MENU
klinika

Analiza

Në Kremlin të gjithë e nuhasin humbjen e luftës…

30.03.2023 - 12:02

Një mbrëmje në fund të dhjetorit të vitit 2022, një grup miqsh të vjetër u mblodhën në Moskë. Në mesin e të ftuarve ishin pjesëtarë të elitës kulturore dhe politike në Federatën Ruse, të cilët duke festuar për ardhjen e vitit të ri, shprehën shpresën për rikthimin e jetës normale. Një njeri që nuk kishte nevojë për prezantim u ngrit, për të bërë një dolli. “Mendoj se prisni që unë të them diçka,” tha Dmitri Peskov, zëdhënësi prej shumë kohësh i Putinit. “Gjërat do të bëhen shumë më të vështira. E gjithë kjo do të zgjasë shumë, shumë gjatë”, tha ai. Dollia prishi humorin e të ftuarve, shumë prej të cilëve kundërshtojnë luftën në Ukrainë.

Një luftë pa fund

Më shumë se një vit nga fillimi i pushtimit, i cili sipas planeve fillestare ruse duhej të zgjaste vetëm disa javë, qeveria e Putin po përgatit shoqërinë për mundësinë e një konflikti shumëvjeçar. Duke folur së fundmi me punëtorët në një fabrikë aeroplanësh në rajonin Buryat, Putin theksoi se lufta është në fakt ekzistenciale për mbijetesën e Rusisë. “Për ne kjo nuk është vetëm një detyrë gjeopolitike, por një çështje e mbijetesës së shtetit rus dhe krijimit të kushteve për të ardhmen e vendit dhe fëmijëve tanë”, tha presidenti Putin.

Ai fjalim ishte i ngjashëm me fjalimet e mëparshme, tha analisti politik Maksim Trudoljubov, në të cilin lideri rus përmend një ‘luftë të përjetshme’ me Perëndimin.“Lufta nuk ka as fillim të vërtetë e as fund të parashikueshëm”, tha Trudoljubov. Mesazhi i fshehur për njerëzit ishte, sipas Trudoljubov, se lufta në Ukrainë nuk do të përfundojë kaq shpejt dhe se rusët duhet të mësojnë të jetojnë me të. Një diplomat perëndimor në Moskë tha se Putini nuk mund ta pranonte kurrë humbjen, sepse ai nuk duket se e kupton fare “si është të humbasësh”. Ai shtoi se presidenti rus është një ish-agjent i KGB-së dhe ata janë të trajnuar për të ndjekur gjithmonë qëllimet e tyre dhe jo për t’i vënë në dyshim ato.

Roli i propagandës

Udhëheqja ruse fillimisht mendoi se konflikti do të zgjaste vetëm disa javë përpara se të shpallte fitoren. Gjatë dimrit, analistët ushtarakë perëndimorë paralajmëruan zyrtarët ukrainas se Rusia, pasi kishte mobilizuar 300,000 trupa të tjera, po përgatitej për një tjetër sulm të madh. Por ofensiva e Moskës ka sjellë shumë pak përfitime dhe shumë viktima. Zyrtarët perëndimorë vlerësojnë se rreth 200,000 ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur deri më tani.”Rusia thjesht nuk ka kapacitetin apo aftësinë për një ofensivë të madhe,” tha eksperti ushtarak amerikan Rob Lee.

Sipas tij, më pak se 10 për qind e ushtrisë ruse në Ukrainë është e aftë për veprime sulmuese dhe shumica e ushtarëve janë rekrutët e trajnuar dobët.”Shumë në vend tani e pranojnë plotësisht se kjo luftë nuk do të largohet dhe besojnë se ata duhet të mësojnë të jetojnë në një realitet të ri,” tha Andrej Kolesnikov, një bashkëpunëtor i Fondacionit Carnegie që studion qëndrimet e publikut ndaj luftës. Kolesnikov tha se aftësia dhe vullneti i popullatës për t’iu përshtatur realitetit të ri u tregua shumë më i fortë se sa prisnin shumë analistë. Qeveria filloi të përhapë mesazhin se lufta është e nevojshme për vetë identitetin dhe mbijetesën e Rusisë.

Luftë me Perëndimin

Por teksa qindra mijëra rusë heshtën ose u larguan nga vendi, një grup i mbështetësve të luftës përqafuan drejtimin e ri të vendit. Edhe ata kanë vënë re kostot në rritje të konfliktit, por po bëjnë thirrje për më shumë mbështetje publike dhe gjithnjë e më shumë po e portretizojnë luftën si një betejë globale me Evropën dhe SHBA-në.”Jo të gjithë në këtë vend e kuptojnë ende se sa do të duhet të paguajmë për të fituar këtë luftë,” tha Alexander Dugin, një filozof radikal rus.

“Njerëzit në vendin tonë duhet ta paguajnë dashurinë e tyre për Rusinë me jetën e tyre. Çështja është serioze dhe ne nuk ishim të përgaitur për këtë”, shton ai. “Unë mendoj se njerëzit në këtë vend nuk e kuptojnë plotësisht atë që po ndodh edhe pas një viti,” shtoi Dugin. “Sigurisht që ka mbështetjen e plotë të presidentit, por nuk ka hyrë plotësisht në zemrat dhe shpirtrat e të gjithë njerëzve. Disa u zgjuan, disa jo. Pavarësisht se lufta ka një vit që po vazhdon, ajo po ecën shumë ngadalë”, përfundon ai.