Pas një viti luftimesh, çfarë vjen më pas?
Një vit më pas, ka mbetur shumë për të vajtuar. Të vdekurit, nga të dyja anët. Të gjallët u shpërndanë nëpër Evropë për shkak të raketave ruse. Të varfërit e botës, duke u përballur më vështirësitë për të blerë bukë. Megjithatë, teksa i drejtohej kombit rus këtë javë, Vladimir Putin nuk dha shenja pendese.
Aleatët e Ukrainës mund ta përgëzojnë veten e tyre që e kanë bërë pjesën e tyre për ta kundërshtuar sulmin e pamëshirshëm të Putinit – megjithëse, me guximin dhe vendosmërinë e saj, vetë Ukraina meriton më shumë merita. Ata janë bashkuar në dy parime: që Ukraina duhet të fitojë dhe se i takon presidentit Volodymyr Zelensky të përcaktojë se çfarë do të thotë fitore. Kur vizitoi Kievin të martën, presidenti Joe Biden ishte dëshmi e gjallë e përkushtimit të Amerikës.
Megjithatë, edhe parimet më të vlefshme kanë një mënyrë për t’u zhvlerësuar, siç e di mirë Putini. Ai beson se Perëndimi do të lodhet dhe, me mundësinë e një presidenti të ri amerikan në vitin 2025 dhe një mbështetje më të fortë nga Kina, ai ende mund të ketë të drejtë. Fjalimi i tij këtë javë e bëri të qartë se ai po e mobilizon Rusinë për një luftë që – e nxehtë apo e ftohtë – mund të zgjasë një gjeneratë të tërë.
Në luftimet dhe në vitet e gjata të përleshjes së armatosur që pason, Ukraina do të mbizotërojë vetëm kur Putini – ose, më shumë gjasa, pasardhësi i tij – të arrijë në përfundimin se agresioni i mëtejshëm do ta dobësonte rëndë atë në Rusi. Udhëheqësit perëndimorë duhet t’i sinjalizojnë Rusisë vendosmërinë e tyre dhe t’i përgatisin njerëzit e tyre për konfrontimin e ardhshëm. Kjo është arsyeja pse ata duhet ta shënojnë vitin e dytë të luftës duke dalë përtej gjeneraliteteve dhe duke u përkushtuar ndaj një plani të besueshëm për një luftë afatgjate.
Detyra e parë është të kuptojmë se çfarë është rreziku. Disa evropianë ende e ushqejnë besimin se një marrëveshje paqeje mund ta kthejë botën në gjendjen e para 23 shkurtit 2022. Në fakt, Rusia, Ukraina dhe Perëndimi janë të kyçur në një garë midis sistemeve rivale. Perëndimi beson se Ukraina sovrane duhet të jetë e lirë për t’u bërë një komb i begatë dhe demokratik. Putin e mohon ekzistencën e Ukrainës dhe thotë se qytetërimi rus është në luftë me Perëndimin. Është një luftë që do ta testojë vendosmërinë dhe fuqinë e të dyja palëve.
Detyra e dytë është të fitosh një avantazh në fushëbetejë. Ofensivat pranverore të Rusisë dhe Ukrainës do të tregojnë nëse secila palë mund të marrë territor. Sulmi i Rusisë tashmë ka filluar dhe nuk duket se po fiton terren. Sulmi nga ana ukrainase ka të ngjarë në prill ose maj. Qëllimi i deklaruar i ushtrisë ukrainase është t’i rivendosë kufijtë e vitit 1991 duke e pushtuar Krimenë dhe katër provincat që Putini i aneksoi në shtator të vitit të kaluar.
Duhet të marrë gjithçka mundet. Arsyeja strategjike për këtë është se një Ukrainë do të varfërohej dhe do të ishte e vështirë për t’u mbrojtur. Lindja dhe jugu i vendit janë burime mineralesh dhe kulturash, si dhe qendra të industrisë. Qasja e papenguar në Detin e Zi siguron një kalim të sigurt për eksportet e Ukrainës. Arsyeja politike është se sa më shumë territor të dorëzohen nga forcat ruse, aq më e qartë është se lufta ishte e kotë – dhe aq më e vështirë do të jetë për Putinin ose pasardhësin e tij ta justifikojnë ri-pushtimin e Ukrainës me një ushtri të re.
A duhet që ambiciet e Ukrainës ta përfshijnë Krimenë? Në parim, po. Krimea shtrihet brenda kufijve të njohur të Ukrainës. Krimea e kontrollon hyrjen në bregdetin e Ukrainës. Është gjithashtu territori që Putini e vlerëson më shumë – dhe për rrjedhojë, çlirimi i të cilit do ta çonte më së miri humbjen e tij. Në praktikë, Krimea do të jetë e vështirë për t’u marrë. Putini mund ta lëshojë një kërcënim të besueshëm për përdorimin e armëve bërthamore. Zelensky do të ishte më mirë të ishte i sigurt për sukses: një sulm i dështuar mund të përfundojë duke i rreshtuar rusët e zakonshëm pas liderit të tyre.
Sa më i fortë të jetë pozicioni territorial i Ukrainës, aq më i fortë do të jetë në luftën e ftohtë pasi luftimet të jenë shterur. Kjo mund të bëhet përmes një marrëveshje formale paqeje, por me shumë mundësi një armëpushim, e tillë si ajo lidhur me përplasjen 70-vjeçare midis Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut. Sido që të jetë, Putini thjesht nuk do të dorëzohet, kështu që Ukraina do ta kërkojë një garanci të besueshme për sigurisnë e saj.
