Ministri i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës Goran Vesiç thekson se pret që Kosova t’i përmbush obligimet e saj, duke shtuar se formimi i Asociacionit duhet të ndodhë. Vesiç tha se pa formimin e Asociacionit nuk ka asgjë për të diskutuar.
“Atëherë pse të nënshkruani një marrëveshje nëse nuk ka. Presim që autoritetet në Kosovë të përmbushin atë që kanë nënshkruar. Pa këtë nuk kemi çfarë të flasim. OKB-ja është fort pas saj, BE dhe SHBA. Pas kësaj, ne mund të flasim më tej. SHBA nuk mund të përballojë të luhet siç po bën Kurti. Marrëveshja e Brukselit është nënshkruar nga të dyja palët”, thekson Vesiç dhe shton se Kurti po zbaton taktika për të krijuar jostabilitet, në mënyrë që të ketë gjithnjë e më pak serbë në Kosovë.
Vesiç shton se është e nevojshme të jenë unik në ruajtjen e interesave kombëtare.
“Shqiptarët e Kosovës kanë një interes, por edhe fuqitë e mëdha. Në politikë nuk ka miqësi dhe armiqësi të përjetshme, ka vetëm interes. Pikërisht për këtë është e nevojshme që ne të jemi të bashkuar, sepse përndryshe ata do të përdorin përçarjen tonë. Duhet të kujdesemi që interesat tona të realizohen pa hyrë në konflikt me të gjithë botën. Serbia nuk duhet të lejojë që kjo të ndodhë”, tha Vesiç.