimin e tij arsyeton se: “në përputhje edhe me parashikimet e nenit 9 të ligjit 8580, datë 17.2.2000 “Për partitë politike”, i ndryshuar, kryetari i partisë, në kuptim të ligjit është një organ dhe jo thjesht individi person fizik që ushtron funksionet e organit. Në këtë kontekst, deklarata e bërë në emër të organit që përfaqëson partinë ndaj të tretëve, rast në të cilin përfshihet edhe KQZ, është një akt i delegueshëm, pasi nuk lidhet me cilësi apo përgjegjësi personale të individit, personit fizik që ushtron detyrën e organit të Krytarit të Partisë.

24. Nësë analizojmë brendinë e tekstit të Deklaratës vëmë re se kjo e fundit është e hartuar si vijon: “Angazhimin solemn të Partisë tonë se, pjesëtarët e strukturave drejtuese dhe administrative, të anëtarësisë, kandidatëve për deputetë/ drejtues/ anëtarë të organeve të qeverisjes vendore, deputetë/ drejtues/ anëtarë të organeve të qeverisjes vendore dhe gjithë strukturave të tjera të angazhuara nga subjekti në këto zgjedhje, funksionarë/ ish funksionarë publik do të refuzojnë të marrin pjesë në praktikat e blerjes së votës, marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundërligjshme, veçanërisht nga ato që vijnë nga aktivitete kriminale. Angazhohemi të zbatojmë rregulla për të gjithë anëtarësinë, administratën dhe ndjekësit tanë që: Të mos premtojnë/ ofrojnë/ japin para, mallra, shërbime dhe/ose nxisin premtime për punësim apo trajtime të tjera të veçanta votuesve dhe/ose të tjerëve, duke përfshirë familjet e votuesve apo komuniteteve të ndryshme apo të veprojnë në mënyrë të tillë që synohet të ndikojë, ose arsyeshëm pritet të ndikojë në mënyrën se si votuesit japin votën e tyre;…”. Nga analiza e tekstit të deklaratës vihet re se:

a. deklarata fillon me deklarimin e angazhimit në emër të Partisë, të të gjithë pjesëtarëve, strukturave drejtuese dhe administrative, anëtarëve, kandidatëve, etj, të cilët në tërësinë e tyre përbëjnë të gjithë trupën e partisë, pjesmarrëse ne zgjedhje pamvarësisht cilësisë së tyre si anëtarë të partisë apo jo. Pra, në rast se nga kryetari i partisë lëshohet një deklaratë në emër të partisë (në rastin konkret përfshirë edhe jo anëtarët) atëherë kjo deklaratë kurrsesi nuk mund të klasifikohet si një deklaratë e bërë në titull personal, e bërë nga një person fizik/natyror, për përgjegjësi apo marrje përsipër përgjegjësish personale. Formulimi tregon qartësisht që jemi në kushtet e një akti që lëshohet në emër të partisë, nga organi që ka për detyrë të përfaqësojë këtë të fundit kundrejt të tretëve e për pasojë është njësoj e delegueshme si cdo tagër tjetër që kryetari i partisë ushtron si organe e që nuk lidhet në asnjë rast me cilësinë personale të individit që ushtron funksionin e organit të kryetarit të partisë.

b. deklarata është, sikurse konstatohet nga emërtimi, por edhe brendia e tekstit të saj, një akt deklarativ, e cila nuk prodhon asnjë përgjegjësi ligjore qoftë kjo edhe personale. Dëshirojmë të sjellim në vëmendjen Tuaj se përgjegjësitë ligjore nuk burojnë nga aktet deklarative por nga ligji. Është shkelja e ligjit që passjell përgjegjësinë e subjektit juridik ose fizik, në formën administrative, civile apo penale. Akti deklarativ i angazhimit dhe vetë teksti i deklaratës nuk tregojnë në asnjë rast marrjen përsipër të përgjegjësive individuale, përkundrazi janë akt dëshmues a priori i vullnetit të partisë politike, në tërësinë e anëtarëve të saj (madje dhe jo anëtarëve pjesmarrës në fushatën zgjedhore në të cilën partia politike kërkon të regjistrohet si subjekt politik) për mos ushtrimin e praktikave që në rast të zbatimit do të rezultonin në shkelje të ligjit.

c. duke analizuar rastin e shkeljes së angazhimeve që merren përsipër me deklaratën arrihet në konkluzionin se përgjegjësia administrative, apo penale do të rëndonte në rastin e parë mbi subjektin politik, në emër të të cilit lëshohet deklarata, dhe në rastin e dytë mbi individin, person fizik/natyror i cili kryen shkeljen e ligjit penal. Në këtë këndvështrim kryetari i partisë në asnjë nga alternativat e parashtruara më lartë nuk do të mbante përgjegjësi individualisht për shkeljet e realizuara e për pasojë nënshkrimi i deklaratës nga ana e tij nuk do të sillte asnjë pasolë ligjore për individin person fizik i cili ushtron funksionin e kryetarit të partisë. Karakteri solemn e konfirmon këtë, duke i dhënë deklaratës një karakter terësisht me efekt publik, si një mesazh drejtuar anëtarëve, mbështetëseve dhe kandidatëve të subjektit zgjedhor.