Në mënyrë ideale, kjo do të nënkuptonte anëtarësimin në NATO. Putini është i vështirë t’u pengohet sepse Amerika nuk dëshiron ta nisë një luftë me Rusinë – dhe këtë e bën me të drejtë. Anëtarësimi në NATO ul rrezikun, duke ndryshuar pozicion ndaj Putinit. Ai i angazhon anëtarët e tij paraprakisht që ta trajtojnë një sulm ndaj një vendi si një sulm ndaj të gjithëve. Nëse Putin do të pushtonte, do të ishte ai që do të zgjidhte një luftë superfuqish.
Në Konferencën e fundit të Sigurisë në Mynih, disa vende thanë se janë në favor – madje edhe Franca mund të jetë e hapur ndaj kësaj ideje. Megjithatë, anëtarësimi në NATO kërkon konsensus. Nëse kjo është e paarritshme, Ukrainës do t’i duhen garanci dypalëshe dhe shumë armë, në mënyrë që të jetë sikurse një Izrael evropian, tepër i patretur që një pushtim tjetër rus të ketë kuptim.
Çfarëdo që të ndodhë, nevoja e Ukrainës për armë do të zgjasë për të paktën një dekadë dhe ndoshta edhe më gjatë. Vetëm tani ajo po gjuan afërsisht po aq predha në një muaj sa Amerika mund të prodhojë në një vit. Fushata e saj pranverore ka nevojë për municione, pjesë këmbimi, sisteme të mbrojtjes ajrore, artileri me rreze të gjatë dhe, në fund të fundit, avionë. Pas luftës, ajo do të kërkojë një arsenal të tërë armatimi të cilësisë së NATO-s.
Politikanët këmbëngulin se janë zgjuar me këto nevoja, por janë të ngadaltë për të vepruar. Ata duhet ta ndryshojnë këndvështrimin e tyre. Vendet perëndimore duhet të pranojnë se nuk mund t’i përballojnë më nivelet e prodhimit të armëve në kohë paqeje – jo vetëm për ta mbështetur Ukrainën, por edhe për ta mbrojtur veten e tyre. Kërcënimet janë të shumta. Ato duhet të sinjalizojnë një rimbushje afatgjatë të municioneve, të investojnë në kapacitetin e rritjes dhe të bëjnë më shumë prokurime në të gjithë aleancën, në mënyrë që ta krijojnë një industri të fuqishme.
Fuqitë perëndimore gjithashtu mund ta sinjalizojnë angazhimin e tyre me buxhete shumëvjeçare për mbështetje financiare. Kjo ka rëndësi sepse, nëse ekonomia e Ukrainës nuk shënon rritje, atëherë as demokracia nuk do të shënojë rritje. Gradualisht, mbrojtja e Ukrainës do të dobësohej.
Ndihma është tejet me rëndësi, padyshim. Duke pasur parasysh se Amerika e ka siguruar pjesën kryesore të armëve, shumë prej tyre duhet të vijnë nga Evropa. Por kapitali privat është gjithashtu esencial, dhe ai do të rrjedhë në Ukrainë vetëm nëse shihet se është një vend i mirë për të investuar.
Ashtu sikurse në Izrael dhe Korenë e Jugut, të cilat të dyja kanë lulëzuar pavarësisht armiqësisë prej dekadash të fqinjëve të tyre, burimi më i madh i Ukrainës është populli i saj. Ata gjatë gjithë kësaj lufte kanë treguar se janë iniciativë dhe krijues. Është jetike që, kur t’i mbarojnë luftimet, gratë dhe fëmijët që ikën në perëndim të mos qëndrojnë aty, por të zgjedhin të ribashkohen me partnerët e tyre.
Dhe Ukraina duhet ta tejkalojë një histori korrupsioni dhe kapjeje politike. Këtu mund të ndihmojë premtimi për anëtarësim në BE. Procesi i anëtarësimit është një regjim shëndetësor për institucionet e një vendi. Për sa kohë që kandidatura e Ukrainës trajtohet me mirëbesim nga anëtarët e BE-së, ajo mund të jetë transformuese. Negociatat zyrtare për anëtarësim duhet të fillojnë në vitin 2023.
Ndërkohë që lufta hyn në vitin e saj të dytë, disa pyesin nëse Ukraina ia vlen për gjithë kjo përpjekje. A nuk është më urgjente kriza e kostos së jetesës? Apo ndryshimi i klimës? Imagjinoni sikur paratë e shpenzuara për armë të mund ta financonin zhvillimin.
Është e drejtë të pendohesh për luftën, por është e pamatur të presësh që thjesht agresioni i Putinit të ndalojë një ditë. Një fitore ruse në Ukrainë do ta çonte botën në një rrugë të zymtë, ku përdorimi i forcës do të dilte si diçka e drejtë dhe ku kufijtë ndryshohen me dhunë. Mund tëa përshpejtojë përballjen e radhës, edhe më keq, në Evropë. Dhe do të thellonte një ndjenjë të përhapur se fuqia perëndimore dhe vlerat universale që ajo mban, janë në rënie të madhe.
Përkundrazi, fitorja e Ukrainës do të sillte shpresë se një demokraci sovrane nuk duhet të përkulet para fqinjit të saj shumë më të madh, diktatorial. Do të ishte një botë që mori zemër nga vendosmëria dhe guximi i Zelenskit dhe popullit ukrainas.
Burimi: The Economist