MENU
klinika

“Kam ofruar të nënshkruajmë propozimin, por…”

Kurti për takimin në Ohër: Nuk varet gjithçka nga unë

14.03.2023 - 14:23

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të martën se është optimist për takimin e radhës me Serbinë, që zhvillohet më 18 mars në Ohër, por që nuk varet gjithçka nga ai.

“Unë kam ofruar që edhe më 27 shkurt, në Bruksel ta nënshkruajmë propozimin e Bashkimit Evropian, mirëpo pala tjetër nuk ka qenë as e gatshme, as e interesuar”.

Ai i është referuar takimit të fundit mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, kur – sipas diplomatëve evropianë – palët kanë arritur pajtueshmëri për propozimin e BE-së për normalizim të marrëdhënieve, por që nuk është nënshkruar asnjë dokument.

Në takimin e Ohrit, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësim të bllokut evropian, pritet të diskutojnë për planin e zbatimit të propozimit të BE-së për normalizim të marrëdhënieve.

Dokumenti prej 11 nenesh – që është bërë publik nga Bashkimi Evropian – nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.

Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.
Kurti ka thënë se e kupton qëndrimin e Serbisë, por “duhet referuar asaj që jemi marrë vesh” dhe që “plani i zbatimit duhet të negociohet në Ohër, e mbase jo vetëm në Ohër”.

“Le ta diskutojmë planin e zbatimit. Unë e kuptoj që Serbia shtyn shumë për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ajo është në nenin 10, njëra prej 33 marrëveshjeve. Në fakt kur kam shikuar tash së fundi, bashkë me konkluzione që janë bërë në Bruksel, del që nga 2 korriku i vitit 2011, deri më 25 gusht të vitit 2015, janë 39 marrëveshje gjithsej, dhe Asociacioni përbën gjashtë pikat e para të një marrëveshjeje 15-pikëshe, e cila është e 16-ta prej 39-të”.

Një ditë më parë, Kurti ka thënë se është duke i analizuar 15 modelet evropiane që i ka ofruar Bashkimi Evropian për formimin e Asociacionit.

I dërguari i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, ka thënë se këto modele janë në përputhje me standardet evropiane.

Asnjëra prej 15 modeleve evropiane nuk janë bërë publike, as nga Kosova e as nga Brukseli.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Ndonëse propozimi i BE-së nuk përmend në mënyrë specifike Asociacionin, në të theksohet që palët duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet që kanë nënshkruar në të kaluarën.

Në mesin e tyre është edhe ajo për Asociacionin.

Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.

Tani për tani të dyja vendet kanë synime të ndryshme për marrëveshjen finale.

Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon zgjidhje kompromisi./REL