Ditën e djeshme u mbajt takimi trepalësh mes Kosovës e Serbisë, të negociuar nga Bashkimi Evropian, në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u prenoncua për mediat, ku komentoi takimin, pritshmëritë e tij dhe përmbushjen apo mospërmbushjen e tyre.
Gjithashtu, ai u pyet nga një gazetare e Kosovës, lidhur me marrëdhëniet me Kishën Serbe.
Gazetarja: A mund të na sqaroni çfarë ka ndodhur lidhur me Kishën Ortodokse? Çfarë do të ndodhë nëse marrëveshja që është arritur sot nuk do të nënshkruhet dhe nuk do të jetë ligjërisht e obligueshme, dhe a po thoni që nuk ka pasur insitim të mjaftueshëm ndërkombëtar që kjo marrëveshje të bëhet ligjërisht e obligueshme? Po ashtu gjatë këtyre orëve të gjata të këtyre diskutimeve, kemi marrë informacione që ka patur disa pauza gjatë diskutimeve, a mund të na thoni pse ka patur pauza të tilla, dhe cilat kanë qenë ndoshta kundërshtimet kryesore të palës serbe, qoftë edhe që të ketë pauza të tilla, por dhe që të mos arrihet marrëveshja?
Albin Kurti: Së pari, sa i përket Kishës Ortodokse Serbe, natyrisht që ajo si një çështje ekziston në marrëveshjen bazike, dhe ajo çfarë kam shprehur unë gjatë këtij takimi është se jam i interesuar të bëjmë një bashkëbisedim të hapur, të sinqerte, për të gjitha temat që ata dëshirojnë të diskutojnë me mua, si kryeministër i Republikës së Kosovës. Më lejoni t’ju theksoj që as nuk është presidenti i Serbisë patriark, e as patriarku i Kishës Ortodkse Serbe nuk është president. Andaj, duke pas parasysh që Serbia është një shtet sekular, unë konsideroj që do të duhej drejtpërsëdrejti që qeveria e Kosovës, unë si kryeministër, Ministri i Kulturës dhe Sportit, i cili e ka trashëgiminë kulturore dhe çështjen e lirisë fetare edhe në portofolin e tij, ndërkohë e ka edhe përzemër si çështje, do të duhej të angazhohemi drejpërdrejt me udhëheqësit, priftërinjtë e lartë të Kishës Ortodokse Serbe, sepse ne jemi të interesuar që askujt të mos i cënohen të drejtat. Ju e dini që kemi një ligj për lirinë fetare, ekziston edhe ligji që e kemi trashëguar nga propozimi i Atisarit, për zonat e veçanta dhe ai për zonën historike të Prizrenit.
Sa i përket pauzave, ai e pohoi që ka patur, duke argumentuar edhe arsyen.
“Pauza ka patur është e vërtetë, sepse në njërën anë ka takime biletarale, nuk janë të gjitha trilaterale, dhe në anën tjetër, ka nevojë që ekipet të konsultohen me ekspertët e tyre juridikë, dhe gjithashtu të rregullohen tekstet, të printohen ato, para se të diskutohen e rinegociohen deri në dakordim. Është një procedurë e zakonshme e procesit negociator”, tha Kurti.