25. Për sa analizuar më lartë rezulton qartësisht që arsyetimi i bërë nga Komisioneri për cilësinë me të cilën, kryetari i partisë nënshkruan deklaratën, si dhe arsyetimi lidhur me përgjegjësinë e pretenduar personale të vlerësuar si të patjetërsueshme dhe të padelegueshme është në interpretim të gabuar të ligjit. Edhe në parimet e përfaqësimit, sipas nenit 66 të Kodit Civil, “Veprimet juridike të kryera nga përfaqësuesi, brenda tagreve që i janë dhënë, krijojnë pasoja drejtëpërdrejt për të përfaqësuarin”. Pra delegimi në këtë rast nuk përbën asnjë shmangie të Kryetarit të Partisë, apo vetë partisë, nga angzhimi për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës, marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundërligjshme, veçanërisht nga ato që vijnë nga aktivitete kriminale, si dhe përkushtimin për të konkurruar në zgjedhje në mënyrë të ndershme dhe me integritet. Analiza e mësipërme tregon që deklarata është një akt që nënshkruhet në cilësinë e përfaqsuesit të partisë me të tretët, cilësi e cila është pranuar nga vetë Komisioneri si e delegueshme dhe e tjetërsueshme edhe në pikën 1 të vendimit nr. 158/2023.

26. Pretendimi i fundit i parashtruar nga Komisioneri në arsyetim lidhur me solemnitetin e deklaratës nuk gjen mbështetje ligjore në asnjë nga aktet ligjore dhe nënligjore mbi të cilat paraqitet dhe realizohet vendimmarrja mbi kërkesën për regjistrimin e partisë politike si subjekt zgjedhor. Përdorimi i shprehjes “për të mos folur” tregon më së shumti mungesën e argumenteve juridike dhe krijimin e një standarti të personalizuar në raport me solemnitetin i cili nuk përbën argument ligjor për vendimmarrjen nga ana e Komisionerit.

27. Në kuptimin që i ka dhënë dispozitës ligjore Komisioneri, duke e konsideruar Deklaratën si një akt individual dhe personal, rezulton se në rrethana të caktuara objektive, për shkak të mungesës së Kryetarit, partia politike të mos ushtrojë një nga qëllimet e ekzistencës së saj, që është pjesëmarrja në zgjedhje. Kjo do të përbënte një cënim të parimeve themelore të zgjedhjeve, ku konkurueshmëria është një nga themelet e këtyre parimeve. Duke i dhënë një kuptim të ngurtë dispozitës, praktikisht Komisioneri nuk ka mbajtur në konsideratë qëllimin deklarativ që ka ai deklarim, duke mos shërbyer në asnjë rast si pengesë për pjesëmarrjen në zgjedhje, për shkak se ato anagzhime të përmenduara në deklaratë, janë në fakt rregulla të parashikuara nga legjislaiconi në fuqi dhe që sjellin pasoja sipas atij kuadri ligjor, për cdo person të përfshirë në praktikën kriminale që lidhet me financimin e paligjshëm apo përdorimin e parave të pista në fushatat zgjedhore.

28. Përsa më sipër, rezulton se Partia Demokratike e Shqipërisë ka përmbushur kërkesën e shkronjës “e”, pika 2 të nenit 64 të Kodit Zgjedhor, sa kohë ka dorëzuar dhe ka marrë përsipër angazhimin solemn për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës, marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundërligjshme, veçanërisht nga ato që vijnë nga aktivitete kriminale, si dhe përkushtimin për të konkurruar në zgjedhje në mënyrë të ndershme dhe me integritet, nëpërmjet personit të autorizuar ligjërisht, nga organi i caktuar nga ligji, në mungesë të tij.

C. Në tërësi për vendimin e Komisionerit

29. Vendimmarrja e Komisonerit referon në nenin 19 dhe 64 të Kodit Zgjedhor. Në asnjë prej këtyre dispozitave nuk parashikohet natyra e vendimmarrjes që ka shprehur Komisioneri në vendimin nr. 158/2023. Konkretisht, as vendimmarja për plotësimin e dokumentacionit dhe as afati që u shpall publikisht prej 48 orësh, por që nuk është përfshirë në vendimin e zbardhur nga ana e Komisionerit.

Komisioneri kishte në kompetencë, regjistrimin apo refuzimin për regjistrim të kërkesës. Kjo tregon qartë, që nga ana e Komisionerit është ndërmarrë një vendim politik për të zvarritur, pa asnjë shkak ligjor, regjistrimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë në zgjedhjet vendore të datës 14 maj 2023 dhe për djegien e afateve të tjera ligjore, kryesisht atyre që kanë të bëjnë me koalicionet zgjedhore. Për këtë arsye, kërkojmë nga Komisioni shqyrtimin e këtij ankimi brenda afateve më të shkurtra të mundshme.

Për të gjitha sa më lart, bazuar në nenin 21 dhe 64 të Kodit Zgjedhor,

KËRKOJMË:

1. Shfuqizimi i vendimit nr 172, datë 14.03.2023 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për shqyrtimin e kërkesës së “Partia Demokratike” për regjistrimin si subjekt zgjedhor për zgjedhjet për organet e qeverisë vendore të datës 14.05.2023”.

2. Regjistrimit si subjekt zgjedhor të “Partisë Demokratike të Shqipërisë sipas kërkesës nr. 27, datë 05.03.2023 dhe dokumentacionit shoqërues të saj, dhe të protokolluar në KQZ në datën 06.03.2023 me Nr.1337 Prot të paraqitur në emër të Partisë Demokratike nga përfaqësuesi z. Indrit Sefa.

Me konsideratë,

PARTIA DEMOKRATIKE E SHQIPËRISË

Indrit SEFA

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Vendim politik, s’do na pengojnë në rrugën tonë"

Celibashi refuzon regjistrimin e PD në zgjedhje, reagon Alibeaj