MENU
klinika

Bisedimet për planin franko-gjerman

Lugina e Preshevës kërkon të drejta, si serbët në Kosovë

17.03.2023 - 10:56

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, përmes një shkrese i janë drejtuar përfaqësuesve të SHBA-së, BE-së, Kosovës dhe Serbisë, për t’u përfshirë në këtë plan franko-gjerman, sikurse serbët e Kosovës. Kjo kërkesë vjen në prag të takimit në Ohër mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç.

Më 18 mars, kryeministri i Kosovës dhe presidenti serb do thonë fjalën e fundit për planin evropian.

Dy ditë para takimit, shqiptarët e Luginës së Preshevës ua kanë dërguar një letër përfaqësuesve të BE-së, SHBA-së, të Kosovës dhe Serbisë, me kërkesën për t’u përfshirë dhe ata me të njëjtat të drejta që duan të kenë dhe serbët e Kosovës.

“Shqiptarët e asaj pjese po kërkojnë të drejta të barabarta siç parashihet për serbët në atë plan”, thotë Ragmi Mustafa, kryetar i Këshillit Nacional në Luginën e Preshevës.

“Nuk ka asnjë arsye që mos të trajtohet në kuadër të këtij formati, aq më tepër nuk ka asnjë arsye që mos të akordohen po të njëjtat standarde, rregullim juridik për komunitetin joshumicë në Luginë, po aq sa trajtohen për komunitetin serb në Kosovë”.

Shqiptarët e Luginës, përmes kësaj letre kanë kërkuar realizimin e plotë të të drejtave kolektive, përfshirje në dialog, zbatim të obligimeve nga Qeveria e Serbisë ndaj shqiptarëve, mbrojtjen e interesave të tyre në përputhje me referendumin e 1992-s për autonomi territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën, e të tjera.