Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, kryeministri Albin Kurti ka kujtuar kontributin e grave në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar vendit.
Në mbledhjen e kabinetit qeveritar, ai tha se Kosova nderon me përulje kontributi e të gjitha grave që luftuan për vendin e tyre.
Kurti ka vlerësuar se do të vazhdojë procesi i aplikimit për njohjen e statusit të të mbijetuarave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.
“Nderojmë e kujtojmë kontributin e grave në luftën çlirimtare dhe përgjatë gjithë historisë. Nuk harrojmë dhimbjen e madhe që nuk kalon dhe një plagë të madhe që shteti e ka obligim ta shërojë. Po e vazhdojmë procesin e aplikimit për njohjen e statusit të të mbijetuarave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Një proces i rëndësishëm për historinë dhe shtetin tonë dhe një parakusht për ndërtimin e paqes në vend. Nderojmë rolin e të mbijetuarave që kanë folur publikisht për rastet e tyre, e veçanërisht Vasfije Krasniqin që është avokuese e zëshme në vendin tonë dhe ndërkombëtarisht”, ka thënë Kurti.
8 Marsi është data kur në të gjithë botën festohet Dita Ndërkombëtare e Gruas, e cila nuk është një ditë e feminizmit ekstrem, por momenti kur të gjithë jemi të ftuar të reflektojmë për çështje që lidhen me botën femërore, mbi arritjet e mëdha çështje sociale dhe politike që lidhen me mundësi të barabarta dhe hapat e ardhshëm që duhen ndërmarrë për të kapërcyer boshllëqet që ekzistojnë ende. Nën sytë e njerëzimit vazhdon lufta ndaj të gjitha diskriminimeve dhe dhunës ndaj gruas.