Makina tip “Range Rover” që u përdor në sulmin ndaj Top Channel rezulton të jetë në pronësi të Ramadan Nikollit, një qytetar nga Kosova që në vitin 2020 zgjodhi të bënte pushimet në plazhin e Talës, në Shëngjin, Lezhë. Arbresh.info shkruan se ka kontaktuar me Nikollin, i cili më 10 korrik të 2020-ës ka denoncuar vjedhjen e makinës së tij.
““Range Rover” me të cilin dyshohet se u sulmua “Top Channel” mbrëmë, ka qenë vetura ime, por që më është vjedhur nga rojtari i sigurisë së hotelit ku po qëndrojë me pushime atëherë,”- ka thënë ai.
“Unë i kam pa lajmet që vetura ka qenë me targa të huaja në momentin kur është gjet e djegur pas sulmit që ka ndodhur. Ato targa nuk e di kur ia kanë nxjerrë, që po më duket kanë qenë angleze, por, mu kur ma kanë vjedhë veturën para tre vjetëve, targat e saj kanë qenë 01, pra, të Kosovës,”- vijoi tha Makolli.
Në lajmin e publikuar në 10 korrik të vitit 2020, shihet se Makolli denoncon hotelin ‘Sokol Lulaj’ për vjedhjen e mjetit të tij. Ai madje ka publikuar dhe videon ku shihet moment që i marrin makinën.
“Range Rover”-i u gjet i djegur me dy kallashnikovët e përdorur në krim brenda. Ai është sekuestruar dhe aktualisht ndodhet në drejtorinë e policisë së Tiranës, ku po i bëhet ekzaminimi nga ekspertët për gjetjen e provave. Sulmi i rëndë ndodhi pak pas mesnate dhe viktimë mbeti roja i sigurisë, Pal Kola 60 vjeç.